Në Kosovë, autoritetet kanë bërë thirrje që të gjitha çështjet e drejtësisë të trajtohen brenda territorit të Kosovës dhe në bazë të ligjeve të saj.
Komentet e tyre pasuan vizitën e prokurorit amerikan Clint Williamson, që drejton punën e grupit hetues të EULEX-it për hetimin e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty për trafikim organesh në Kosovë.
Gjatë kësaj vizite, që është zhvilluar me dyer të mbyllura, është diskutuar ideja për themelimin e një gjykate të veçantë që do të merrej me trajtimin e pretendimeve të ngritura në dhjetor të vitit 2010 nga senatori zviceran Dick Marty, mbi, siç thuhet, përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.
Në një komunikatë të lëshuar nga Ministria e Drejtësisë thuhet se zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi shprehu qëndrimin e qeverisë në mbështetje të grupit punues për të ndihmuar drejtësinë, por njëkohësisht kërkon të respektohet juridiksioni i vendit dhe në çdo rast të ruhet imazhi i tij dhe luftës së drejtë.
Zëvendëskryeministri Kuçi citohet të ketë thënë se Kosova ka ndërtuar kapacitetet e mjaftueshme në fushën e drejtësisë për të trajtuar çdo rast të mundshëm qoftë me gjyqtarë vendas apo ndërkombëtarë dhe për këtë kërkoi që çdo gjykim i mundshëm të mbahet në territorin e Kosovës dhe sipas ligjeve dhe juridiksionit të saj.
Në komunikatë thuhet se Kosova kërkon që të respektohet sovraniteti i vendit, të njihen arritjet në fushën e drejtësisë dhe bashkëpunimi me EULEX-in, të respektohen të drejtat e njeriut të secilit qytetar, sipas standardeve ndërkombëtare. Institucionet e Kosovës duhet të jenë partnerë në këtë proces dhe çdo vendim duhet të respektojë qëndrimin sovran të tyre, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Ideja e hedhur rreth kësaj gjykate përfshinë edhe propozimin që ajo të funksionojë jashtë sistemit gjyqësor të Kosovës dhe jashtë Kosovës për të siguruar siç thuhet pavarësinë, shpejtësinë e trajtimit të çështjeve por edhe për shkak të shqetësimeve për sigurinë.
Pretendimet e ngritura nga i dërguari i Këshillit të Evropës Dikc Marty, patën nxitur reagime të zemëruara në Prishtinë ku autoritetet hodhën poshtë pohimet e tilla ndërsa u shprehën të gatshëm të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për hetimin e të gjitha pretendimeve.
Gatishmërinë për bashkëpunim e kishte ofruar atëbotë edhe Shqipëria për shkak se sipas pretendimeve të ngritura një pjesë e krimeve të dyshuara mund të ishin kryera në territorin e saj.
Njëzet e një vjet më parë, Kombet e Bashkuara ngritën Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi veprimi i së cilës përfshinte edhe Kosovën. Nëse do të realizohej një ide për gjykatë të posaçme, Kosova do të ishte vendi i vetëm në rajon që do të përballej me një mekanizëm të tillë, që për vëzhguesit është i panevojshëm duke pasur parasysh edhe faktin se në Kosovë vepron misioni më i madh evropian për policinë dhe drejtësinë./VOA
Sipas kësaj që kërkon Kosova, i bie që Millosheviçi, Karaxhiçi etj. të gjykoheshin në Serbi, sipas ligjeve sërbe…(???!!!). Si u duket kjo ide autoriteteve kosovare…???