Amnistia/Ligjet rrëzojnë amendamentin e PD për vjedhjen e votës

3 Qershor 2014, 15:37Politika TEMA

Deputetët e maxhorancës në Komisionin parlamentar të Ligjeve rrëzojnë propozimin e një grupi deputetësh të Partisë Demokratike, për një ndryshim në ligjin “Për dhënie amnistie”. Një nga nismëtarët e këtij ndryshimi, deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi kërkoi miratimin e kësaj nisme për të ndaluar inkurajimin e vjedhjes së votës.

“Amnistia është një prerogativë e parlamentit dhe nuk hyn në të drejtat e individëve. Parlamenti ka të drejtë ta rikthejë këtë dispozitë tek ndalimet ‘për amnistinë’ duke i hequr prokurorisë çdo lloj pengese për të riçelur çështjen dhe për të filluar hetimin penal për veprën përkatëse”, tha Bylykbashi, ndërsa ftoi deputetët e shumicës që t’i bashkohen këtij amendamenti për t’i vënë fre këtij fenomeni negativ për të ardhmen.

Relatori i pr/ligjit deputeti Vexhi Muçmata tha se nisma është haptazi në kundërshtim me Kushtetutën dhe si e tillë nuk mund të miratohet.

“Një ligj i korpusit të së drejtës penale, siç është ligji “Për amnistinë”, mund të ketë fuqi prapavepruese, vetëm atëherë kur ka efekt favorizues për subjektin e veprës penale apo të dënuarit. Në rastin konkret dispozita e nenit 2 të këtij pr/ligji që kërkon që fuqia e tij juridike të shtrihet më pas në kohë në momentin hyrjes në fuqi të ligjit, është haptas në kundërshtim me një parim kushtetues dhe si i tillë nuk mund të miratohet. Kjo për shkak se subjektet që tashmë kanë përfituar nga zbatimi i ligjit, pasi kanë qenë në ndjekje penale si të dyshuar për kryerjen e një kundërvajtjeje penale, nuk mund të bëhen objekt i efekteve prapavepruese të një ligji më të ashpër, jo favorizues penal, siç është ai që propozohet nga kolegët deputetë”, tha relatori Muçmataj.

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili u shpreh se kjo është një çështje teknike dhe nuk është problem politik, duke kërkuar që propozuesit të rishikojnë propozimin e tyre.

“Në propozim thuhet se problemi këtu është zbardhja. Qenka një problem teknik, nuk është as politik. As jemi thirrur për të shprehur një qëndrim politik pasi e kemi shprehur të gjithë bashkë në dakordësinë që kemi gjetur dhe që pohohet dhe nga propozuesit. Kjo nismë përmbajtjen e ka minimale, pa polemikë fare qesharake. Sepse për një zbardhje ligji nuk miratojmë një nismë ligjore që do 84 vota”, tha Vasili.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj u shpreh se janë të gjitha arsyet politike, kushtetuese, ligjore dhe procedurale për të mos e miratuar këtë iniciativë.

“Nisma, sa është një nonsens juridik dhe kushtetues, po aq mund të thuhet se është dhe një gafë profesionale apo dhe shprehje e mungesës së integritetit dhe koherencës politike të propozuesve. Ligji “Për dhënie amnistie”, është miratuar në mënyrë konsensuale”, tha Xhafaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje