Presidenti i AKR-së, Bexhet Pacolli po ndjek nga jashtë zhvillimet e fundit në Kosovë.
Ai është prononcuar pak çaste më parë rreth mundësisë që Parlamenti të shpërndahet nesër dhe vendit të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Pacolli nuk dëshiron zgjedhje tani.
“Jemi plotësisht të zhgënjyer për faktin që zgjedhjet po planifikohen të mbahen në një kohë kaq të shpejte, pa reformë zgjedhore dhe pa përgatitjet më elementare nga KQZ”, thotë zëvendëskryeministri Pacolli.
“Këto zgjedhje shkojnë në favor për partitë e mëdha dhe hapin rrugën për manipulim të zgjedhjeve dhe deformim të vullnetit të qytetarëve. Megjithatë në çfarëdo rrethane, AKR është e gatshme dhe me plot besim për fitore. Në zgjedhjet lokale bëmë diferencën në Gjakovë dhe Mitrovicë. Reformat ekonomike atje veç kanë filluar dhe kjo frymë është motivi i AKR-së për të bërë ndryshime në tërë Kosovën”, shtoi ai./Express