Një Botëror për t’u harruar për anglezët në fushë, por edhe jashtë saj gjërat nuk duken shumë mirë. Me shpresën se kombëtarja e “Tre Luanëve” do të kishte sukses në Brazil, një kompani tentoi të përfitonte nga rasti, por dështoi në mënyrën më spektakolare.
Ideja ishte shumë e bukur për tifozët, të cilët do të shoqëronin pijet gjatë ndeshjes me filxhanin e heroit të tyre, vetëm se njëri prej modeleve rezultoi me një gafë trashanike.
Në vend të Kris Smalling, fare pa lidhje në mbi 2 mijë filxhanë ishte stampuar fytyra e presidentit amerikan, Barak Obama. Kompania sigurisht që e kapi në kohë gabimin, por e trashi edhe më shumë në sqarimin që u dërgoi shitësve.
Në letër thuhej se porosia kishte kaluar në duart e një punonjësi fillestar, i cili pëlqen regbinë më shumë se futbolli dhe imazhin e Kris Smalling e kishte kërkuar në Google. Aty ishte ngatërruar dhe kishte zgjedhur për printim fytyrën e presidentit Obama. Gafa më pas i kishte shpëtuar bosit të madh, pasi ky i fundit kishte kaluar një natë shumë të ngarkuar duke luajtur poker e kështu Obama përfundoi si lojtar i kombëtares angleze në filxhan.
Mes gjithë këtij lëmshi, interesant është fakti që tani këto filxhanë po kërkohen më shumë se çdo model tjetër. Të ketë qënë vallë një strategji e qëllimshme e kompanisë për të tërhequr vëmendjen e për t’i shitur menjëherë? Gjithçka mund të ndodhë….