Rama: Prioritet i Qeverisë, rritja e prestigjit të Shqipërisë në NATO (VIDEO)

31 Mars 2014, 09:13Politika TEMA

“Mirënjohje ndaj gjithë atyre që ndihmuan në këtë arritje unikale. Mirënjohje popullit shqiptar, Forcave të Armatosura, administratës, shoqërinë civile, radhët e politikës pa dallim,që realizuan reformat që bënë të mundur anëtarësimin në NATO. Mirënjohja ndaj SHBA-ve është e pashmangshme sa herë që ne do të gëzojmë ditë dhe data si kjo e sotmja, apo do të reflektojnë dhe do të veprojnë për çështje të ekzistencës së tyre kombëtare”.

Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në kuadër të 5-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Me këtë rast në sheshin kryesor pranë Ministrisë së Mbrojtjes u zhvillua një ceremoni ku kanë marrë pjesë krahas Kryeministrit Edi Rama, edhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së gjeneralmajor Jeronim Bazo, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe Forcave të Armatosura.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, Kreu i Qeverisë u shpreh se prioritet i Qeverisë shqiptare mbetet rritja e prestigjit të vendit tonë në NATO, Evropë por edhe në botë.

“Duke u integruar në aleancën e madhe Shqipëria është bërë njëkohësisht pjesë e pandahshme e përmbajtjes dhe e shprehjes së botës së lirë, botës së vlerave të larta të demokracisë  lirisë dhe të drejtave njerëzore, ekonomisë së lirë dhe shtetit ligjor. Anëtarësimi në NATO e ka rritur si kurrë më pare rëndësinë dhe fuqinë politike të Shqipërisë si shtet, që është pjesë aktive e vendimmarrjeve më të rëndësishme për sigurinë në rrafshin global. Në radhë në parë në hyrje në NATO, Shqipëria ka garantuar jo vetëm angazhimin e saj por ka garantuar edhe angazhimin e aleatëve të saj për të mbrojtur integritetin dhe pavarësinë e saj. Me anëtarësimin në NATO, Shqipëria është e angazhuar ligjërisht për të kontribuar edhe për mbrojtjen e integritetit dhe pavarësisë së çdo vendi aleat me të ashtu sikundër mbrojtjes së paqes,lirive dhe të drejtave ku kjo aleancë e sheh të nevojshme”, tha Rama.

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli u shpreh se Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë të angazhuara që në partneritet të ngushtë me aleatët tanë të kontribuojnë për sigurinë.

“Kjo datë do të mbetet në ndërgjegje si ngjarja që na bashkoi me vlerat e lirisë dhe progresit. NATO-n e cilësojmë si një lidhje bese mes miqve të nderuar. Jemi të vendosur të lartësojmë rolin tonë si pjesë e kësaj aleance, dhe Ministria e Mbrojtjes luan rol parësor. Ne synojmë të bëjmë rregullime ligjore, për të garantuar një baze ligjore të shëndoshë.Qeveria shqitpare është e fokusurar te reformat. 5 vite janë një periudhë relativisht e shkurtër për historinë 65-vjeçare të NATO-s. Falenderoj misionarët tanë, eksperienca e këtij procesi ka ndikuar shumë në transformin e sektorit të sigurisë në vend”, tha Kodheli.

Sipas saj, Qeveria shqiptare ka në fokus të saj rivitalizimin e ushtrisë dhe eliminimin e praktikave korruptive si rrugën më të mirë drejt rritjeve të standardeve të ushtrisë shqiptare për ta përafruar me nivelin e ushtrive të Aleancës.

“Duhet të kujtojmë të gjithë me përulje se aleanca e NATO-s, ka qenë ajo organizatë që na ka asistuar në momente delikate të historisë sonë pas viteve 90-të. Ndërhyri në luftën e Kosovës, duke shuajtur konfliktin me Serbinë dhe duke nxitur pavarësinë e shtetit Kosovar, po jo vetëm kaq, NATO është ajo organizatë që nëpërmjet veprimeve të saj ofron siguri e prosperitet. Në këtë 5-së vjetor duhet të kujtojmë rrugën e gjatë që Shqipëria ka bërë për të mbërritur në këtë ditë, por dhe të kuptojmë se ka ende shumë për punë për të bërë dhe për të mbërritur në nivelin e aleatëve tanë”, theksoi Ministria e Mbrojtjes, duke shtuar se “lufta ndaj korrupsionit dhe reforma strukturore e mbrojtjes janë themeli i punës së qeverisë së re”.

Sipas Kodhelit, vendi ynë i është bashkuar aleancës 5 vite më parë dhe sot gëzon përparim të dukshëm sa i takon mbrojtjes. “Ndër objektivat kryesore që kemi për vitin aktual, por dhe në vazhdim të punës sonë, është krijimi i një administrate efikase, funksionale dhe të aftë për të realizuar misionin e saj në fushën e mbrojtjes, në realizimin e detyrave në aleancë dhe në mbrojtjen kolektive si dhe në fushën e emergjencave civile, dhe ne si qeveri besojmë se kjo arrihet duke luftuar korrupsioni dhe duke realizuar një reformë strukturore e thellë”, nënvizoi Kodheli.

Ministrja e Mbrojtjes bëri të ditur gjithashtu se, “aktualisht po zbatojmë një program përditësimi të pajisjeve për forcat tona teksa kërkojmë të përfitojmë më shumë kapacitete me burimet që kemi në dispozicion. Unë mendoj se bashkë mund të arrijmë me efikasitet t’ia dalim mbanë në disa fusha, ku stërvitja është një nga fushat, të jemi të aftë të dërgojmë ushtarakët tanë në NATO ose në strukturat e aleatëve apo edhe të vendeve partnere”.

2 komente në “Rama: Prioritet i Qeverisë, rritja e prestigjit të Shqipërisë në NATO (VIDEO)”

  1. Emigranti says:

    Te lumtë Z. Rama

  2. Arberi says:

    Ndoqa nga media ceremonine modeste, por shume te bukur te organizuar me rastin e 5 vjetorit te pranimit te Shqiperise ne NATO. Ne nje shqiperi plot halle festimet pompoze, me koncerte dhe parada qe kerkojne shpenzime jo te pakt, eshte me mire pikerisht kjo ceremoni qe u zhvillua sot. Prandaj uroj si qytetare i thjeshte gezuar te gjithve 5 vjetorin e anetaresimit tone ne NATO, ne kete Aleance te fuqishme politiko-ushtarake

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje