Partia Demokratike do ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese në lidhje me vendimin e marrë në seancën plenare të ditës së enjte, ku me votat e mazhorancës u rrëzua kërkesa e Partisë Demokratike për një Komisioni të ri Hetimor për trafikun e drogës. Deputetët demokratë konfirmojnë se javën e ardhshme do të depozitohet në Kushtetuese ankimimi mbi këtë vendim të Kuvendit. Burime nga Partia Demokratike konfirmojnë për ‘TEMA’ se ky rast është i njëllojtë me kërkesën që PD paraqiti muaj më parë në Kuvend për ngritjen e Komisionit Hetimor për serverin e tatimeve, për të cilën Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtën opozitës në kërkesën e saj për ngritjen e komisionit.
“Janë dy raste njësoj, kur mazhoranca i ka refuzuar për të njëjtën arsye, që çështja është nën hetim nga Prokuroria. Edhe në rastin e serverit të tatimeve, edhe në këtë rast të trafikut të drogës me avion, argument sepse mazhoranca nuk pranon kërkesën kushtetuese të opozitës për ngritjen e komisionit hetimor ka të bëjë pikërisht me hetimin që ka nisur organi i akuzës. Gjykata Kushtetuese në vendimin që ka zbardhur për serverin e tatimeve është shprehur qartë se vendimi i Kuvendit bie ndesh me Kushtetutën, çka do të thotë se edhe në këtë rast do të ketë një vendim të njëjtë të Kushtetueses”, theksojnë burime nga PD.
Kërkesa e Partisë Demokratike për një hetim të ri parlamentar mbi trafikun e drogës u paraqit në Kuvend pas 10 Majit, datë në të cilën një avion sportive u kap në Divjakë, ndërsa dyshohet se përmes tij do të transportohej lëndë narkotike. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet, ndërsa janë arrestuar dy persona, piloti i avionit, njështetas Italian, dhe një shtetas shqiptar, në automjetin me të cilin udhëtonte u kap nga policia një sasi e konsiderueshme lënde narkotike kanabis sativa. Pas kësaj ngjarjeje, deputetët demokratë depozituan në Konferencën e Kryetarëve kërkesën për një komision të ri hetimor parlamentar, ndërsa përfaqësuesit e saj u tërhoqën nga komisioni hetimor i ngritur tashmë nga Kuvendi me kërkesë të Partisë Socialiste në lidhje me akuzat e hedhura në sallën e Kuvendit nga ish-Kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami për përdorimin e infrastrukturës ushtarake në trafikun e lëndëve narkotike. Në seancën e së enjtes pas më shumë se 10 orësh debate parlamentar, me shumicë votash mazhoranca rrëzoi kërkesën e opozitës për Komisionin Hetimor në argumentet se çështja është nën hetimin e prokurorisë dhe për trafikun e drogës Kuvendi ka ngritur një komisioni hetimor të kryesuar nga deputetja socialiste Ermonela Felaj.