Kuvendi miraton me votat e mazhorancës, pasi opozita ishte larguar nga seanca parlamentare, p/ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8328, datë 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve”.
Duke sqaruar draftin e diskutuar më parë në Komisionet Parlamentare, ministri i Drejtësisë Nasip Naço theksoi se përmes tij synohet një rritje e shërbimeve ndaj të dënuarve, duke respektuar dinjitetin dhe të drejtat e tyre.
Në fjalën e tij, Naço sqaroi se vijmë nga një sistem ku burgjet kanë qenë kampe terrori, ku veç lirisë të merrnin dinjitetin dhe gjithçka tjetër, por pas viteve 90-të burgjet nisën një transformim të thellë, ndërsa sot ne duam që burgjet të kthehen në një sistem rehabilitimi për të dënuarit.
“Duam t’i japim të dënuarve trajtime të specializuara, të influencojmë në integrimin e tyre përtej çdo demagogjie. Gjendja e të dënuarve është pasqyrë e demokracisë së një vendi dhe ne nëpërmjet këtij ligji synojmë të forcojmë demokracinë e vendit tonë”, theksoi Naço.
Në vijim ai shtoi se “siguria dhe mbrojtja e të dënuarve nga diskriminimi, krijimi i kushteve të favorshme për ruajtjen e marredhënieve të shëndetshme me familjarët dhe të njohurit, si dhe pjesmarrja e tyre në aktiviteteve shoqërore, kulturore e sportive, janë hapi që krijon mundësi të reja për të dënuarin që ofron ky ligj për të nxitur ri-integrimin e tij në shoqëri”.
Sipas tij, drafti parashikon trajtimin dhe respektimin e të dënuarve pavarësisht gjinisë, origjinës apo kulturës që i dënuari ka, duke i dhënë shanse të njëjta të gjithë të dënuarve për t’u riintegruar.
Risitë e p/ligjit
Projektligji “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të para burgosurve”, sjell disa risi të cilat do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në:
Ndërmarrjen për herë të parë të iniciativave private dhe financiare, të njohura ndryshe si institucionet private të ekzekutimit të vendimeve penale, e cila erdhi për disa arsye si:
– krijimi i një partneriteti publik me kapitalin privat ;
– menaxhimi me efikasitet dhe eficencë i sistemit penitenciar ;
– standardizimi i kësaj nisme sipas përvojave më të mira evropiane.
Në këtë ndërmarrje të re, shteti është në cilësinë e rregullatorit të këtij shërbimi që do të ofrohet nga ente private.
Përmirësimin e trajtimit të personave që kryejnë dënimin, por edhe në parandalimin e recidivizmit, përmes ri-integrimit të shpejtë të këtyre personave në shoqëri.
Përcaktimin e kritereve të veçanta për trajtimin e të miturve, grupmoshat 18-21 vjec, si dhe gratë, që kanë të bëjnë me parandalimin e çdo akti dhune që sjell dëmtim fizik, seksual apo psikologjik.
U njihet e drejta e punësimit të paraburgosurve dhe të dënuarve, duke ju ofruar mundësi punësimi në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, me të drejta të barabarta si çdo qytetar tjetër.
Krijimin e lehtësirave të veçanta për të miturit gjatë kryerjes së dënimit, të cilat përfshijnë programe arsimore, profesionale dhe riintegruese.
Respektimin e të drejtave të paraburgosurve ose të dënuarve të huaj dhe pa shtetësi të cilat kanë të bëjnë me shmangien e diskriminimit, zgjidhjen e problemeve specifike, me të cilat përballen këta persona në institucionet përkatëse.
Për herë të parë krijohen seksione të veçanta për trajtimin e personave që gëzojnë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Garantimi i standardeve që lidhen me ofrimin e shërbimit mjekësor nga seksionet mjekësore të posaçme, përfshirjen e të paraburgosurve dhe të dënuarve në statusin e personave joaktivë, të cilët mund të përfitojnë nga të drejtat që rrjedhin nga skema e shërbimit të detyrueshëm.
Në këtë kuadër, të dënuarve me çrregullime të shëndetit mendor, u garantohet trajtim i barabartë dhe pa diskriminim, duke respektuar integritetin fizik dhe dinjitetin njerëzor.
Në këtë projektligj është parashikuar një kapitull i veçantë në lidhje me trajtimin e të paraburgosurve, fokusuar kjo në :
– respektimin e të drejtave të tyre;
– normimin e procedurave të dhënies së lejeve të veçanta;
– përcaktimin e nocioneve të qarta se ri-integrimi i tyre fillon që në momentin e pranimit në institucionet e paraburgimit;
Përcaktimin e procedurave të sakta e transparente në lidhje me dhënien e lejeve të veçanta dhe shpërblyese, nëpërmjet të cilave është bërë e mundur:
– planifikimin vjetor të dhënies së lejeve shpërblyese. Nëpërmjet të cilave është bërë i mundur që çdo i dënuar që në fillim të vitit të dijë se kur i takon leja e parashikuar me ligj, duke na dhënë mundësinë që të parandalojmë rastet e korrupsionit. Dua të them se vetëm për periudhën korrik – shtator 2013, u dhanë rreth 800 leje të veçanta dhe shpërblyese, dhe nga verifikimet rezultoi se pjesa më e madhe ishin dhënë në kundërshtim të hapur me ligjin.
– krijimin e një bordi në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për monitorimin dhe mbikëqyrjejen e dhënies së lejeve të veçanta dhe shpërblyese.
Trajtimi i të miturve të dënuar, të mbështetet në parimin e interesit më të lartë të fëmijës, detyrim ky që rrjedh nga Komiteti i Gjenevës.
Çdo i burgosur ka të drejtë që pas rifitimit të lirisë të jetë “ i vaksinuar” kundër recidivizmit dhe i përgatitur për të qenë i dobishëm në shoqërinë që ai do të jetë pjesë.
Ligjet shqiptere behen nga/edhe me miratimin paraprak te institucioneve te BE. Kjo do te thote qe lirite dhe te drejtat kane ekzistuar ne legjislacionin aktual. Meqe kjo eshte menyra se si hartohen dhe aprovohen ligjet ne Shqiperi nuk ja vlen te merresh me keto lajle lule mbi te drejtat dhe dinjitetin qe citohen ne deklarate.
Risia kryesore e ligjit me sa shoh eshte krijimi i burgjeve private.
Kjo menyre e te berit biznes ka rezultuar probelematike ne shume vende. Ne SHBA rezulton qe behen shume veprime abuzive me synim rritjen e kohes te denimit te burgosurve meqe shteti paguan lek per cdo dite burg dhe ka pasur hetime federale ku jane denuar personat pergjegjes.
Nuk e di nqs ne kemi kapacitete qe te mos biem pre e abuzimeve te tilla apo ato te tipit “pablo escobar” ku ata qe kane leke do mund te ndertojne burgje private per vete?