Si mund t’i vihet pritë ndikimit të Moskës !

2 Gusht 2014, 19:30Blog TEMA

Nga Stefan Troebst

 

Propozim interesant por jorealist: Nëse Turqia do të mbyllte ngushticat detare të Bosforit dhe Dardaneleve për anijet luftarake ruse, atëherë do të neutralizohej arritja strategjike e Moskës përmes aneksimit të Krimesë ukrainase. Në foto anija USS Donald Cook duke kaluar Bosforin më 10 prill 2014. (Foto: Emrah Gurel / Keystone)

“UdSSR-ja vazhdon të jetojë ende mes ‘bllokadës armiqësore kapitaliste’, me të cilën nuk mund të ketë një bashkekzistencë paqësore afatgjatë” – kështu i telegrafonte Departamentit të Shtetit nga Moska diplomati amerikan George F. Kennan në 22 shkurt 1946. Lidhur me politikën e jashtme sovjetike Kennan dallonte “dy fusha”, konkretisht njëra “zyrtare” dhe një “fushë e nëndheshme, ku veprojnë agjentë për të cilët qeveria ruse nuk merr asnjë përgjegjësi”. Kennan ishte gjithashtu i mendimit se, “aty ku duket e mundshme dhe premtuese, Fuqia Sovjetike do të përpiqet të zgjerojë kufijtë e saj të jashtëm”. Federata Ruse e vitit 2014 nuk është më Bashkimi Sovjetik i1946-s, por një Déjà-vu është i pashmangshëm.

Mbyllja e ngushticave detare

Ç’mund të bëhet kundër politikës hegjemone, ekspansive dhe destabilizuese të Moskës? Edhe pas goditjes së avionit MH17 me rreth 300 viktima prej oficerëve të kamufluar të Shërbimit të fshehtë ushtarak rus, përfshirë falangat e tij kriminale, Bashkësia Ndërkombëtare vazhdon të ngurrojë. Veçanërisht BE-ja shmanget me kujdes sepse pasojat e sanksioneve ekonomike më të rënda do të kishin kundërveprime. Atëherë si mund të goditen pasuesit e Putin-it, pa dëmtuar drejtpërdrejt 140 milionë qytetarë të Federatës Ruse?

Nga një opsion ushtarak SHBA dhe NATO kanë hequr dorë publikisht qysh gjatë pushtimit të gadishullit ukrainas të Krimesë – taktikisht në mënyrë të parakohshme dhe joadekuate. Por a ka masa që të synojnë dobësimin ushtarak të Rusisë, pa qenë nevoja që Aleanca Transatlantike të kapërcente pragun e lejueshëm të agresionit?

Një propozim origjinal vjen nga europarlamentari gjermano-lindor Werner Schulz dhe parasheh mbylljen e ngushticave detare të Bosforit dhe Dardaneleve për anijet luftarake ruse nga ana e Turqisë, si një vend anëtar dhe bashkthemelues i NATO-s. Neni 21 i Konventës mbi Ngushticat Detare, nënshkruar në Montreux, 1936, ia jep Turqisë këtë mundësi jo vetëm në rast lufte, por edhe në rastin kur Turqia thjesht ndjehet e kercënuar. Fitorja strategjike e Moskës përmes aneksimit të Krimesë ukrainase do të neutralizohej ndjeshëm nga bllokimi i koridorit detar për anijet luftarake, pasi kështu flota ruse e Detit të Zi nuk do të kishte më rrugëdalje. Diçka e tillë do t’ia vështirësonte shumë Moskës furnizimin e të vetmes bazë detare jashtë vendit, në portin sirian Tartus.

Por, sa realiste është kjo? Fakt është se, jo vetëm ato segmente me orientim nacionalist dhe panturist të opinionit publik turk, por dhe rrethet qeveritare kanë shprehur solidaritet me tatarët myslimanë të Krimesë, meqenëse Khanati i Krimesë tatare ishte deri më 1774 pjesë e Perandorisë Osmane, dhe Republika e Turqisë e sheh veten si pasuese ligjore të kësaj ish-perandorie. Veç kësaj, në kuadër të luftës civile siriane, Ankaraja është pozicionuar qartazi kundër presidentit sirian Bashar al-Asad, i mbrojtur nga Moska. Dhe së fundi, Turqia është konkurrente e Rusisë në pjesët turqishtfolëse të Kaukazit dhe Azisë Qendrore – me interesa të kundërta në projektet energjitike dhe gazsjellëse ndërkombëtare mes Lindjes dhe Perëndimit.

Kufizim

Një akt simbolik, ndikimet politiko-ushtarake të të cilit do të tejkalonin dukshëm diversionet e deritanishme të disa avionëve luftarakë amerikanë mbi kufijtë lindorë të Polonisë, do të ishte shfuqizimi – në aktin themeltar të Këshillit NATO-Rusi 1997 – i angazhimit të Alenacës transatlantike për të “mos stacionuar në periudhë afatgjatë trupa luftarake shtesë në brezin aktual të sigurisë”. Me argumentimin se, Moska nuk i është përmbajtur parimit të sanksionuar në këtë akt themeltar: “Dorëheqje prej çdo lloj kërcënimi apo përdorim i forcës kundër kujtdo shteti tjetër, kundër sovranitetit, integritetit territorial apo pavaresisë politike të tij”, për të mos përmendur parimin tjetër: “Respektim i sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial i të gjithë shteteve si dhe pacënueshmëria e kufijve të tyre”, do të mund të shfuqizohej me plot arsye angazhimi i sipërpermendur i NATO-s. Nëse diçka e tillë do të çonte në afrimin e pjesshëm të flotës luftarake të Mbretërisë Norvegjeze, të British Airforce ose të Bundeswehr-it gjerman drejt gjireve finalndeze, në brigjet Courland të Lituanisë e Rusisë apo në distriktin liqenor Masuria të Polonisë, kjo është tjetër çështje.

Në debatin ndërkombëtar mbi agresionin rus ndaj Ukrainës, palët dhe komentatorët i tremben termit të ‘vënies pritë’ sikur djalli ujit të bekuar. Kjo nuk ka asnjë bazë, sepse vënia e kufizimeve, sipas Kennan-it, nuk është aspak një përgjigje me prirje eskaluese ndaj një zhvillimi kanosës ose një aksioni ushtarak të kryer tashmë, porse e kundërta: një absorbim i kujdesshëm i aksioneve kundërshtare brenda pragut të sipërmarrjeve ushtarake vetiake. Sipas rrethanave, kjo parashikon bisedime me karakter të pastër diplomatik, por nuk përjashton edhe reagime më të ashpra si heqja e vijave të kuqe, zhvendosje trupash dhe embargo, si edhe bllokada.

Bashkësia Ndërkombëtare duhet të reagojë më në fund e vendosur përballë shkeljeve të përsëritura të së drejtës ndërkombëtare të popujve nga ana e Moskës. Sot nuk është më nevoja e një telegrami të gjatë, siç e dërgonte Kennan me 1946 nga Moska në Washington, për të dalë në këtë konkluzion.

Shkrimet e NZZ (Neuer Zürcher Zeitung) ose ndjekja e emisioneve informative – përjashtuar televizione e radiostacione ruse e bjelloruse – janë mëse të mjaftueshme.

Shënim: Stefan Troebst është Historian dhe Profesor për Studime Kulturore të Europës Qëndrore-Lindore në Universitetin Leipzig.

Shkrimi është botuar së pari në Neuer Zürcher Zeitung, përkthehet dhe botohet shqip me lejen e autorit.

Përktheu: Raim Beluli

4 komente në “Si mund t’i vihet pritë ndikimit të Moskës !”

  1. Ladi says:

    Shume shume interesante dhe e dobishme ndoshta ne kete situate krejt apatike te sjelljes europiane..

  2. AP says:

    O Stefan , more Stefan , pash Zotin , me të vërtetë jep mësim në universitet ?! Pika universitetit që të paguan.
    Po ti , me këto që thua , është pak të të quash debil , je komplet budall !

  3. Mazllëmi says:

    Ky, “historian-profesor” Stefani, duhet të jetë nga ata “kuadrot” e Plepave…(?!) Kam dëgjuar se “prodhimi” i Plepave, ishte “aq i mbarë”, sa kishim dhe eksport…! Kot nuk thoshte Berisha, që çdo vit “eksporti” ynë, dyfishohej… Ha,ha,ha,ha,ha,…

  4. Landi says:

    Korrekt me autorin e shkrimit, nje dite lexova ne Mapo”-n e Cilit nje tekst qe ish kopjuar ng Financial Times yhe asnje fjale nuk thuhej per autorin,por vetem reklamohej si shkrim autentik i gazetes “Mapo”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje