Arrestime me bisht

18 Shtator 2014, 20:09Blog TEMA

Nga Naser Sertolli

 

Nëse nuk është pjesë e politikave ditore të ndokujt, operacioni i forcave të rendit dhe i gjyqësorit, i cili rezultoi me arrestimin e pesëmbëdhjetë personave, kryesisht imamë, është një veprim i duhur, ndonëse i vonuar. Kjo për faktin se dihet botërisht që shumica e hoxhallarëve të vënë në pranga, të mërkurën, xhamitë anekënd Kosovës, por edhe mikrofonat e medieve të ndryshme, i kanë shndërruar tash e sa vite në tangarë, në të cilët u fryhet prushit të ndarjeve e përçarjeve jo vetëm fetare, por edhe kombëtare, e madje edhe atyre të aspektit familjar.

Ligjet në fuqi të Republikës parashohin se secili person i arrestuar ose i dyshuar konsiderohet i pafajshëm deri në shpalljen e aktgjykimit përfundimtar, dhe ashtu duhet të shihet secili prej atyre që duarlidhur u dërguan në stacione policore. Por, që disa prej imamëve të ndaluar e kanë ushqyer ekstremizmin dhe e kanë cenuar rendin kushtetues, për ç’gjë janë vënë në pranga, kjo nuk vihet aspak në pikëpyetje. Një kërkim i thjeshtë në internet, sidomos në “Youtube”, me emrin e ndonjërit prej të prangosurve të jep me bollëk informacione se në ç’rrugë pa krye i kanë nxitur personat që e kanë ngrënë karremin dhe janë indoktrinuar prej tyre.

Duke bërë thirrje që çështje familjare, shoqërore e të tjera, të zgjidhen me Sheriat, këta imamë haptazi janë vënë në anën tjetër në raport me ligjin, pra me rendin kushtetues të vendit. Prandaj, predikimet e këtij lloji kanë qenë fakte të mjaftueshme për shtetin që t’ua tregonte me kohë vendin të gjithë atyre që çirreshin e çirren në hydbe e ballë oxhaqesh sikur të ishin në shkretëtira arabe e shpella të Tora Boras dhe thërrasin aplikim të “ligjeve” të po këtyre zonave.

Mos të flasim këtu për thirrjet, herë të kamufluara e herë ashiqare, që disa prej imamëve të arrestuar kanë bërë për luftë kundër atyre që ata i konsiderojnë si të pafe. Dhe, sidomos, të mos flasim për indoktrinimin e xhematit, në veçanti të talebëve, të cilëve në skuta të errëta të qyteteve dhe fshatrave tona u është shpëlarë truri deri në atë masë sa fyejnë figura madhore kombëtare e shkojnë në luftëra të huaja, ku kryejnë akte mizore e barbare kinse në emër të luftës së shenjtë.

Megjithatë, një mjegull e shoqëron operacionin e së mërkurës i cili, zyrtarisht, është ndërmarrë nën dyshimin se me predikimet e tyre hoxhallarët dhe të tjerët të arrestuar kanë nxitur veprime që cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës. Seriozitetin e këtij operacioni e uli përtokë publikimi i letërnjoftimit serb të njërit prej të dyshuarve të arrestuar, për të cilin u tha se i është gjetur në shtëpi gjatë bastisjes. Kujt i shërben kjo dhe a është qëllimi i autoriteteve diskreditimi i të prangosurve?

Me gjasë, ideja e këtij operacioni, i cili po të ishte i sinqertë do të duhej të përshëndetej nga e gjithë shoqëria, është nxitja e reagimit të besimtarëve të shumtë që kanë krijuar klerikët me ide ekstremiste, të cilët vite me radhë kanë vepruar pa u penguar nga udhëheqja politike e shtetit. Pra, arrestimet mund të jenë pjesë e politikave ditore, që duke krijuar një debat a problem të ri, të tërheqin vëmendjen e opinionit nga krizat institucionale, ekonomike, sociale e morale, me të cilat po përballet shoqëria kosovare.

Insha’Allah nuk është kështu, por nëse është, nuk paraqet ndonjë problem për shoqërinë tonë. Sepse, edhe ashtu nuk jemi mësuar të shohim veprime të hairit nga këta pushtetarë.

2 komente në “Arrestime me bisht”

  1. Pelasgian says:

    Vetem Ateizmi dhe Shkollimi i bene balle fes Islame qe do ti zhuse njerzit ne injorance !

    Un nje gje se kutpoj me evolucionin e njerzve ! Si eshte e mundur sesa me shume iken koha aq me shume njerzit zhuten ne injorance ????

    Islami i dijes dhe i kultures eshte shkatrruar kaq keq nga vet myslimanet .

    Mjeshtra ne Math , Al-Gjeber , Astronomi , Arkitekture, Letersi dje .

    Sot Mjeshtra ne = ZERO THINGS !

    Te mendosh qe vetem Bibloteka Islame ne Cordoba te Spanjes ka pasur me shume libra se te gjithe biblotekat e Europes se Krishter ne ate epoke do te thote se cfare ” grade ” civilizimi kishin ateher myslimanet .

    Bote e dhjere , me mire te pafe ! Skemi kuptu asigjo nga fet dhe as ate qe ato mesojne !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje