Kryetari i Kuvendit Ilir Meta zhvillon një takim me Kandidatin për President të Maqedonisë Iljaz Halimi dhe Kryetarin e PDSH z. Menduh Thaçi. Sipas një njoftimi nga Zyra e Shtypit pranë Kuvendit, Halimi dhe Thaçi e njohën Kryeparlamentarin Meta mbi zhvillimet e fundit në Maqedoni dhe mbi ecurinë e fushatës zgjedhore, duke vënë në dukje mobilizimin e energjive në funksion të maksimizimit të votës së shqiptarëve për kandidaturën e Iljaz Halimi.
Profesor Halimi shprehu mirënjohjen e tij të veçantë për mbështetjen e vazhdueshme të Kryetarit të Kuvendit ndaj shqiptarëve dhe mbarëvajtjes të të drejtave të tyre në Maqedoni, dhe vuri në dukje se hapësirat shqiptare në Maqedoni kanë nevojë për më tepër vlera dhe kulturë pozitive demokratike.
Kryetari i Kuvendit shprehu kënaqësinë e tij për vizitën e Halimi në Kuvendin e Shqipërisë dhe theksoi se Shqipëria dëshiron që shqiptarët në vendin fqinj të përfaqësohen sa më denjësisht në zgjedhjet e ardhshme, duke vlerësuar njëkohësisht rolin konstruktiv dhe stabilizues të shqiptarëve në Maqedoni.
Kryetari i Kuvendit Meta nënvizoi gjithashtu se përqasja në vazhdimësi konstruktive e Shqipërisë ndaj vendeve fqinje, është gjithnjë në funksion të forcimit të stabilitetit rajonal dhe prosperitetit të të gjithë qytetarëve të vendeve tona.