Dëmi i një premtimi të pambajtur

5 Qershor 2014, 20:01Blog TEMA

Nga Ian Techau*

 

Ndoshta është shumë vonë për arsyetime. Ndoshta dinamika e një argumenti për demokracinë false nuk mund të rikthehet nën kontroll. Por megjithatë, më lejoni ta provoj. Eshtë shumë e rëndësishme për të hequr dorë tani. Sigurisht, e kam fjalën për zgjedhjet e Parlamentit Europian të 22-25 majit dhe debatin se kush duhet të jetë president i ardhshëm i Komisionit Europian. Gjatë javës së fundit, ky debat është bërë, nga “irritues”, në “i çmendur”.

Skandali nuk qëndron në faktin që krerët e shteteve dhe qeverive të BE – Këshilli Europian – po përpiqen të gjejnë një kandidat presidencial për komisionin, që të ketë mbështetjen e plotë të sa më shumë shteteve që të jetë e mundur. Skandali qëndron në faktin që një përpjekje për rrëmbim kompetencash nga ana e Parlamentit Europian u arrit t’u shitej me sukses votuesve dhe intelektualëve si përmirësim i demokracisë në Europë. Dhe tani që realitetet ligjorë dhe politikë kanë nxjerrë në pah bllofin e parlamentit, po ata njerëz që ishin aq naivë sa ta “hanin” këtë histori, po akuzojnë ata që duhet të rregullojnë këtë rrëmujë se janë antidemokratikë.

Gjithçka nisi me idenë e keqkonceptuar të kandidatëve të partive paneuropiane për president të komisionit. Ideja ishte po aq me qëllim të mirë, sa ishte edhe e nevojshme: për të sjellë një politizim aq të nevojshëm të zgjedhjeve europiane në të gjithë kufijtë. Duke paraqitur kandidatë presidencialë nga secila parti, strategët besonin se mund të mobilizonin votuesit në të gjithë kontinentin dhe mund t’i bënin zgjedhjet më paneuropiane.

Dhe për ta bërë idenë më joshëse, duhej shpikur dicka tjetër. Liderët e grupeve të partive në Parlamentin Europian panë që u erdhi “zogu” në dorë. Po sikur të deklaronin ashtu thjeshtë, pa ndonjë bazë mbi traktatet ekzistues, se grupi që do të fitonte zgjedhjet për parlament do të emëronte automatikisht kandidatin për president?

Avantazhi i kësaj strategjie nuk ishte vetëm që krijonte përshtypjen sikur votuesit kishin diçka për të vendosur në këto zgjedhje. Plani do i jepte gjithashtu parlamentit kompetenca shumë të mëdha, ekstraligjore, për të emëruar kandidatin për presidencën e komisionit, një e drejtë që Traktati i Lisbonës ia jep Këshillit Europian.

Në një vrull për t’u demonstruar qëllimet e tyre të mirë votuesve potencialë, asnjë prej aktorëve politikë jashtë parlamentit nuk e vuri në provë këtë qëndrim. Të gjithë menduan se duhej të vazhdonin lojën, që të mos dukeshin si jodemokratikë. Dhe as krerët e shteteve dhe qeverive, që duhej ta kishin kundërshtuar këtë uzurpim të kompetencave që në fillim, nuk shfaqën vendosmëri. Si rezultat, edhe ata kanë një pjesë të konsiderueshme të fajit për rrëmujën ku ndodhet tani BE.

Liderët e BE zgjodhën të injorojnë faktin se kishte shumë pak gjasa që automatizmi i premtuar i “fituesi i zgjedhjeve = president komisioni” do të mund të mbijetonte. Ishte e pamundur që secili prej grupeve politikë në parlament do të mund të fitonte një shumicë të tillë që të krijonte një epërsi politike të parezistueshme. Që në krye të herës, ishte e qartë se nuk kishte unitet të mjaftueshëm mes qeverive, apo edhe brenda grupeve të partive, për të pritur që liderët e BE të ofronin mbështetjen e tyre të plotë për secilin prej dy kandidatëve.

Injorimi më i madh iu bë dëmit që një premtim i pambajtur për më shumë demokraci do i bënte një BE-je, edhe kështu të “njollosur”.

Rezultati ishte një “fatkeqësi” e parashikueshme. Njerëzit që besuan në atë premtim tani ndihen të tradhëtuar, ndonëse BE ndodhet në një situatë kushtetuese shumë të qartë. Eshtë pikërisht situata që parashikon Traktati i Lisbonës: nuk ka automatizëm në përzgjedhjen e presidentit të komisionit, por një kompromis të negociuar me kujdes mes shteteve anëtarë dhe parlamentit.

Çdo gjë është ashtu si duhej të ishte, ndonëse asgjë nuk është më si më parë. Dëmi është bërë. Shumë votues të zemëruar, politikanë, intelektualë dhe gazetarë – shumica me shumë pak njohuri për mënyrën ligjore dhe politike të funksionimit të BE-së – kanë krijuar një furtunë zemërimi dhe kritikash kundër atyre që tani përpiqen ta përballojnë situatën ashtu si paraqitet.

Kushdo që guxon të thotë se automatizmi i premtuar nuk mund të funksionojë, dhe që ishte një rreng që në krye të herës, akuzohet se përbuz demokracinë, madje edhe prish vetë themelet e BE.

Por, e kundërta është e vërtetë: ata që dëmtojnë demokracinë dhe e diskreditojnë më shumë BE-në nuk janë ata që këmbëngulin për një proces ligjor. Janë ata që nisën një lojë për pushtet, e cila nuk ngrihej as mbi realitetet politike dhe as ata ligjorë të BE-së.

Eshtë e vërtetë që Europa ka nevojë për reforma masive demokratike për të rritur legjitimitetin e saj. Ka nevojë për konkurencë politike në formën e zgjedhjeve reale paneuropiane, bazuar në lista partiake dhe me një çmim politik domethënës për t’u fituar. (Për mendimin tim, zgjedhjet duhet të jenë një votim për presidentin e Këshillit Europian, jo për presidentin e komisionit, por kjo është tjetër histori). Parlamenti duhet të bëhet më i përgjegjshëm dhe të japë më shumë llogari. Vetëm atëherë i duhet dhënë e drejtë e plotë për të hartuar legjislacionin e BE.

Europa ka shumë nevojë për një politizim. Por cdo përpjekje për ta bërë Europën më politike kërkon themelet institucionalë që mund të kanalizojnë dinamizmin e konkurencës së politizuar drejt një procesi produktiv dhe të qëndrueshëm. BE nuk ka nevojë për lëshimin e pakontrolluar të fuqive elektorale që më pas shkojnë drejt një zbrazëtie institucionale, duke krijuar kështu zhgënjim dhe zemërim. Dhe sigurisht nuk ka nevojë për një Parlament Europian që i jep vetes kompetenca jashtë kuadrit ligjor të Unionit.

Nuk po flas për Jean-Claude Junckerin apo Martin Schulzin, kandidatët për president të të djathtëve dhe socialistëve. E kam fjalën që duhet të tregojmë respekt për ngrehinën konstitucionale të Traktatit të Lisbonës, sic u ratifikua nga të gjithë vendet anëtarë dhe nga Parlamenti Europian. Sipas kësaj strukture, nuk ekziston asnjë lloj automatizmi për emërimin e presidentit të komisionit. Krerët e shteteve dhe qeverive të BE propozojnë një kandidat duke negociuar një kompromis. Më pas, parlamenti zgjedh kandidatin.

Le të respektojmë rregullat – më pas t’i ndryshojmë me shpejtësi, me qëllim që demokracia e vërtetë të ketë një shans në Europë.

*Techau është drejtor i Carnegie Europe, “European center of the Carnegie Endoëment for International Peace”

Përshtatur në shqip nga bota.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje