Bushati lobon në Izrael për thithjen e investimeve izrealite

22 Qershor 2014, 19:39Politika TEMA

Ministri i Jashtëm Dirmir Bushati, zhvilloi një vizitë zyrtare në Izrael, në kuadrin e një lobimi diplomatik për tërheqjen e investitorëve izraelitë në Shqipëri. Gjatë vizitës,  Bushati u ftua nga Këshilli Botëror Hebre dhe Këshilli Izraelit për Marrëdhëniet me Jashtë për të prezantuar prioritetet e politikes së jashtme të Shqipërisë dhe zhvillimet më të fundit  në Ballkan.

Bushati theksoi rolin e Shqipërisë, si faktor stabilizues në rajonin e Ballkanit, si dhe përshkroi proceset transformuese të cilat Shqipëria ka ndërmarrë në kuadër të përpjekjeve për anëtarësim në BE, sidomos për sa i përket sundimit të së drejtës në ekonomi dhe politikave sektoriale, që synojnë përshpejtimin e thithjes së investimeve të huaja. Në këtë kontekst, ministri i Jashtëm u shpreh se “potenciali i marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Izrael nuk është ende i shfrytëzuar plotësisht, sidomos sa i përket fushave të identifikuara nga të dyja palët si fusha me karakter strategjik: energjia, bujqësia, infrastruktura dhe telekomunikacionet”.

Ai theksoi lidhjet e ngushta historike që bashkojnë popullin shqiptar dhe popullin hebre, lidhje që kulmuan në shpëtimin kolektiv të hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së dytë Botërore, si dëshmi jo vetëm e asaj ç’ka shqiptarët ishin të zotët të bënin, por dhe e vlerave që duhet të vazhdojnë të kultivohen në Evropë.

Në vijim, ministri Bushati iu përgjigj pyetjeve të audiencës mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën dhe vendet e rajonit si dhe mbi rëndësinë e marrjes se statusit kandidat për vendin tonë.

Një pjesë e rëndësishme e vizitës në Izrael ishte dhe ceremonia e homazheve në memorialin e Viktimave të Holokaustit (Yad Vashem), ku ministri Bushati u shpreh se: “Memoriali i Yad Vashem-it na rikujton se në Shqipëri nuk ka pasur histori të antisemitizmit. Në Shqipëri nuk do të ketë kurrë anti-semitizem. Ndihem krenar që i përkas një populli, veprat dhe vlerat e të cilit e kanë rreshtuar në anën e të drejtëve”.

Në takimet e zhvilluara me përfaqësues të Dhomës së Tregtisë së Izraelit dhe grupe të tjera të biznesit izraelit, të cilat operojnë në vendin tonë, Ministri Bushati përgëzoi punën e kryer deri tani nga Dhoma e Tregtisë Shqipëri-Izrael në dobi të rritjes së investimeve të drejtpërdrejta në vend dhe vëllimit të shkëmbimit tregtar mes dy vendeve.

Ai përshëndeti gjithashtu qasjen e komuniteteve të biznesit të të dy vendeve për t’i dhënë një dimension të ri, në nivele rajonale, bashkëpunimit me Shqipërinë, ku rol veçanërisht të rëndësishëm do të luajnë forumet e përbashkëta rajonale të cilat pritet që të zhvillohen në të ardhmen e afërt.

Në takimet e zhvilluara me përfaqësues të biznesit të inovacionit dhe teknologjisë se lartë, të cilët kanë interes të eksplorojnë tregun shqiptar, ministri Bushati bëri një prezantim të shkurtër të klimës së investimeve në vend, lehtësirave fiskale që ofron Shqipëria dhe nevojës së vendit për fillimin e aplikimit të teknologjisë së lartë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.

Ai theksoi gjithashtu se, bashkëpunimi i kompanive shqiptare me kompanitë izraelite, në fushën e teknologjisë së lartë, është i një rëndësie të veçantë për ekonominë vendase në kontekstin e përfitimit të ekspertizës për rritjen e dinamikës së efiçencës së të bërit biznes.

7 komente në “Bushati lobon në Izrael për thithjen e investimeve izrealite”

  1. Blue Jasmine says:

    Me ne fund ,qeveria po ben dicka te zgjuar e qe duhej ta kishte bere prej kohesh.

  2. fani says:

    Vendet arabe kane mbetur alternativat per investimes!!

  3. talla says:

    Arabia Sautite mund te jete investues i mire!!

    1. Blue Jasmine says:

      Prape me Arabine ju ??? Ata po shqyejne njeri-tjetrin e ju keni shprese se po ndihmojne dike pa interes???
      Pastaj pervecse prapambetje dhe ligjet e shiriatit nuk kane cfare te ofrojne carcafet e callmat.

  4. palla says:

    Hajdutet do te lobojne!!

  5. shpetim says:

    Bushati po e kryen rolin e kryediplomatit ne menyren me te mire te mundshme.
    Bashkepunimi me Izraelin mund te jete me shume perfitime jo vetem ne fushen e teknologjise, por edhe ne turizem dhe bujqsi.
    Investitoret izraelit mund te japin nje impakt ne hapjen e shume vendeve pune.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje