Opozita kundërshtoi p/ligjin “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj” të ndryshuar, duke e cilësuar draftin si një përpjekje e Kryeministrit për të marrë në dorë tregun e sigurimeve. Gjatë seancës parlamentare, deputetët e opozitës akuzuan Qeverinë se nuk ka realizuar planin e të ardhurave dhe vijon me demagogji. Sipas opozitës, Qeveria është përgjegjëse edhe për grevat dhe protestat e organizuara për shkak të premtimeve që ka bërë dhe mosmbajtjen e tyre. Deputeti demokrat Sherefedin Shehu akuzoi Qeverinë se po pushton institucionet duke e shitur këtë si reformë, madje duke përdorur emrat e FMN-së dhe Bankës Botërore.
“Sot ne po shqyrtojmë një projektligj i cili ka si objekt të tij rritjen e pagave të autoritetit mbikqyrës së institucioneve jo bankare. Vjen në një moment shumë të pa përshtatshëm kur vendi është në krizë dhe qeveria nuk po qeverisë. Popullsisë së pa punë sot qeveria i sjell një akt që rrit pagat e një grupi që po përpiqet të uzurpojë këtë institucion. Në vend të reformave vetëm fjalë asnjë gjë që shihet dhe që preket. Ka pasur vetëm pasiguri dhe papunësi. Për bizneset ka pasur rritje taksash dhe goditje selektive. Dy javë më parë Kryeministri miratoi ligjin me të cilin pushtoi institucionin autoritetit të mbikëqyrjes financiare. Kryeministri sot ka sjellë një ligj që në fakt është një urdhër që do rrisë pagat e drejtorit që Kryeministri e ka menduar se kush do jetë dhe e ka menduar që të marrë në dorë tregun e sigurimeve. Justifikimi më i mirë është që këtë pushtim të institucioneve ta shesim si reformë duke përdorur emrat e FMN dhe BB”, u shpreh Shehu.
Por sipas ligjvënësit demokrat në të vërtetë ky është vetëm keqpërdorim i emrit të këtyre institucioneve.
“Banka Botërore nuk ka konsideruar si kritike pagat e këtij institucioni. Kryeministri ka zgjedhur drejtorin e tij por ai nuk ka paguar postin pa rritur pagën. Kryeministri po rrit pagën e këtij drejtori dhe ironizon qytetarët. Me këtë akt kryeministri po tallet dhe u bën kërshillëk qytetarëve që çdo ditë i shohim para Kuvendit që presin të takojnë deputetët e PS-së dhe LSI-së për të gjetur një vend pune. Ky akt përbën edhe një kërcënim për administratën publike”, theksoi Shehu.
Deputetja e PD-së Jorida Tabaku akuzoi Qeverin në për uljen në pikiatë të investimeve dhe rritjen e numrit të të papunëve. Në fjalën e saj në Kuvend, gjithashtu ligjvënësja demokrate akuzoi Qeverinë se nuk ka përmbushur asnjë nga kushtet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“Një pjesë të madhe të ligjeve dhe detyrimeve sa i takon ristrukturimit të sektorit financiar ishin gati. Dhe ne kemi dhënë mendime dhe jemi shprehur pro. Por për këtë ligj nuk mund të jemi pro, pasi është uzurpim i radhës të një institucioni tjetër. Qeveria ka bombarduar me lajme pozitive sa i takon nivelit ekonomik. Pas marrëveshjes me FMN duhet se qeveria i realizoj premtimet, por asgjë nuk ndodhi. Qeveria po “furnizon” me lajme ilegale, që lidhen me reformat e pensioneve, uljen e taksave, por pas këtyre fshihet e kundërta. U premtua se do shlyhej borxhi ndaj bizneseve, por kjo s’ka ndodhur. Qeveria rriti akcizat, dhe taksën e cigareve, i rrëmbeu kompetencën pushtetit vendor për mbledhjen e taksave dhe çfarë ndodhi? Të ardhurat e biznesit kanë rënë me 64 për qind, pra 110 milionë. A mund të na thotë dikush nga qeveria se çfarë ka ndodhur me biznesin e vogël? Paketa fiskale ka dështuar në formalizimin e ekonomisë. Këtë vit është shtuar tatimi mbi vlerën e shtuar. Paketat fiskale kanë nevojë për rishikime. Bashkë me këto do dëgjojmë dhe rritjen e energjisë elektrike, të pensionit, zëvendësimin e konceptit të pensionin minimal”, tha Tabaku.
Sipas saj, të ardhurat nga sigurimet shoqërore kanë qenë në ulje, ndërsa ekonomia ka humbur 40 mijë vende pune.
Deputetja Jozefina Topalli i ka cilësuar manekinë që urdhërohen nga kryeministri Rama, ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri dhe ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli. Sipas saj të dy ministrat duhet të ishin larguar nga posti, Tahiri pas daljes sms-së me Kryeministrin Rama, ndërsa ministrja Kodheli sepse gënjeu për akuzat ndaj ish ministrit Imami.
“Kjo mazhorancë parlamentin e përdor vetëm për uzurpim institucionesh. Që socialistët përfaqësohen nga njerëz jo socialistë, të paarsimuar, kjo është fyese. As kjo nuk është më e keqja. Mesa duket nuk ka mbërritur ende fundi. Përtej kësaj salle larg nga Blloku, “Rogneri” e “Sheratoni”, zhvillohet një realitet tjetër. Një ekonomist i huaj ua ka dhënë përgjigjen se do dështoi me 98% për nihilizmin e Ramës. Po të mos vjedhësh të thonë budalla. Po të thuash të vërteta të thonë ekstremist. Po të protestosh të kërcënojnë. Dy ditë më parë opinioni u trondit nga një ngjarje e rëndë në mes të Bllokut ku trupi i pa jetë i vajzës qëndroi në rrugë 30 minuta në pritje të ambulancës dhe policisë që kurrë nuk mbërrijnë. Kaq shumë kanë degraduar gjërat. Gënjeshtra është emri më elegant që mund ti vihet një qeverie që e ka mbytur droga. Çarë do ndodhte në një vend tjetër nëse ministri kapet me sms si rasti i Tahirit me Ramën? Largohet nga detyra. Por kur ministrja ka gënjyer për akuzat ndaj paraardhësit të saj? normalisht shkarkohet. Pse nuk janë larguar? Ja u them unë pse. Këta nuk janë ministra janë manekinë që thonë e bëjnë çfarë u thotë bosi i tyre. Një grup njerëzish po pasurohen të tjetër po varfërohen në rënie të lirë pa u ndalur”, u shpreh Topalli.
Deputeti socialist Ervin Koçi tha se ndryshimi i ligjit është në harmoni me paketën ligjore për sistemin financiar bankar dhe në përputhje me rekomandimet e BE-së, për forcimin e pavarësisë së institucioneve që mbikëqyrin këtë sektor. Në këtë kuadër ai sqaroi se AMF me ligjin e miratuar në vitin 2006 i është dhënë e drejta që të ushtrojë në mënyrë të pavarur kompetencat në shpërndarjen dhe përdorimin e fondeve që ajo administron, si dhe strukturën e saj organizative. Sipas tij, ligji “Për pagat e shpërblimet”, i heq të drejtën AMF-së që të veprojë sipas ligjit të saj organic ndaj dhe përshtatja e legjislacionit për organizimin institucional në strukturën e pagave dhe shpërblimeve është qëllimi i ligjit të ri për AMF-në.
Në vijim deputetët socialistë duke mbrojtur draftin u shprehën se p/ligji garanton pavarësinë e një prej institucioneve financiare në vend, për nga rëndësia i dyti në rradhë.
“Po diskutohet në mënyrë disfatiste, populiste dhe shqetësohen pse do rritet me 1 lekë rroga e një shqiptari që do të punojë në AMF. Përmes këtij drafti ne kompletojmë paketën e ligjeve dhe krijojmë kushtet e një mirëfunksionimi të këtij institucioni”, iu drejtua deputeti Anastas Angjeli deputetëve demokratë.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj duke reaguar në lidhje me deklaratat e disa ligjvënësve demokratë tha se çmimet e barnave u ulën, por opozita i lexon mbrapsht statistikat.
Deputeti Erion Braçe e ka cilësuar projektligjin “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura të krijuara me ligj” të ndryshuar”.
“Janë përpjekje për të futur në binarë tregun sigurimeve shoqërore. Dëgjuat ish kryeministrin e vendit dhe ish kryetaren e Kuvendit që të flasin për pushtim të institucionit. Shikoni përbërjen e këtij institucioni, shikoni se do gjeni kunatën, votonte për kunatën e tij për ta bërë kryetare të tij. Marrëdhënie të pastër klienteliste nga e cila ka bërë para nga votat e asaj mazhorance. Ky është autoriteti i mbikëqyrjes financiare sot. Pasoja është shumë e qartë është ai treg i sigurimeve që e keni të gjithë në vëmendje dhe ka sjellë një rrisk më të shtuar. Nga 7 anëtarë e kemi ulur me 5 anëtarë. Dhe me 5 veta që duhet të sillte qeveria e keni tkurrur qeverinë në 2 anëtarë. Dëgjova pak më parë që ne pasi e pushtojmë institucionin duam tu rrisim rrogat atyre njerëzve. Pse gënjeni. Janë të qarta referencat që na kanë detyruar të shkojmë në riformatim të bordit. Do e hartojë dhe miratojë vetë buxhetin. Do ta miratojë vet strukturën. Duam ta nxjerrim jashtë binarëve partiak autoritetin e mbikëqyrjes financiare”, tha Brace.
Ligji i ndryshuar i jep të drejtën AMF-se që të vendosë rrogat dhe shpërblimet e punonjësve pa kufizim nga hierarkia kombëtare e pagave. Ne kete menyre, AMF bëhet institucioni i dytë në Shqipëri, pas Bankës Qendrore, që fiton të drejtën të shpenzojë para publike për paga, pa kufizim ligjor.
Debati për FA
Një tjetër debat në sallën e Kuvendit ishte ai për ligjin në Forcat e Armatosura, të cilin opozita e kundërshton me pretendimin se cënohen kompetencat e Presidentit të Republikës. Debati është shoqëruar me akuza të ashpra, që kanë pasur sërisht protagonist ish-Kryeministrin Sali Berisha.
Berisha
“Kjo që asistojmë sot është një veprim ndër më të papërgjegjshmit, sulmi më i egër që i është bërë Forcave të Armatosura, është akti më i papërgjegjshëm që kryhet ndaj këtyre forcave, të cilat me gjithë problematikën e madhe të trashëguar, por duhet t’ju jemi mirënjohës se kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme në interes të vendit, dhanë kontribut rrënjësor në NATO. Me ardhjen në pushtet të mister vrerit dhe urrejtjes filloi shpërbërja e institucioneve, policisë së shtetit dhe FA. Ku jeni sot ju që shkritë policinë rrugore? 180 të vdekur më shumë këto muaj, ju që shkritë policinë kriminale se kishte dosjet e lidhjeve tuaja me krimin, janë rritur vrasjet dhe është shumëfishuar trafiku i drogës”, tha Berisha.
Më tej Berisha akuzoi Ramën se vodhi pronat e ushtrisë.
“Në kohën tonë, FA nuk i kemi përzierë me politikën. Pas 23 vitesh lexoni deklaratën e gjeneral Bazes si vërsulet si stalinist kundër opozitës. Ky servil absolut i nxjerr dhëmbët opozitës. Gaboni rëndë, i them mbyllni dhëmbët se ju thyejmë nofullat. Po të dalësh në emër te Ramës dhe Mimit dhe të gënjesh për NATO. Në këtë sallë u mbrojtën eksponentë të drogës me ushtrinë, ne nuk themi për ushtrinë por për qeverinë, por kur gjenerali detyrohet nga qeveria të bëjë deklarata kundër opozitës, kjo ndodh vetëm këtu. Ky është modeli i Asadit, ku komandantit të përgjithshëm i janë hequr kompetencat”, tha më tej Berisha.
Ish-Kryeministri ka përmendur më tej arrestimin e gjeneralit Syrja Gjoka, veprim që e ka krahasuar me arrestimin e gjeneralëve të ushtrisë shqiptare në vitet 1970 nga Enver Hoxha.
“Unë do të të them ty ndrikull një gjë. Ajo motra jote, unë i dhashë përgjigje zyrtare ambasadës së SHBA-së për reagimin, por ajo ka ndjekur si shtrigë çështjen e Syrja Gjokës, dhe përveç përgjigjes sime zyrtare, miqësisht dua t’u them secilit, mos e vër dorën kurrë në zjarr për Mimin dhe Albën se do të digjen duart e buzët. Kjo është e vërteta. Ajo e ka bërë dhe unë i qëndroj asaj. Do i faktoj qeverisë amerikane edhe me të gjitha mundësitë, por kaq është, unë nuk ngutem, është në natyrën time”, tha Berisha nga foltorja e Kuvendit,ku po diskutoheshin 3 ligjet e karrierës së FA-së.
Kodheli
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka prezantuar ligjin e ri për karrierën ushtarake dhe u ka kërkuar deputetëve të Kuvendit ta miratojnë.
“Meritë e ligjit është ndryshimi rrënjësor i strukturës së gradave. Misioni i ligjit aktual është vendosja e sistemit të karrierës mbi kritere profesionale. Trupat e oficerëve dhe nën oficerëve janë vërtet profesioniste. Ligji i ri rrit kohën e qëndrimit në FA. Projektligji i ri synon që në komisionet e karrierës të përfshihen edhe nënoficerë.”, sqaroi Kodheli.
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli duke prezantuar risitë e këtij drafti tha se ai synon të korrigjojë disa nga problemet e konstatuara gjatë zbatimit të ligjit aktual. Ndër të tjera, pr/ligji bën të mundur rritjen e moshës për dalje në rezervë/lirim të ushtarakëve të karrierës për gradat e oficerëve nga major e lart dhe gradat e nënoficerëve nga rreshter e lart. Risitë e këtij pr/ligji konsistojnë në rritjen e kohës së qëndrimit të ushtarakëve në shërbimin aktiv në ushtri; ndarjen e qartë të shërbimit ushtarak në dy kategori, në shërbimin e përkohshëm dhe në shërbimin e karrierës; krijimin e kategorisë së re të gradave për specialitetet në FA; zgjerimin e mundësive të karrierës për ushtarët; përfshirjen e nënoficerëve në sistemin e vlerësimit, si dhe vendosjen e mekanizmave për ndëshkimin e apatisë profesionale. Sipas ministres Kodheli pr/ligji synon të sjellë dhe një moral të ri në ushtrinë shqiptare, bazuar në meritë, profesionalizëm dhe performancë, ku secilit t’i jepen shanse të barabarta për t’u arsimuar e kualifikuar, duke u rritur në karrierë. Ligji i ri për karrierën në ushtrinë shqiptare bazohet në praktikat më të mira të vendeve anëtare të NATO-s, duke vendosur një raport të drejtë mes rekrutimeve të reja në FA, atyre që dalin në rezeve dhe atyre që dalin në lirim.
Deputeti Fatmir Mediu është shprehur se ligji për karrierën në ushtri duhet ti përgjigjet standardeve të NATO-s.
“Dua ta bëj të qartë që në fillim që nuk jam këtu për të mbajt një diskutim politik, por për t’u përpjekur dhe gjykuar së bashku, për të bërë atë që është më e mira. Në më pak se tre muaj më vonë ne do kemi një samit të rëndësishëm të NATO-s që merr më shumë vlerë me zhvillimet në Ukrainë. Ligji është shumë i rëndësishëm se nuk ka të bëjë vetëm me modelin e FA-së. FA janë pjesë e NATO-s sot dhe duhet ti përgjigjen standardeve të saj. Duhet të jetë ndërveprueshmëria në të gjitha nivelet e saj. E nxituar që ne bëjmë lidhe pa njohur përfundimet e samitit dhe strategjinë kombëtare. Duhet domosdoshmërisht që ky Kuvend miratimin e ligjeve ta bëjë me mirëkuptim dhe konsensus politik. Së treti kur shtruam më lartë se çfarë force duam të ndërtojmë duhet ti përgjigjemi standardeve të NATO-s. Kemi një raport një oficer dy nënoficerë dhe dy ushtarë. Kërkohet një reformim i trupës së oficerëve dhe jo betonizim të tyre që mund të vijë nga ky ligj”, u shpreh Mediu.