Kunati teston ambasadorët për statusin

11 Qershor 2014, 21:41Antena TEMA

Sa më shumë po afron dita që mund të merret statusi, aq më shumë janë shtuar telashet për Kunatin. Ai ka luftë në dy fronte. E para, që Doktorit të mos i duket që Luli është i qetë pse po merret statusi. Ky është një mision i vështirë. Ai do orë e minutë lajme se si mund të dështojë. Është aq i mërzitur me këtë çështje, sa kush duket i gëzuar për statusin, mund të përjashtohet nga partia.

Problemi i dytë janë ambasadorët. Tek ata duhet të duket i gëzuar. Por edhe kjo nuk është aq e lehtë. Duke ndenjur gjithë ditën në një mjedis ku luten të mos merret statusi, sado aktor të jetë Luli, nuk e ka aq të lehtë sa të duket i gëzuar kur i takon ata.

Kështu ndodhi dhe sot.

Luli vendosi t’u japë një drekë ambasadorëve të BE dhe t’u shprehte atyre mbështetjen për statusin. Ndërkohë gjatë drekës do përpiqej të kuptonte edhe nëse ata e kishin kuptuar që Luli nuk e kishte me gjithë mend këtë kërkesë.

Kështu kaloi dreka dhe Luli erdhi tek zyra e Kunatit të raportonte.

-Hë, si t’u duk, i tha Kunati.

-Më duket se do ta marrim statusin, i tha Luli.

-Çfarë të thanë ndonjë gjë interesante, i tha Kunati.

-Më lavdëruan Majlindën shumë, tha Luli. Më thanë jemi shumë të kënaqur me punën e saj dhe kjo është meritë e opozitës. Nëse doni të jenë krenar për statusin, avancojeni zonjën Bregu në PD.

-Çfarë u the ti, pyeti Kunati i trembur.

-I thashë që në PD çdo gjë bëhet me zgjedhje të lira dhe me vullnetin e anëtarëve. E kanë ata në dorë, u thashë.

U tall një nga ambasadorët, më tha ‘mos ia lini në dorë çdo gjë anëtarëve dhe zgjedhjeve të lira, se mund të votojnë kundër zonjës Bregu dhe do të dukeni sikur e keni partinë anti-perëndimore. Ndonjë gjest mund ta bëni dhe vetë’.

-Epo e paska kuptuar që jemi kundër, tha Kunati.

-Me siguri e ka kuptuar, tha Luli. Më bënë dhe një provokim tjetër.

-Çfarë, tha Kunati.

-Më thanë kur të merret statusi, në ceremoni bashkë me Ramën do vish ti apo zoti Berisha? Nuk dija çfarë t’u thosha. U thashë do ta diskutoj me zotin Berisha dhe do marrim një vendim. Ata qeshën.

-Ore, vërtet se kjo gjë qenka problem, tha Kunati. Doktori do shkojë apo ti?

-Po mirë është të shkojë Doktori, tha Luli, por kjo gjë do më ulë shumë pikët në parti.

-Por ama, po shkove ti, rreziku është më i madh, tha Kunati, se mund të të heqin fare.

-Po pra, ky është halli, tha Luli, nuk di si t’ia bëj. Ata të dy pyetjet i kishin provokuese.

-E gjeta, tha Kunati. Unë them të shkoni të dy. Ashtu s’ka ç’bën as Doktori.

-Shkojmë mo shkojmë, tha Luli, po puna është kush do caktojë vendet në tribunë. Se Doktori i bie të jetë i katërti pas Ramës, Metës dhe meje. Unë do t’i ha prapë kusuret.

3 komente në “Kunati teston ambasadorët për statusin”

  1. coku says:

    lulush! i treti dhe i teti eshte keq. numeroje vete po nuk e besove.

  2. Vangjush Dako says:

    E ke gabim ore cok. lulushi eshte me shkolle dhe pervoje holandeze. Ne holande kur te hyn i treti ose i teti eshte fat dhe kenaqesi e madhe!

  3. ivani i madh says:

    te dy do te shkoni po ti deri tek dera se do ta mbash per krahu qe mos bjere ose cadren nqf te se bie shi apo eshte vape .Dhe do ta presesh deri sa te dale si qen i bindur e besnik qe je. Del dot keria para gomarit si mendon ti z kunat.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje