A do të respektohet “tradita” e fund sezonit në futbollin shqiptar?!

1 Maj 2014, 19:04Sport TEMA

Si çdo sezon, javët dhe ndeshjet e fundit të sezonit në futbollin shqiptar nuk i shpëtojnë zërave, thashethemeve apo aleancave aspak sportive mes skuadrave e presidentëve, që shpesh herë janë vërtetuar nga fusha. Këtë “traditë” e ka respektuar deri diku edhe edicioni aktual, ku rezultatet e disa ndeshjeve kanë qenë të qartë shumë më herët se shkelmimi i topave të parë.

Kur kanë mbetur edhe dy javë për t’u luajtur në Kategorinë Superiore si dhe finalja e Kupës së Shqipërisë, por mbi të gjitha pas ndeshjeve të së mërkurës për javën e 31-të, sipas “thashethemeve” që kanë filluar të qarkullojnë rëndom, gara për Ligën e Europës mund të vendoset nga skenarë të denjë për filma hollivudianë.

Le ta qartësojmë situatën.

Kukësi i vendit të dytë pritet ta ruajë pozitën aktuale (dhe pjesëmarrjen në Europë) deri në fund, pasi të dielën pret Lushnjen e rënë matematikisht në Kategorinë e Parë, ndërsa në javën e fundit kalendari e vendos virtualisht përballë Bylisit të përjashtuar. 6 pikë të sigurta për verilindorët, që pritet të konfirmohen nënkampionë.

Partizani i vendit të tretë ka 50 pikë. Të dielën pret Skënderbeun tashmë kampion, ndërsa në javën e 33-të shkon në Lushnje.

Laçi i katërt është në kuotën e 48 pikëve dhe pas dy ditësh luan në shtëpi me Kastriotin, kurse kampionatin e mbyll në Korçë me Skënderbeun.

Teuta e vendit të pestë është në të njëjtën kuotë me kurbinasit, në javën e 32-të i ka tri pikët e sigurta, pasi sipas kalendarit pret Bylsin. Në javën e fundit durrsakët luajnë në “Loro Boriçi” me Vllazninë.

Në garë për një vend në Ligën e Europës është edhe Flamurtari, me vlonjatët që duhet të fitojnë finalen e Kupës së Shqipërisë (me Kukësin) për të siguruar pjesëmarrjen në kompeticionin kontinental. Nëse trofeun e dytë për nga rëndësia e fiton Kukësi, atëherë në turin e parë të Ligës së Europës kualifikohet vendi i katërt në kampionat.

Gjithmonë sipas “thashethemeve”, janë dy të panjohurat e njohura e këtij ekuacioni, X dhe Y, që mund (pritet) të ndikojnë direkt për disa skuadra dhe indirekt për disa të tjera në garën për Ligën e Europës. Po t’i hedhësh një sy klasifikimit, përballjeve të dy javëve të mbetura dhe po të bësh një llogari shqiptarçe me laps e letër (ndoshta i ka kaluar koha), të gjithë mund të dalin në përfundimin se ka skuadër/skuadra në vendet 3-5, e cila/të cilat mund ta pësojnë nga ndikimi i kombinuar në ekuacion i të panjohurave X dhe Y dhe mund të mbeten jashtë Europës për sezonin e ardhshëm.

Kampionati mbyllet më 10 maj, finalja e kupës luhet më 17 maj. E panjohura e parë, X-i, mund (pritet) të jetë e vlefshme vetëm për dy javët e fundit, ndërsa e dyta, Y-i, mund (pritet) të bëhet vendimtare në finalen e kupës.

Një gjë është e sigurtë, si çdo sezon në futbollin shqiptar. Mund (pritet) që mos të vendosë vetëm fusha se cila/cilat skuadra do të luajnë në Ligën e Europës dhe cila/cilat do të jetë e detyruar pranojë “traditën” dhe të ndjekin Botërorin e Brazilit…

4 komente në “A do të respektohet “tradita” e fund sezonit në futbollin shqiptar?!”

  1. KULUFI says:

    E çfare na the me kete shkrim?
    Dihet qe ne futboll ka te tilla gjera. Po mendoja se kishe gjetur ekuacionin me dy te panjohura.

    Ne kete forme si e ke shkruajtur,jo vetem qe si gjete dot te panjohurat e tua( X dhe Y) por e ke renduar aq shume situaten sa do te duhej edhe gjysma e alfabetit per ti perdorur si te panjohura.

    Renditja perfundimtare eshte kjo

    1-Skenderbeu-61 pike
    2-Partizani -56 pike
    3-Kukesi -55 pike
    4-Laci -51 pike
    5-Teuta -51 pike

    Finalja e Kupes fitohet nga Kukesi dhe ne ndeshjet Europiane do te luajne: Skenderbeu, Partizani dhe Kukesi.

    1. Colo says:

      Qenke ne autobusin e Murinjos akoma

  2. Felix says:

    Po sigurisht qe do respektohet tradita,ne shqiptaret jemi njerez me seder, traditat i respektojme…pse cna di ne ti zoti gazetar se jemi anglez,gjerman,spanjoll etj ,njeres pa tradita

  3. ju lutem mos doni te dyshoni ne traditen tone?? ju lutem mos na e hiqni kete te drejte. ne jemi shume trdicionaliste & korrupsionaliste. po na ihoqet keta dy virtu nuk na njohin me… e kemi si targe identifikimi..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje