Zgjedhjet në Maqedoni: Opozita nuk do njohë rezultatin, shqiptarët me sytë nga Gruevski

27 Prill 2014, 19:12Rajoni TEMA
Zgjedhjet në Maqedoni: Opozita nuk do njohë rezultatin,

Zgjedhjet në Maqedoni u mbyllën pas një procesi të akuzuar si i manipuluar nga opozita maqedonase dhe plot pritshmëri nga dy partitë shqiptare për të qenë secila më vete aleate e Gruevskit.

Këto janë zgjedhjet e pesta presidenciale pas pavarësisë së vendit. Në garën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare janë 14 lista prej të cilave 5 koalicione dhe 9 parti politike të maqedonasve dhe shqiptarëve me gjithsejt 1.402 kandidatë, që po garojnë për 123 vende deputetësh në Parlamentin e Vendit.

Tre deputetë do të zgjidhen nga diaspora, e cila dje votoi nëpër përfaqësitë diplomatike në tre zonat zgjedhore Evropë, SHBA – Kanada dhe Australi. Të drejtë e vote kanë 1.780.128 votues, që do të votojnë në 3480 vendvotime në gjithë vendin. Zgjedhjet po vëzhgohen nga një numër i madh vëzhguesish vendor dhe ndërkombëtar. Sipas KSHZ-së zyrtarisht janë të akredituar 9.952 vëzhgues vendor dhe 550 vëzhgues të huaj, me numër më të madh OSBE/ODIHR si dhe 283 përkthyes.

 

Parregullsi të panjohura më parë

Vëzhguesit raportuan një sër parregullsish deri dhe në akuza për prodhim kutish votimi fallco. Në Kisella Vodë, një kuti votimi ka mbrri në mes të rrugës, duke habitur qytetarët. Një shkelje e tillë, e pa parë ndonjëherë në historinë e zgjedhjeve në Maqedoni, lë shenjën e mungesës së seriozitetit nga autoritet. Një skandal po bën xhiro nëpër vend, por përmes rrjeteve sociale.

Shkelja e radhës, ka qenë ajo e aktivistëve partiakë, të cilët kanë dalë me lista në dorë para vendvotimeve të ndryshme. Pamjet që shikoni vijnë nga Shtipi, edhe pse fenomeni është vërejtur thuajse anembanë Maqedonisë. Në vide shihet qartë se si dy aktivistë, kontrollojnë daljen e qytetarëve në votime, me listën zgjedhorë në dorë.

Parregullsi të tjera janë regjistrua gjithashtu anembanë Maqedonisë, dhe sikurse në zgjedhjet e kaluara lokale, raundin e parë presidencial, ashtu edhe tani, kryefjala kanë qenë banorët e Pustecit. Media të ndryshme kanë regjistruar banorë të Pustecit të transportuar me autobusë e furgonë, disa prej tyre me targa të Shqipërisë. Për dallim nga zgjedhjet e kaluara lokale, kur ata u përqendruan në Komunën Qendër, sot Pustecasit raportohet të kenë votuar në Aerodrom, Butel, Prespë, Kërçovë dhe vende të ndryshme të Maqedonisë. Madje, sipas organizatës Civil, janë vërejtur banorë të Pustecit të cilët gjatë ditës së djeshme kanë votuar në ambasadën në Tiranë për deputetin e diasporës, ndërsa sot kanë votuar edhe në Maqedoni.

Shkelje serioze edhe në Ljubancë të Shkupit. Sipas organizatës Civil, në këtë vendbanim kanë votuar edhe persona të mitur pa të drejtë vote. Nëpër rrjetet sociale kanë xhiruar edhe fotografi që dëshmonin se si aktivistë të dyshuar të VMRO-së, kanë blerë votën, me para, apo qoftë me një hamburger. Gjithashtu janë regjistruar edhe disa raste të votimeve familjare, leximit të emrave të votuesve me zë, presione dhe frikësime ndaj votuesve dhe shpërdorime të tjera lokale.

 

Opozita nuk njeh zgjedhjet

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev menjeherë pas mbylljes së kutive të votimit bëri të ditur se partia më e madhe opozitare nuk do të njeh këtë proces zgjedhor, as të zgjedhjeve parlamentare dhe as presidencialet, pavarësisht rezultatit. Zaev ka numëruar një sërë manipulimesh dhe keqpërdorimesh jo vetëm në ditën e zgjedhjeve, por në të gjithë procedurën zgjedhore, përfshi edhe fushatën dhe elementet e tjera.

Zgjedhjet e dyfishta LSDM-ja i ka quajtur zgjedhje kriminale, ndërsa ka kërkuar formimin e një qeverie teknike e cila do të organizojë sërish zgjedhje fer dhe demokratike. Në këto zgjedhje sipas tij, nuk ka ngelur asnjë nen i Kodit Zgjedhor pa u shkelur, bashkë me normat e Kodit Penal që kanë të bëjnë me zgjedhjet. VMRO DPMNE-ja nga ana tjetër, zgjedhjet i ka vlerësuar më të mira se në cilindo vend skandinav.

 

Shqiptarët, secili shpreson të jetë në qeveri

 

Pres të kemi zgjedhje korrekte dhe demokratike në atmosferë të qetë, jo siç ishte para dy javësh në zgjedhjet presidenciale kur kishim atmosferë katastrofike me kërcënime dhe presione ndaj votuesve, deklaroi kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi pas votimit në vendvotimin  1961/1 në Kopshtin e vjetër – Tetovë.

 

“Vazhdon gjendja e njohur e vendeve të zakonshme, si Zajaz, Osllomej dhe Kërçovë, ku kishte tentim nga oponenti ynë politik që me votim grupor dhe familjar të arrijnë rezultat të mirë, por ne tani për tani me sukses i parandaluam. Pres qeveri të re, shpresë të re dhe gjëra të mira për Maqedoninë”, tha Thaçi.

Ndërkohë kryetari i BDI, Ali Ahmeti ka deklaruar se qeverisja e re nuk mund të injoroj fitimtarët e vërtet të shqiptarëve, duke nënkuptuar partinë e tij.

Ngelet në dorë të Gruevskit të zgjedh se cila prej pèartive shqiptare do të jetë partnere e tij.

2 komente në “Zgjedhjet në Maqedoni: Opozita nuk do njohë rezultatin, shqiptarët me sytë nga Gruevski”

  1. Neorealizmi says:

    Nese i ferkohen Gruevskit per ndonje kocke, si nje front i perbashket mund te arrijne ndonje kocke me te madhe. Keshtu me tha nje plak i motçem e i mençur.

  2. Kabashi says:

    Me partite shqiptare tash Gruevski ben pazar, kush i lepihet me shume, kush i perkulet me teper e merr ne qeveri, kurse shqiptaret mbetet te hahen e grinden mes veti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje