Vlerësimi i gjyqtarëve, depozitohet drafti i ri. Nishani dhe Naço nuk do jen pjesë e komisionit

11 Prill 2014, 06:38Kronika TEMA

Ministria e Drejtësisë propozon p/ligjin “Për Sistemin e Vlerësimit të Gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë”.

Sipas relacionit që shoqëron draftin, ky p/ligj propozohet me qëllim përmirësimin e performancës së gjyqësorit në tërësi, duke promovuar cilësinë dhe eficiencën në dhënien e drejtësisë, nëpërmjet vlerësimit të aftësive profesionale të gjyqtarit.

Vlerësimi periodik vjetor i gjyqtarëve bazuar në kritere objektive dhe metodë të standartizuar, do t`u mundësojë gjyqtarëve të promovohen dhe të avancojnë në karrierë vetëm në sajë të meritës profesionale dhe shërben si burim legjitimiteti të funksionit gjyqësor dhe garanci për pavarësinë e tij.

Ky projektligj synon nxitjen e pjesëmarrjes aktive të gjyqtarit në procesin e vlerësimit të tij duke e bërë partner në këtë mekanizëm.

“Sistemi aktual i vlerësimit bazohet në vendimin nr. 261/2, datë 14.04.2010, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili parashikon se vlerësimi përgatitet në formë përshkruese dhe statistikore nga Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe bëhet nga vetë Këshilli. Ky sistem vlerësimi nuk është ende plotësisht operacional dhe për vitin 2013, ka rezultuar se KLD i referohet për vlerësim performancës së gjyqtarëve në vitet 2005-2006”, vlerësohet në relacionin sqarues.

Risitë e Projektligjit “Për Sistemin e Vlerësimit të Gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë”:

Rregullimi i sistemit të vlerësimit me ligj jep garanci për objektivitetin e procesit dhe i jep rëndësinë e duhur për zbatimin e tij.

Në ndryshim nga sistemi aktual sistemi i ri i vlerësimit përqendrohet në vetëvlerësimin e gjyqtarit duke kombinuar në këtë mënyrë bashkë-ekzistencën ndërmjet vlerësimit dhe vetëvlerësimit dhe siguruar që vlerësimi të jetë objektiv dhe transparent.

Vlerësimi bëhet nga Komisioni i vlerësimit të gjyqtarëve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.  Komisioni i vlerësimit përbëhet nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Kryeinspektori i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe 9 gjyqtarë të të gjitha niveleve të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Ky konfigurim korrespondon me anëtarët e KLD-së, por janë përjashtuar Presidenti i Republikës dhe Ministri i Drejtësisë, pasi janë autoritete politike.

Procesi i vlerësimit zhvillohet në dy nivele, në gjykatë dhe në komision.

Gjyqtari bën vetëvlerësimin profesional dhe etik të punës së tij, duke plotësuar formularin dhe tabelat statistikore, dhe i dorëzon pranë kryetarit të gjykatës në të cilën ushtron veprimtarinë, brenda datës 31 janar të çdo viti.

Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Kryetari i Gjykatës së Apelit, bën vlerësimin e gjyqtarit në formën e një akti të shkruar, duke u bazuar edhe në formularin e vetëvlerësimit të gjyqtarit, përshkruan veprimtarinë e gjyqtarit, duke bërë një vlerësim të respektimit të disiplinës në punë, të solemnitetit në gjykim dhe të etikës.

Vlerësimi i kryetarit të gjykatës, i njoftohet gjyqtarit dhe ky i fundit ka të drejtën për t`u dëgjuar dhe paraqitur komentet e tij në lidhje me vlerësimin. Materialet e vlerësimit i dërgohen Komisionit. Në ndryshim nga sistemi i vjetër, ky projektligj ia heq kryeinspektorit detyrën për të përgatitur projektaktin e vlerësimit që në shumicën e rasteve linte vend për subjektivitet. Inspektorati i KLD-së shërben në këtë rast si mbështetje teknike për përgatitjen e dokumentacionit pranë Komisionit. Komisioni brenda 90 ditëve nga përfundimi i raportit paraprak të verifikimit prej Inspektoratit, shqyrton dosjen e vlerësimit të gjyqtarit apo kryetarit të gjykatës dhe projektaktin e vlerësimit, duke vendosur përfundimisht për vlerësimin e tyre.

Projektligji parashikon të drejtën e gjyqtarit për t`u dëgjuar nga Komisioni, ku diskutohen elementë të ndryshëm të vlerësimit të punës së tij. Ai ka të drejtë të parashtrojë kundërshtimet e tij dhe t’u përgjigjet pyetjeve të anëtarëve të Komisionit.

Ndaj vlerësimit përfundimtar të Komisionit, gjyqtari ka të drejtë të ankohet, brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit, në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë. Për gjyqtarët e gjykatës administrative të Apelit, ankimi bëhet në gjykatën e apelit, të një rrethi tjetër më të afërt. Ky parashikim shërben si garanci për mbrojten e të drejtave të gjyqtarit që procesi të zhvillohet në mënyrë sa më transparente dhe sa më objektiv.

Procedura e vlerësimit të përshpejtuar, përdoret në rastet kur kërkohet transferimi i gjyqtarit apo në rastet e ngritjes në detyrë. Eleminim të mungesës së vlerësimeve për një gjyqtar që konkuron të ngrihet në detyrë. Gjyqtari i Gjykatës së Shkallës së Parë, që konkuron për gjyqtar në Gjykatën e Apelit ose në Gjykatat për Krimet e Rënda, i nënshtrohet një vlerësimi me procedurë të përshpejtuar sipas kreut III të ligjit.

 

3 komente në “Vlerësimi i gjyqtarëve, depozitohet drafti i ri. Nishani dhe Naço nuk do jen pjesë e komisionit”

  1. anila says:

    Me drejtesi flasim gjithmone per gjygjtare,per ata qe gjykojne dhe japin apo jo vendimin me te drejte.
    Por padrejtesia apo me sakte krimi shpesh ka rrenje me te thella,po ne ate sistem.
    E kam fjalet per NOTERET.Paguhen minimalisht 4000 l(te reja)per nje kontrate,me e thjeshta,per 5 minuta.Nuk ka asnje profesion qe te paguhet kaq shume.Dhe ska asnje kontroll,asmnje pergjegjesi sa here qe shkelin ligjin me te dyja kembet.
    Ju lutem te krijojme nje portal ku te pakten te shkruajme mendimet tona per demet qe na shkaktojne Noteret me veprimet e tyre te paligjshme,sepse drejtesia nuk vepron per ata,jane gra te gjygjtareve,avokateve,jane pjese e sistemit dhe nuk denojne veten e tyre.Ndofta do ndihmojme njeri tjetrin me nje reklame te keqe.

  2. patosi says:

    o ju lumte per “drejtesine” ..tani ja keni futur vetes …vetvleresim +vleresim i kryetarit te gjykates …..Po keta kryetare gjykate me cfare kriteresh jan ezgjedhur ??????Gjithe sistemi i drejtesise eshte nje corbe derri …..ne popull peshperiten qe per nje grade me shume ne gjyqesor …gjykatesit paguajne nga 300 000 euro ….Dhe qe ketu fillon zinxhiri …Per te ber ato 300 000 euro …ata ua marin hallexhinjve qe shesin edhe shtepite per te nxjerr femijet nga burgu …dhe me ekeqja eshte se drejtesia jepet ne baze te zarfit qe japin ……Nje fajtor po dha shume euro lirohet ne sallen egjyqit …kurse nje i akuzuar edhe po mos te kete gisht fare ne nje krim ja fusin 25 vjet ….Ja kjo eshte drejtesia …Prandaj cfare do beni ????Nje vrime ne Uje …..Gjykates =vampir …….

    1. ervin says:

      Ty patosi, te ka zene ndonjeher halli te shkosh ne gjykata , dhe me pas konstatuar te gjitha keto qe the, apo flasim si e ema Zeqos nga maja e thanes, duke mos ditur asgje se cfare ndodh.
      Gjyqtaret vampir!!!! Nuk i justifikoj ata qe korruptohen ne dhenien e vendimit, por me thuaj ne cfare sektori shteteror sot nuk ka korrupsion, Cfare sherbimi shteteror mer ti dhe nuk paguan nen dore?!!!
      Sa per gjyqtaret , te garantoj se kane kusure plot, si dhe te garantoj se shume te pafajshem denohen kot, pasi gjyqtarin se mbron askush dhe jo vetem qe e paragjykojne por edhe e sulmojne sa here qe jep drejtesi. pse nuk ngrihet dikush dhe te godase gjyqsorin pse jep denime per te pafajshmit.
      Megjithate te garantoj se po ta njohesh me mire sistemin, gjykata, jo i gjithe gjyqsori eshte organi me pak i korruptuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje