Asamblea Parlamentare e SEECP/Meta: Hap madhor për bashkëpunimin mes vendeve të rajonit

10 Maj 2014, 13:10Politika TEMA

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta e cilësoi themelimin e Asamblesë Parlamentare të SEECP si një hap madhor në thellimin e bashkëpunimit parlamentar të rajonit tonë. Meta morri pjesë në hapjen e punimeve të Trojkës së Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Bukuresht. Në këtë takim, Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga një delegacion parlamentar, Taulant Balla, Esmeralda Shkjau dhe Pirro Kapurani.

Pasi falenderoi Kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Rumanisë, Valeriu Zgonea, Meta shprehu mirënjohjen për përpjekjet që kulmuan me inaugurimin e Asamblesë Parlamentare.

Kryetari i Kuvendit u shpreh se themelimi i Asamblesë Parlamentare të SEECP, konfirmon përmbushjen e kushteve bazë për transformimin e dimensionit parlamentar të SEECP.  Meta shtoi se Asambleja Parlamentare e SEECP, do të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e Parlamenteve në procesin e harmonizimit të kuadrit legjislativ me atë të ‘Aquis Communautaire’.

“Themelimi i Asamblesë Parlamentare të SEECP këtu në Bukuresht përfaqëson një hap madhor përpara në thellimin e bashkëpunimit parlamentar në rajonin tonë. Jam i lumtur që kemi konfirmuar sot bashkërisht se kushtet bazë për transformimin e dimensionit parlamentar në Asamblenë Parlamentare të SEECP janë përmbushur. Asambleja Parlamentare e SEECP përfaqëson një mekanizëm të rëndësishëm që do të luajë një rol domethënës në mbështetje të Parlamenteve tona në procesin e harmonizimit të kuadrit legjislativ me atë të ‘Aquis Communautaire’ përmes shkëmbimit të praktikave më të mira, njohurive dhe eksperiencave me Parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Europian”, tha Meta.

Kryetari i Kuvendit shprehu bindjen se Asambleja e re parlamentare do të promovojë bashkëpunimin efikas me iniciativa të tjera rajonale.

“Kjo Asamble e re parlamentare do të kontribuojë në thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar rajonal dhe do të promovojë më tej bashkëpunimin efikas me iniciativa të tjera rajonale, veçanërisht me ato të makro-rajoneve të BE-së”, theksoi ai.

Presidenti i Dhomës së Deputetëve theksoi rëndësinë e rritjes së marrëdhënieve të bashkëpunimit midis shteteve të Europës Juglindore në kontekstin e zhvillimeve në rajon.

“Ajo që po ndodh këto ditë në Bukuresht është një moment historik për Rumaninë dhe për vendet e tjera të rajonit . Ne të gjithë e dimë se kjo pjesë e Ballkanit ka qenë gjithmonë e shqetësuar nga tensionet dhe konfliktet . Sot është hera e parë që të 12 vendet në rajon kanë thënë se do të shkojnë së bashku në të njëjtën rrugë. Vetëm së bashku ne mund të kontribuojmë në përparimin e të gjithë rajonit. Vetëm së bashku ne mund të promovojmë interesat e përbashkëta në forcimin e stabilitetit dhe të sigurisë në Ballkan dhe të sigurojmë një perspektivë europiane dhe euroatlantike për të gjitha vendet e Evropës Jug – Lindore”, tha Zgonea.

Delegacionet parlamentare që marrin pjesë janë nga Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Maqedonia, Rumania, Serbia , Turqia, Bosnjë dhe Herzegovina, Kroacia, Moldavia, Mali i Zi dhe Sllovenia. Në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore, që po zhvillohet në Bukuresht, me kërkesë të palës shqiptare në seancën inauguruese mori pjesë si i ftuar special dhe  Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje