Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati prezantoi në seancën plenare në Kuvend p/ligjin “Për miratimin e strategjisë së sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë”.
“Dokumenti që pret miratimin sot i drejtohet jo vetëm institucioneve, por të githë shoqërisë shqiptare për të siguruar mobilizim gjithpërfshirës për të garantuar sigurinë kmbëtare”, sqaroi Bushati.
Sipas Ministrit të Jashtëm, “strategjia e re e sigurisë kombëtare vazhdon me praktikën më të mirë të strategjisë ndërkombëtare dhe të aleatëve. Ajo mbështetet në konceptimin strategjik të NATO-s dhe të organizmave ndërkombëtarë si OSBE, ku Shqipëria aderon”.
“Strategjia ka në themel bashkëpunimin. Ajo mbështetet në një qasje të bashkëpunimit me partnerët strategjikë e orientohet nga perceptimi i prioriteteve themelore. Me anë të kësaj strategjie parashtrohen prioritetet kritike të përcaktuara qartë”, tha Bushati.
Sipas Bushatit “strategjia bazohet në reforma në të gjithë komponentet e sigurisë. Forcon bazat e një sistemi funksional të sigurisë kombëtare të Shqipërisë, duke kërkuar një siguri të organizuar”.
Ai tha se “strategjia bazohet në dy shtylla, modernizimi dhe transparenca, duke u mundësuar llogaridhënia për sigurinë e vendit dhe shpenzimin e të ardhurave të taksapaguesve shqiptarë”.
“Në 10- vjeçarin e fundit vëmë re një trend në rritje të kërcënimeve konvencionale. Vendi sot përballet me një mjedis strategjik të ndryshëm me atë të 10 viteve më parë”, theksoi ministri Bushati.
Duke folur në emër të Grupit Parlamentar të LSI-së, deputeti Luan Rama vlerësoi dokumentin e strategjisë së sigurisë kombëtare, duke theksuar se ajo është e lidhur dhe me sigurinë poliitke dhe ekonomike të vendit. Luan Rama tha se sot në botë siguria kombëtare merr një rëndësi të veçantë, pasi ajo nuk shihet e lidhur vetëm me sigurinë e brendshme apo të jashtme, por konsiderohet një proces i lidhur me qytetarët.
Nisur nga kjo, shtoi ai, në seancën e sotme duhet të ishte e pranishme dhe opozita. Rama vlerësoi seriozitetin e Kuvendit në shqyrtimin e këtij dokumenti, duke e konsideruar një qasje të re e të përgjegjshmërisë ndaj çështjes së sigurisë kombëtare, ndërsa vërejti se ky dokument ka mbetur në periferi të vëmendjes mediatike.
“Sot me termin siguri kombëtare nuk nënkuptohet ai tradicionali që lidhet me fushën ushtarake, por kjo ka një shtrirje më të gjerë pasi lidhet dhe me sigurinë politike dhe ekonomike. Ndaj strategjia e sigurisë kombëtare sot është një dokument kornizë që një vend ofron për shtetin dhe qytetarët e vet”, tha ai.