Gjykata e Krimeve të Rënda shtyn gjyqin ndaj Arben Frrokut, të akuzuarit për vrasjen e ish-komisarit Dritan Lamaj. Shtyrja e seancës gjyqësore u bë pasi mungonin familjarët e ish-komisarit të ndjerë Dritan Lamajt të cilët do të pyeteshin për ngjarjen.
Sot do të dëshmonte bashkëshortja e kryepolicit, Anila Lamaj dhe të afërmit Esmeralda Lamaj dhe Rediana Meci. Vetë i pandehuri Arben Frroku ka folur gjatë seancës, e cila ka zgjatur vetëm pak minuta, duke u shprehur se është i pafajshëm dhe po mbahet në burg pa të drejtë. Ai ka kërkuar që gjatë seancës tjetër të japë shpjegime në lidhje me ngjarjen.
Ndërsa gjykata i dha kohë prokurorit të thërrasë dëshmitarët e akuzës, avokati i Arben Frrokut kërkoi që seanca të vijojë me dëshmitarët e mbrojtjes por kjo nuk u pranua nga trupi gjykues i cili e shtyu seancën për më datën 15 prill në orën 09:00.
Ndërkohë në seancën e kaluar Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi që udhëtimi i biznesmenit, Arben Frroku, nga Tirana në Korçë, të ribëhet. Mbrojtja kërkoi një eksperiment, ku udhëtimi do të fillojë nga vendi ku u vra komisar Dritan Lamaj,vepër për të cilën akuzohet biznesmeni dhe do të përfundojë në pikën kufitare të Kapshticës.
Arben Frroku, është i dyshuari kryesor i akuzës për atentatin e 24 shkurtit ku Dritan Lamaj u vra përpara banesës së tij. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendim të datës 26.02.2013, ka caktuar ndaj Frrokut, masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”.