Kuvendi përcaktohet si hallka e parë ndër autoritetet e drejtimit dhe komandimit strategjik të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Kjo përcaktohet në ligjin mjaft të debatueshëm për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit të komandimit të FA-ve. Ligji parashikon hierarkinë e autoriteteve të drejtimit dhe komandimit strategjik të FA-ve, ku pas Kuvendit të Shqipërisë, renditen Presidenti Republikës, Këshilli i Ministrave, Kryeministri, Ministri i Mbrojtjes, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
Ligji parashikon kompetencat e të gjithë autoriteteve të drejtimit të komandimit, përfshi këtu edhe Presidentin, Kryeministrin apo Këshillin e Ministrave. Objekt i këtij ligji është përcaktimi i pushteteve dhe autoriteteve të drejtimit e të komandimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e pushteteve e të kufizimeve të tyre, të autoriteteve, përgjegjësive, roleve dhe funksioneve të institucioneve dhe organeve të përfshira në sigurimin e mbrojtjes kombëtare të Republikës së Shqipërisë; zbatimin e parimit demokratik të kontrollit dhe drejtimit civil mbi Forcat e Armatosura; përcaktimin e përgjegjësisë strategjike dhe operacionale për drejtimin e komandimin e Forcave të Armatosura në kohë paqeje ose në rastet kur vendosen masa të jashtëzakonshme; paraqitjen e qartë të zinxhirit të drejtimit dhe të komandimit të Forcave të Armatosura në kohë paqeje ose në rastet kur vendosen masa të jashtëzakonshme.
Kompetencat e Kuvendit
Sipas ligjit, Kuvendi është autoriteti më i lartë në hierarkinë e pushteteve dhe autoriteteve të drejtimit e të komandimit strategjik të Forcave të Armatosura. Kuvendi miraton me ligj Strategjinë e Sigurisë Kombëtare dhe Strategjinë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë; ushtron kontroll parlamentar për çështje që kanë lidhje me veprimtarinë e Forcave të Armatosura; vendos, sipas legjislacionit në fuqi, për bashkëpunimin ushtarak ndërkombëtar; kur nuk është përcaktuar ndryshe në një marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar, përcakton statusin ligjor të forcave të huaja ushtarake që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë; miraton, me propozim të Këshillit të Ministrave, planet afatgjata të zhvillimit dhe modernizimit të Forcave të Armatosura; miraton numrin limit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë; vendos për aktivizimin, mobilizimin, vënien në dispozicion të burimeve njerëzore dhe materiale për përdorim nga Forcat e Armatosura në kushtet e masave të jashtëzakonshme.
Kompetencat e Presidentit
Presidenti i Republikës, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, ushtron pushtetin e dhënë nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi. Presidenti i Republikës, në kohë paqeje, e ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, ndërsa në kohë lufte i drejton Forcat e Armatosura nëpërmjet Komandantit të Forcave të Armatosura. Presidenti i Republikës, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ushtron këto kompetenca: jep gradat madhore, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes; emëron, gradon, shkarkon dhe nxjerr në rezervë ose në lirim, me propozimin e Kryeministrit, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura; emëron dhe shkarkon, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore; jep dekorata dhe tituj nderi sipas legjislacionit në fuqi; urdhëron vendosjen e shkallëve të ndryshme të gatishmërisë luftarake të Forcave të Armatosura, në kushtet e masave të jashtëzakonshme.
Gjithashtu në kompetencat e Kreut të Shtetit përfshihet edhe vendosja për mobilizimin dhe për provat e gatishmërisë së njësive ushtarake reserve, miraton regjimin, rregullat e gatishmërisë luftarake dhe ngritjen në kushtrim të Forcave të Armatosura; u jep njësive ushtarake, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, flamujt luftarakë.
Presidenti i Republikës i rekomandon Këshillit tëMinistrave masa, në varësi të nevojave për përballimin e rreziqeve që i kanosen Republikës së Shqipërisë ose përballimin e gjendjes së luftës; krijimin e njësive të reja ushtarake në Forcat e Armatosura; programe të veçanta për zhvillimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.
Kompetencat e Këshillit të Ministrave
Ligji parashikon gjithashtu kompetencat e Qeverisë mbi Forcat e Armatosura. Kështu një nga detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit të Ministrave është të përgatisë dhe të paraqesë për miratim Kuvendit Strategjinë e Sigurisë Kombëtare dhe Strategjinë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë.
Gjishashtu i propozon Kuvendit ndryshime në numrin limit të personelit të Forcave të Armatosura; miraton, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, planin e mobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm të burimeve njerëzore e materiale të vendit, gjatë periudhës për të cilën kërkohet vendosja e masave të jashtëzakonshme; përcakton pagat dhe trajtimin ekonomik të personelit ushtarak dhe civil që shërben në Forcat e Armatosura.
Po kështu, Këshilli i Ministrave përcakton afatet e shërbimit dhe të përdorimit të armatimit, municioneve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, rregullat, procedurat dhe përgjegjësitë për heqjen nga armatimi e përdorimi, si dhe trajtimin e tyre pas heqjes nga armatimi e përdorimi; organizon dhe drejton mbrojtjen civile të Republikës së Shqipërisë dhe vendos krijimin e funksionimin e shtabeve të mbrojtjes pranë qarqeve; miraton programe të veçanta për pajisjen dhe modernizimin e Forcave të Armatosura; miraton modelet e uniformave ushtarake, gradave, simboleve, flamujve dhe çdo shenje tjetër dalluese të uniformës ushtarake; miraton normat e trajtimit me uniformë të ushtarakëve; miraton normat e trajtimit me ushqim të ushtarakëve;
Kompetencat e Kryeministrit
Kryeministri, në ligjin që pritet të hyjë në fuqi pas pak ditësh, i propozon Presidentit të Republikës emërimin, gradimin, shkarkimin dhe nxjerrjen në rezervë ose lirim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Kreu i Qeverisë ka të drejtë të emërojë,lirojë dhe shkarkojë nga detyra, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, oficerët me grada madhore, përveç atyre të përcaktuar në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 3, të nenit 9, të këtij ligji. Ai komandon në një detyrë tjetër, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, për një periudhë kohe jo më shumë se 6 muaj, oficerët aktivë me grada madhore, me përjashtim të komandantëve të forcave, nxjerr në rezervë ose lirim, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, oficerët me grada madhore, me përjashtim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura; miraton, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura në kohë paqeje.
Gjithashtu Kryeministri miraton me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, strukturën organizative të Forcave të Armatosura; miraton, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, strukturën organizative dhe organikën analitike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura; miraton, listën e aerodromeve ushtarake, që mund të caktohen si aeroporte rezervë të aviacionit civil; si dhe bashkërendon punën ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes dhe institucioneve të tjera për lajmërimin e popullsisë për rreziqet e fatkeqësisë natyrore, të aksidentit teknologjik dhe për rreziqet e luftës.
Këshilli i Sigurimit Kombëtar
Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor, i cili mbështet Presidentin e Republikës në ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive kushtetuese e ligjore. Sipas ligjit, Këshilli i Sigurimit Kombëtar kryesohet nga Presidenti i Republikës dhe thirret prej tij sa herë që e gjykon të nevojshme e sipas një rendi dite të përcaktuar. Drafti parashikon që anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit Kombëtar janë: Kryetari i Kuvendit; Kryeministri; Ministri i Mbrojtjes; Ministri Punëve të Jashtme; Ministri i Drejtësisë; ministri përgjegjës për Punët e Brendshme; ministri përgjegjës për financat; ministri përgjegjës për transportin; ministri përgjegjës për energjinë; kryetari i komisionit të përhershëm parlamentar përgjegjës për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes; Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura; Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit. i) Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Por ligji parashikon që në raste të veçanta, Presidenti i Republikës mund të ftojë pjesëmarrës të tjerë. Në rast se anëtarët e Këshillit të Sigurimit Kombëtar për arsye objektive nuk mund të marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit, ata autorizojnë zëvendësit e tyre, duke marrë miratimin paraprak të Presidentit. Këshilli i Sigurimit Kombëtar diskuton dhe jep mendime për çështje të sigurisë, të mbrojtjes, të armë- kontrollit dhe për çdo çështje tjetër në fushën e sigurisë kombëtare. Këshilli i Sigurimit Kombëtar nuk merr vendime.
Përdorimi i FA gjatë gjendjes së jashtëzakonshme
Një nga nenet e ligjit për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit të komandimit të FA-ve është përdorimi i Forcave të Armatosura gjatë gjendjes së jashtëzakonshme apo në rastet e gjenjes së fatkeqësisë natyrore. Ligji parashikon që gjendja e jashtëzakonshme vendoset me ligj nga Kuvendi, sipas dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, Forcat e Armatosura, me vendim të Kuvendit, pas kërkesës së Këshillit të Ministrave, mund të ndërhyjnë për rivendosjen e rendit, vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje ta kryejnë këtë detyrë. Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme Kryeministri është drejtpërdrejt përgjegjës për drejtimin e Forcave të Armatosura, përmes hierarkisë së drejtimit e të komandimit. Pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme Kryeministri i raporton Kuvendit për përdorimin e Forcave të Armatosura gjatë kësaj periudhe. Veprimet, që ndërmerren nga Forcat e Armatosura gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, duhet të jenë në përpjesëtim me shkallën e rrezikut dhe duhet të synojnë rivendosjen sa më të shpejtë të funksionimit normal të shtetit.
Përdorimi i FA gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore
Gjendja e fatkeqësisë natyrore vendoset nga Këshilli i Ministrave, sipas dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Me vendosjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, Forcat e Armatosura, me vendim të Këshillit të Ministrave, mund të ndërhyjnë për eliminimin e pasojave të ardhura nga fatkeqësia natyrore apo aksidenti teknologjik. Gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore Kryeministri është drejtpërdrejt përgjegjës për drejtimin e Forcave të Armatosura, përmes hierarkisë së drejtimit e të komandimit.