P/ligji për Transportet Rrugore/ Manjani: Çmimi i biletave të urbanëve nga bashkitë

7 Prill 2014, 15:00Sociale TEMA

Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miratoi projektligjin  “Për disa shtesa në ligjin nr. 8308, datë 18.03.1998 “Për transportet rrugore”, të ndryshuar”. Në vijim të transferimit të kompetencave nga pushteti qendror në drejtim të pushtetit vendor për përcaktimin e tarifave të transportit qytetas, ndryshimi i propozuar në projektligj ngarkon bashkinë, ku ky shërbim kryhet, përmes politikave për një shërbim sa më cilësor ndaj qytetarëve të vet. Zv.Ministri i Ministrisë së Transporteve dhe të Infrastrukturës, Ylli Manjani deklaroi se tashmë bashkitë kanë të drejtën për të vendosur edhe çmimin e biletës.

“Bashkia lidh kontratë për shërbimin e transportit urban me çdo shoqëri që plotëson ato kriteret. Çfarë i mungonte kontratës? Çmimi. Ti lidh kontratën dhe çmimin e vendos dikush tjetër. Ky ndryshim e rregullon këtë handikap. Ai që bën kontratën vendos edhe çmimin”, theksoi Manjani.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, Ledia Mazniku, gjatë prezantimit të këtij projektligji, u shpreh, se akoma nuk janë përcaktuar kriteret e përfitimit nga kategoritë e shtesave në nevojë. Sipas ligjit aktual, këto shtresa përfitojnë falas shërbimin e transportit qytetas, ndërsa iu rimbursohet 50 % e vlerës së biletës për transportin ndërqytetas.

Në emër deputetëve të mazhorancës, zv.kryetarja e komisionit, Klodiana Spahiu shprehu mbështetjen për nismën e ardhur.

“Në emër të grupit të PS-së dhe të LSI-së, ne jemi dakord me të tre nenet e këtij projektligji. Ne e dimë tashmë problematikën që ndodh në transportin urban qytetas. Duke u nisur të paktën nga eksperienca e kryeqytetit, ku ky shërbim është shtuar shumë vitet e fundit, duke pasur parasysh edhe rritjen e çmimit të naftës dhe përmirësimet që janë bërë në këtë transport urban , shoqëritë e transportit urban që e menaxhojnë padyshim kanë pasur kërkesat e veta që i kanë shprehur. Në këtë aspekt, ne nuk mund të ndërhyjmë shumë. Ne ndërhyjmë në nenin 3 që prek kategoritë e personave që përfitojnë me ligj. Me sqarimet që morëm, tashmë jemi të sigurtë që këto kategori do të përfitojnë, siç kanë përfituar  dhe nuk do të preken në ligj. Kategoritë, siç janë invalidët e punës, jetimët që nuk janë në punë, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, do të dalë edhe një VKM shumë shpejt, do të përfitojnë siç kanë përfituar. Pra, shërbimin qytetas do ta kenë falas dhe shërbimin ndërqytetas me 50 për qind”, theksoi Spahiu.

Ndërsa në emër të deputetëve të opozitës, deputeti Roland Keta kërkoi disa ndryshime në projektligjin e ardhur për shqyrtim.

“Ne mbështesim  çdo akt ligjor që është në shërbim të qytetarëve shqiptar dhe jemi dakord në parim, por kemi dhe mendimet tona duke filluar nga neni i parë. Në pikën “c” shtesë, tarifat dhe biletat e transporti qytetas miratohen me vendim  të Këshillit Bashkiak sipas nenit 14. Dhe në nenin 14 tregohen vetëm ato që ka kompetencë pushteti vendor dhe licencën. Por nuk jep asnjë shpjegim neni 14 i ligjit të mëparshëm për çmimin e biletave. Në nenin 2 nuk qartësohet qartë shprehja “tarifat e biletës do të varen nga niveli i standardit”. Në nenin 3 në fund thuhet se “masat kriteret dhe procedurat e kompensimit të kësaj tarife përcaktohen me vendim nga Këshilli i Ministrave”. Ky përcaktim është vetëm për invalidët e grupit 2 dhe të verbërve”, deklaroi Keta.

Pas diskutimeve, anëtarët e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miratuan me konsensus projektligjin  “Për disa shtesa në ligjin nr. 8308, datë 18.03.1998 “Për transportet rrugore”, të ndryshuar”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje