Ligjet miratojnë ndryshimet/ Kreu i SHKB do të zgjidhet nga Kryeministri

16 Qershor 2014, 14:16Politika TEMA

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën  Publike dhe të Drejtat e Njeriut  miratoi nen për nen projektligjin “Për Shërbimin për Ankesat dhe Çështjet e Brendshme në Ministrinë e Punëve të   Brendshme”.

Shërbimi do të drejtohet nga një kandidat, i cili nuk do të zgjidhet ekluzivisht nga titullari i dikasterit siç parashikonte ndryshimi i përgatitur nga Ministria e Brendshme, por do të jetë Kryeministri ai që do të ketë fjalën e fundit. Po ashtu dhe për strukturën dhe kordinimin e punës së shërbimit, emërtimi i ri i të cilit, nuk i ka bindur deputetet, mazhoranca nuk ka preferuar t’i japë këtë kompetencë ministrit.

Mazhoranca shprehu rezerva edhe për kompetencën e SHKB për të hetuar pasuritë e pajustifikuara të policëve, e cila sipas tyre është kompetencë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. SHKB, e cila tashmë synohet të emrtohet shërbimi për Ankesat dhe Çështjet e Brendëshme në Ministrinë e Punëve të Brendëshme , sipas ministrit Tahiri, më herët është përdorur politikisht nga Qeveria e shkuar për të shantazhuar punonjësit e policisë, në varësi të dosjeve sekrete që dispononin. Relatorja e kësaj nisme Ermonela Felaj dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme diskutuan rreth disa  ndryshimeve në draftin fillestar.

Qëllimi i këtij projektligji është përmirësimi, forcimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i kapaciteteve të këtij shërbimi, organizimi i tij sipas një modeli edhe më demokratik, në zbatim të parimeve të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të individit, transparencës, kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm civil, funksionimi i plotë i përqasjes proaktive, afrimi i tij më pranë qytetarit,  aktivizimi i kontrollit civil ndaj Policisë së Shtetit, strukturës përgjegjëse për ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore dhe strukturës së mbrojtjes nga zjarri dhe për shpëtimin, përshtatja e shërbimit me ndryshimet bashkëkohore të shërbimeve homologe, shtimi i veprimtarive dhe i kompetencave ligjore, instrumenteve, teknikave, formave dhe metodave ligjore për krijimin e produkteve antikrim e antikorrupsion.

Anëtarët e Komisionit ranë dakord që ligji pritet  të hyjë në fuqi 3 muaj pas Botimit në Fletoren Zyrtare. Kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj njoftoi deputetët se miratimi në tërësi i projektligjit do të miratohet në ditët në vijim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje