Shqipëria do të bashkëpunojë me Europol për shkëmbimin e informacionit në luftën ndaj krimit të organizuar, terrorizmit apo formave të tjera të krimit ndërkombëtar. Kjo përcaktohet në marrëveshjen ndërmjet Shqipërisë dhe Zyrës së Policisë Europiane për Bashkëpunim Strategjik dhe Operacional. Marrëveshja është zyrtarizuar pas rreth 15 muajsh bisedimesh mes autoriteteve shqiptare dhe Europol, ndërsa Këshilli i Bashkimit Europian në mbledhjen e 5-6 Dhjetorit 2013 autorizoi Europolin për të rënë dakord me marrëveshjen aktuale ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Europolit. Marrëveshja për palën shqiptare është firmosur nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ndërsa për Europol nga Drejtori Rob Ëainëright
Fushat e krimit
Bashkëpunimi, siç është përcaktuar në këtë Marrëveshje, lidhet me të gjitha fushat e krimit sipas mandatit të Europolit, duke përfshirë vepra penale që kanë lidhje me to. Kështu kompetencat e Europolit duhet të mbulojnë krimin e organizuar, terrorizmin dhe format e tjera të krimeve të rënda, duke ndikuar mbi dy apo më shumë shtete anëtare, në një mënyrë që të kërkojë një qasje të përbashkët nga shtetet anëtare, sipas shkallës, rëndësisë dhe pasojave të shkeljeve penale. Sipas marrëveshjes, format e tjera të krimit të rëndë të përmendura, janë trafikimi i paligjshëm i drogave; aktivitetet e paligjshme të pastrimit të parave; krimi i lidhur me substancat nukleare dhe radioaktive; kontrabandimi i paligjshëm i emigrantëve; trafikimi i qenieve njerëzore; krimi i mjeteve motorike; vrasjet, plagosjet e rënda në trup; tregtia e paligjshme e organeve dhe indeve njerëzore; rrëmbimi, pengmarrja dhe mbajtja e paligjshme e personave; racizmi dhe ksenofobia; vjedhja e organizuar; trafikimi i paligjshëm në vlerat kulturore, duke përfshirë veprat antike dhe veprat e artit; mashtrimi dhe zhvatja; shantazhi dhe shfrytëzimi; falsifikimi dhe pirateria e produkteve; falsifikimi i dokumenteve administrative dhe trafikimi me anë të atyre; falsifikimi i parave dhe i mënyrave të pagesave; krimi kompjuterik; korrupsioni; trafikimi i paligjshëm i armëve, i municioneve dhe i eksplozivëve; trafikimi i paligjshëm i specieve në zhdukje; trafikimi i paligjshëm i bimëve në zhdukje dhe i shumëllojshmërive; krimi mjedisor; trafikimi i paligjshëm i substancave hormonale dhe i promovuesve të tjerë të rritjes. Veprat penale të lidhura janë veprat penale të kryera, me qëllim për të siguruar mjetet e kryerjes së akteve kriminale, vepra penale të kryera për të lehtësuar apo për të zbatuar akte të tilla dhe vepra penale të kryera për të garantuar pandëshkueshmërinë e këtyre akteve.
Fushat e bashkëpunimit
Bashkëpunimi, përveç shkëmbimit të informacionit, në përputhje me detyrat e Europolit, ashtu siç është përcaktuar në vendimin e Këshillit të Europolit, mund të përfshijë shkëmbimin e njohurive të specialistëve, raportet e përgjithshme të situatave, rezultatet e analizës strategjike, informacion mbi procedurat e hetimit penal, informacion mbi metodat e parandalimit të krimit, pjesëmarrje në aktivitetet e trajnimit, si edhe dhënien e konsulencës dhe mbështetjes për hetimet penale individuale. Kjo Marrëveshje nuk duhet të cenojë apo ndikojë te dispozitat ligjore në lidhje me shkëmbimin e informacionit, të parashikuar nga ndonjë marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike ose marrëveshje apo masë tjetër bashkëpunimi, apo marrëdhënie bashkëpunimi në fushën e zbatimit të ligjit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe çdo shteti anëtar të Bashkimit Europian.
Mënyra e bashkëpunimit
Sipas marrëveshjes, Republika e Shqipërisë cakton një pikë kombëtare kontakti për të vepruar si pika qendrore e kontaktit ndërmjet Europolit dhe autoriteteve kompetente të Republikës së Shqipërisë. Shkëmbimi i informacionit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Europolit, të përcaktuar në këtë Marrëveshje, zhvillohet ndërmjet Europolit dhe pikës kombëtare të kontaktit. Megjithatë, kjo nuk përjashton shkëmbime të drejtpërdrejta informacioni ndërmjet Europolit dhe autoriteteve kompetente, siç është parashikuar në nenin 7, nëse çmohet e nevojshme nga të dyja palët. Dokumenti parashikon që palët bien dakord që për të zgjeruar bashkëpunimin, të forcuar, si dhe për të monitoruar zhvillimin e dispozitave të kësaj Marrëveshjeje, shkëmbime të rregullta, sipas rastit, janë thelbësore. Në mënyrë më specifike parashikohen takime të nivelit të lartë, ndërmjet autoriteteve kompetente të Republikës së Shqipërisë dhe Europolit për të diskutuar çështjet në lidhje me këtë Marrëveshje dhe bashkëpunimin në përgjithësi. Një përfaqësues i pikës kombëtare të kontaktit dhe Europolit do të konsultohen me njëri-tjetrin rregullisht mbi çështjet policore dhe çështjet e interesit të përbashkët për të realizuar objektivat e tyre dhe për të bashkërenduar aktivitetet e tyre përkatëse. Sipas rastit, konsultimi duhet të organizohet në nivelin e kërkuar ndërmjet përfaqësuesve të autoriteteve kompetente të Republikës së Shqipërisë dhe Europolit, përgjegjëse për fushat e kriminalitetit në të cilat zbatohet kjo Marrëveshje, për të rënë dakord mbi mënyrën më efektive me të cilën do të organizohen aktivitetet e tyre të veçanta.
dite te veshtira po vijne per gyzelokriminelet………..
bravo bravo bravo! kjo do te thote se europa ka filluar dhe beson ne SHTETIN SHQIPTAR!
nje tjeter arritje shum e malle per shqipern dhe per ahqiptaret ne emigracion. aj shqiptari i keq qe ka than pashko vasa para nji qind vjetesh asht prezent edhe sot. na turpnoi e na damtoi . shyqyr qe u hoq dogana edhe per kete penges. luftojeni pa meshir