Këlcyra përcolli sot në banesën e fundit Ali Këlcyrën dhe gruan e tij, Dudushe Vrioni, në varrezat honorifike të Familjes Këlcyra, poshtë Sarajeve të Familjes.
Ceremonia private u organizua nga e bija e tij, Hëna Këlcyra. Për dy orë rresht, qindra banorë të Këlcyrës dhe miq të familjes bënë homazhe në hollin e Bashkisë së Këlcyrës.
Ali Këlcyra është pinjolli më i shquar i Familjes Këlcyra.
Ai u shkollua në gjimnazin e Gallatasarajit në Stamboll dhe më pas përfundoi studimet për juridik në Itali.
Ai është një nga udhëheqësit kryesorë të Luftës së Vlorës më 1920, deputet i Këlcyrës në parlamentin e parë shqiptar, aleat i Fan Nolit deri në vitin 1924.
Në bindje ishte socialdemokrat dhe ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm në hartimin e një legjislacioni perëndimor për barazinë gjinore, të drejtat e gruas dhe ligjin e divorcit në Shqipëri qysh në vitin 1923.
Në historinë e parlamentarizmit shqiptar njihet si një nga oratorët më të shquar të tij.
Pas rikthimit të Zogut në pushtet, ai u dënua me vdekje dhe jetoi në mërgim kryesisht në Paris, ku drejtoi organizatën Bashkimi Demokratik.
U rikthye në Shqipëri për të organizuar rezistencën kundër italianëve, e cila i kushtoi fillimisht arrestimin dhe internim- izolimin e tij në Itali.
Ishte një nga autoritetet kryesore të rezistencës në Jug të vendit dhe nuk pranoi të përfshihej në organizimet politike pas vënies së vendit nën kontrollin e autoriteteve gjermane.
Në nëntor 1944 u largua në Itali bashkë me gruan dhe vajzën e vogël.
Ai jetoi pjesën më të madhe të kohës në Romë, duke u marrë me publicistikë, kryesisht duke bërë komente në radion Evropa e Lirë.
Vdiq në Romë në vitin 1963.
Në vitin 2007 u dekorua me Urdhrin e Skënderbeut nga Presidenti i Republikës ndërsa në vitin 2013 ka marrë titullin Qytetar Nderi i Këlcyrës.
Memoriali i Familjes Kelcyra
Arkivoli i Ali Kelcyres me flamur kombetar