Gjosha vizitë në Britaninë e Madhe/ Lidington: Mbështesim zgjerimin e BE, por në bazë të meritave

10 Qershor 2014, 13:46Politika TEMA

Ministrja e Integrimt Evropian Klajda Gjosha, e cila  ndodhet për një vizitë zyrtare pune në Mbretërinë e Bashkuar, zhvilloi takime me Ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane, David Lidington dhe Ministrin e Shtetit për Çështjet e Drejtësisë dhe të Drejtave Civile, Simon Hughes.

Theksi i këtyre takimeve ishin reformat që po ndërmerren në funksion të zhvillimit të vendit dhe progresit në axhendën evropiane.

Gjatë takimit me Ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane, David Lidington, ministrja Gjosha e informoi mbi masat e marra nga Qeveria shqiptare sidomos në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe reformën në drejtësi.

“Vendimi pozitiv i Këshillit të Ministrave të BE-së, do të ishte një sinjal i rëndësishëm motivues për Shqipërinë, për të ecur përpara në rrugën e saj drejt BE-së, duke ndikuar në krijimin e një klime me pozitive për vendin”, u shpreh ministrja Gjosha.

Lidington u shpreh se Anglia mbështet politikën e zgjerimit në BE, dhe aspiratën e Shqipërisë për të qenë pjesë e Unionit, por kjo duhet të jetë e bazuar në evidence të arritjeve konkrete pra në bazë të meritave të një vendi.

“Jemi duke studiuar me vëmendje progres-raportin e Komisionit Evropian dhe do të marrim një vendim pasi të nxjerrim përfundimet tona”, u shpreh ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane Lidington.

Ministrja e Integrimit Evropian zhvilloi gjithashtu një takim me ministrin e Shtetit për Çështjet e Drejtësisë dhe Të Drejtave Civile, Simon Hughes.

Ministrja falënderoi në emër të qeverisë shqiptare, mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Shqipërisë si dhe informoi ministrin mbi reformën në drejtësi dhe sfidat që e presin vendin në funksion të kësaj reforme.

“Bashkëpunimi me komisionin e Venecias ka qenë mjaft i rëndësishëm për mbarëvajtjen e reformës në drejtësi të cilën ne jemi të vendosur ta zbatojmë në të gjitha hallkat e saj. Është një reformë të cilën qeveria shqiptare e sheh si të domosdoshme për konsolidimin e demokracisë në vend”, u shpreh ministrja Gjosha.

Ministrja theksoi se qeveria shqiptare shpreson të thellohet më tej bashkëpunimi me Mbretërinë Bashkuar duke përmendur, Marrëveshjen për transferimin e të burgosurve dhe ndihmën e dhënë nga Anglia me anë të misionit Pameca 3.

Hughes vlerësoi vizitën dhe angazhimin e qeverisë për të çuar përpara reformat. Ai shtoi se bashkëpunimi në nivel dypalësh duhet të shtohet. “Stafet respektive mund të krijojnë kontakte të drejtpërdrejta, në këtë mënyrë pala angleze mund të japë ndihmën e saj në çdo kohë”, tha Ministri i Shtetit për Çështjet e Drejtësisë dhe të Drejtave Civile të Anglisë.

Takimin e fundit gjatë vizitës së saj në Mbretërinë e Bashkuar, ministrja  Gjosha e zhvilloi me Drejtorin e Përgjithshëm të Emigracionit dhe Grupit të Politikave Ndërkombëtare, Mike Anderson.

Ai vlerësoi vizitën e Ministres së Integrimit Evropian dhe u shpreh se Shqipëria po ecën në rrugën e duhur.

“Jemi të prirur të shohim rezultatet dhe jemi duke studiuar me kujdes progres-raportin. Vizita që patëm në Tiranë para pak javësh ishe me mjaft interes për të parë nga afër punën e qeverisë”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Emigracionit dhe Grupit të Politikave Ndërkombëtare.

Ministrja Gjosha e informoi mbi planin e masave të ndërmarra nga qeveria gjatë këtyre muajve, duke rikonfirmuar angazhimin e saj për vijimësinë e të gjitha reformave që i shërbejnë vendit.

“Progres-raporti i Komisionit Evropian, vlerësoi progresin e shënuar deri tani, por për ne ky raport është një nxitje edhe më e madhe që të mos ndalemi për asnjë cast dhe të vazhdojmë me vendosmëri t’i afrohemi Bashkimit Evropian”, tha ministrja Gjosha

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje