Është momenti i Jahmir Hykës. Mesfushori i Kombëtares shqiptare po shkëlqen te Luzerni në Zvicër me lojërat e zhvilluara, ndaj reflektorët kanë rënë natyrshëm mbi të. Së fundmi, mediat vendëse (sport.ch) bëjnë me dije se Hyka është vënë nën vëzhgimin e kampionëve të Bazelit.
Këta të fundit kanë arritur të marrin nga FC Vinterthur mesfushorin 24-vjeçar Luka Zufi, i cili kërkohej me ngulm edhe nga trajneri i Luzernit, Karlos Berneger, por me shumë gjasa do ta japin sërish në huazim. Në këtë këndvështrim, një opsion i mundshëm në merkato shihet edhe mesfushori shqiptar, të cilit i përfundon kontrata në fund të sezonit të ardhshëm.
I pyetur në konferencën për shtyp, para ndeshjes me Sionin, Hyka nuk ka dhënë asnjë koment, duke pohuar se nuk ishte në dijeni të këtij fakti.
“Për mua është e rëndësishme që të bëj mirë te Luzerni dhe të mund të arrijmë objektivin primar: pjesëmarrjen në Ligën e Europës. Për t’ia arritur, duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet e mbetura, duke filluar nga përballja me Sionin”, – ka thënë mesfushori kuqezi.
Sipas kësaj media, tekniku i Luzernit donte ta afronte Luka Zufin që më pas të mund të shiste në një klub më të madh Hykën, duke sjellë të ardhura në arkën e klubit nga kartoni i shqiptarit. Gjithsesi, skenari që po përgatit trajneri ka gjasa që të realizohet, por vetëm nëse Luzerni do mund të marrë pjesë në Ligën e Europës, një dritare e mirë kjo për shumë futbollistë.
Aktualisht skuadra e Hykës renditet në vend të 4-t (4 skuadra shkojnë në Kupat e Europës nga kampionati zviceran; dy të parat në Champions dhe dy të tjerat në Ligën e Europës), me tri pikë e larguar nga Thuni i vendit të pestë. Pesë javë nga fundi i sezonit do të mjaftonin që Luzerni ta ruante këtë pozicion për të luajtur në Europë. Në këtë këndvështrim, skuadra do duhet të bëjë mirë në përballjet ndaj Sionit, Lozanës dhe Thunit në fushën e vet, si dhe kundër Bazelit e Grasshopersit në transfertë. Kujtojmë që Jahmir Hyka kaloi në 2011-2012 te kjo skuadër (nga Tirana), me të cilën numëron më shumë se 90 ndeshje në tre sezone, duke shënuar edhe shtatë gola.
Amon se ju te Temes te boni me qesh me keto lajme.Se di ku i gjeni qe Hyka shkelqen tel Luzern…Do me behej qefi te ishte keshtu, por realiteti eshte krejt ndryshe.Hyka luan me pikatore tek skuadra ku eshte tani.E vetmja gje qe une shoh e mbase dhe gabohem..traineri i Bazel-it me perpara ka qene tel Luzera ku kishte dhe Hyken e qe e aktivizonte me shume.Por qe Hyka shkelqen eshte shume larg..