Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit ka zhvilluar sot në Tiranë takimin e fundit konsultativ me grupet e interesit për hartimin e “Strategjisë së Zhvillimit të Turizmit për periudhën 2014 – 2020”.
Në fjalën e saj, ministrja Gjermeni nënvizoi rëndësinë e këtij dokumenti të rëndësishëm politikash për turizmin . Ajo falenderoi GIZ për mbështetjen teknike në hartimin e tij.
“Duam që ky dokument politikash të jetë sa me konkret dhe real. Sfida jonë e përbashkët ngelet zbatimi i strategjisë që do të kërkojë mirëkoordinimin e qeverisë qendrore, njësive vendore dhe sektorit privat”, është shprehur ministrja.
Draft-strategjia finale do të pasurohet me komentet dhe sugjerimet e dhëna gjatë gjithë procesit të konsultimeve që nisi në qytetin e Beratit për të vazhduar më pas me Vlorën dhe Lezhën.
“Në tre takimet konsultative të organizuara deri tani me grupet e interesit kemi diskutuar për tre tema kryesore: turizmi kulturor, turizmi i rërës dhe diellit, turizmi rural dhe sporteve kreative me synim përafrimin e llojeve të turizmit me destinacionet turistike. Shqipëria ka potenciale turistike te patjetërsueshme që duhen shfrytëzuar gjatë gjithë vitit”, vazhdoi më tej Gjermeni.
Ajo përmendi gjithashtu të gjitha iniciativat e ndërmarra nga qeveria për turizmin.
“Projektligji për turizmin është dërguar në Këshillin e Ministrave dhe brenda sesionit të parë të parlamentit pritet të miratohet. Ky projektligji i ri u hartua falë bashkëpunimit me sektorin privat. Po ashtu, së bashku me Organizatën Botërore të Turizmit kemi organizuar një trajnim të përbashkët me Bankën Qendrore, Instat, Drejtorinë e Kufirit dhe Migracionit për të ofruar një përqasje të përbashkët në mbledhjen dhe analizimin e statistikave në sektorin e turizmit. Gjithashtu me Universitetin e Harvard-it jemi duke hartuar një paketë me lehtësira fiskale dhe administrative për sektorin e turizmit”, përfundoi Gjermeni.
Ju pergezoj per punen qe po beni…Uroj qe te jete nje strategji qe do i sherbeje sa me mire te jete e mundur, sektorit te turizmit.. E di, qe nk eshte nje proces i lehte…perkundrazi…Por besoj shume tek JU.