Ramush Haradinaj e dinte se Gjykata e Hagës po hetonte për veprimtarinë e tij gjatë luftës para se të bëhej kryeministër i Kosovës.
LDK dhe AAK, në fund të vitit 2004, vendosën që t’ia besojnë qeverinë Haradinajt me gjithë faktin se e dinin për mundësinë që puna e tij do të mund të ndërpritej si pasojë e një akt-akuze për krime lufte.
Këtë fakt e zbulon Soren Jesen Petersen, ish-shefi i UNMIK-ut, në parathënien që e ka shkruar në librin për Haradinajn, i cili do të publikohet sot nga autori Michael O’Reilly, “Haga e Ramush Haradinajt”.
Ky i fundit ka qenë avokati mbrojtës i Haradinajt në Tribunalin e Hagës.
Tre muaj pas emërimit, Haradinaj dha dorëheqje pasi edhe zyrtarisht u bë akt-padi ndaj tij për krime lufte në Gjykatën e Hagës.
“Kur u informova për herë të parë për emërimin e tij si kryeministër i Kosovës pas zgjedhjeve në vjeshtën e vitit 2004, i thashë se isha informuar se ai, ashtu si të tjerë kosovarë, ishte marrë në pyetje nga gjykata mbi aktivitetet e kryera gjatë luftës dhe se, nëse do të akuzohej apo paditej për këto aktivitete, edhe pse në kohën e emërimit të tij në detyrë kjo dukej një perspektivë krejt e largët, atëherë duhej të jepte menjëherë dorëheqjen e të shkonte në Hagë”, shkruan diplomati danez.
Peterson gjithashtu flet edhe për ish-kryeprokuroren e Hagës, Carla del Ponte, të cilën e quan të papërgjegjshme.
Diplomati danez thotë se ka pasur raste kur del Ponte ndërhynte në proceset integruese në BE të vendeve të Ballkanit, por më e rënda është se ajo ka bërë thirrje edhe për mosnjohjen e Kosovës nga OKB-ja, pasi kjo do t’ia ndërlikonte punën asaj me Serbinë.
“Respekti dhe mbështetja ime për Gjykatën është dobësuar disi me kalimin e kohës, sidomos për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të Karla Del Pontes. Qysh në krye të herës, ajo e trajtoi gjykatën si çifligun e saj, duke injoruar këshillat e kolegëve mbi nevojën dhe mënyrën e zhvillimit të padive dhe aktakuzave për krime lufte. Edhe më shqetësues është fakti se ajo fuste vazhdimisht hundët në proceset politike, si për shembull duke u bërë thirrje shteteve të Bashkimit Evropian të mos fillonin ose të ndërprisnin negociatat për anëtarësim me shtetet e Ballkanit Perëndimor, që nuk po “hidhnin vallen me ritmin e saj”, si dhe duke i bërë drejtpërdrejt thirrje Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara të mos njihte pavarësinë e Kosovës pasi kjo do t’ia ndërlikonte asaj përpjekjet për të arritur bashkëpunimin me autoritetet e Serbisë për dorëzimin e serbëve të akuzuar për krime lufte”, shkruan ndër të tjera Soren Jesen Petersen./ZERI