Koalicioni LDK-AAK-NISMA, pas një takimi konsultativ të mbajtur sot, me temë vazhdimin e seancës konstituive, kanë bërë të ditur që do t’i përgjigjen thirrjes për vazhdimin e seancës.
Pas takimit është prononcuar kandidati për kryeministër i këtij koalicioni, Ramush Haradinaj, i cili ka bërë të ditur se deputetët e koalicionit LDK-AAK-NISMA do të qëndrojnë në seancë për të pritur siç tha ai dështimin e kandidatit të PDK-së, për të proceduar më pas me pikën 127 të vendimit të kushtetueses sipas të cilit deputetët duhet ta gjejnë zgjidhjen për të dalë nga ngërçi politik dhe për t’ju shmangur zgjedhjeve.
“Ne i përgjigjemi seancës, me vizion të qartë, e dimë se e drejta që i është atribuuar PDK-së dështon, sepse nuk kanë vota, dhe ne do t’i shqyrtojmë modalitetet se si të gjendet zgjidhja në parlament, sepse ne e kemi votën”, ka thënë Haradinaj pas takimit.
Ai ka shtuar se lajmet që po qarkullojnë se ky koalicion mund të heqë dorë nga posti i kryeparlamentarit për ta tejkaluar bllokadën, janë të rreme.
“Nuk ka ndryshuar asgjë brenda koalicionit. Qëndrimi ynë është i njëjti si në fillim, deputetët po ashtu, kështu që këto informata po përdorën për të krijuar konfuzion tek qytetarët”, ka thënë ai.
Ndërkaq kandidati i bllokut për kryeparlamentar, Isa Mustafa, ka mbështetur deklaratën e Haradinajt, duke i cilësuar këto siç tha ai spekulime, logjikisht të pakuptimta.
“Nuk ka kuptim që dikush ta lëshojë kryeparlamentarin dhe të marrë qeverinë, pasi që këto të dyja janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën,” ka thënë Mustafa, duke ripërsëritur se ata i kanë numrat dhe procedura e zgjedhjes së tij për kryeparlamentar do të bëhet në mënyrë plotësisht legjitime.
Ai e ka quajtur absurd vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ka shtuar se kushtetuesja nuk mund t’ju tregojë deputetëve për kë të votojnë.
“Vendimi ka qenë absurd. Mirëpo, ajo çka nuk mund ta bëjë Gjykata Kushtetuese është t’i detyrojë deputetët të votojnë sipas shijes së kushtetueses,” ka thënë Mustafa.
Koalicioni LDK-AAK-Nisma, ka paralajmëruar takime me Vetëvendosjen para vazhdimit të seancës konstituive.