Rasti Fullani dhe “fullanizimi” i rendit tonë shoqëror

16 Shtator 2014, 20:35Blog TEMA

Nga Panajot Barka

 

Lirimi i Fullanit ishte një kronikë e paralajmëruar. Marrja e vendimit përbën në thelb vërtetimin e kapjes së kësaj pjese të drejtësisë në vend nga opozita e sotme dhe fijet e shumta të krimit. Në dukje thelbi i skanadalit ka të bëjë me lënien në burg të kryeinspektorës së BSH, gruas Golemi. Ky fakt, me pikë referimi lirimin e Fullanit, mbi të cilin rëndonin akuza të njëjta dhe përgjegjësi institucionale dhe morale më të rënda se ajo, vërteton se limitet e varësisë së drejtësisë nga interesi ekonomik apo politik nuk mund të kufizohen as nga respektimi i ligjit, as nga morali e as nga e drejta natyrale e njeriut si qenie shoqërore. Ky vendim e ktheu në minorancë të papërfillshme edhe atë pjesë të komunitetit të drejtësisë, që është identifikuar me ligjin dhe moralin human të ligjit. Zhvlerësoi prokurorinë, policinë. Injoroi politikën dhe opinionin publik. Paralizoi edhe më nervin e shoqërisë civile. Bëri njeriun e thjeshtë të mendohet mirë kur ka probleme me drejtësinë: – t’i drejtohet kësaj drejtësie apo të marrë drejtësinë në dorë të vet. Kjo është njëra anë.

Ana tjetër. Mënyra se si përcillet lajmi në publik vërteton se askush nuk guxon të shikojë realitetin tutje asaj që duket:- “kokës së Fullanit” dhe jo fenomenit B.SH. Spostimi i vëmendjes mbi fatin e z/nj. Golemi kanalizon reagimin e opioninit publik thjesht në një aspekt human dhe i krijon terren të mjaftueshëm veprimit pas kuintave. Takimi i zotit Arvizu me Metën ditën e gjyqit që liroi Fullanin dhe deklarata e tij, që kjo çështje nuk duhet politizuar si edhe lëreni drejtësinë të bëjë punën e vet, është po në këtë linjë. Askush nuk mund të besojë se ambasadori Amerikan nuk e parashikonte vendimin që do të merrte Apeli në favor të Fullanit. Marrë këshilla e tij si kërkesë për të injoruar këtë vendim të pritshëm, nuk justifikon qëndrimin e politikës. As ajo pjesë e opozitës që imponoi këtë vendim të Apelit, nuk foli. Për të justifikuar veten e trupin gjykues, pritej të thoshte të paktën “se drejtësia foli” dhe se u vërtetuan pretendimet e veta. (!) Para të gjithëve duket se zuri vend pyetja –Po tani??!

Shumica në Parlament ndjek pa devijime taktikën e vet. Të mos bjerë pre e provokimeve të asaj pjese të opozitës që u hodh në sulm për lirimin e Fullanit (pas kërcënimit të këtij të fundit se do të fliste) dhe të vazhdojë me projektin e vet për ristrukturimin e drejtimit të BSH dhe sigurimin e stabilitetit finaciar në vend. Mirëpo deklaratat e kreut të shtetit se Fullani është ende guvernator i BSH-së dhe se guvernatori i pritshëm është ekskluziviteti i tij, vërteton se projekti i qeverisë nuk do të jetë dhe aq i lehtë për t’u zbatuar. Aq më tepër po të kemi parasysh se në këtë pikë do të ndërhyjnë edhe faktorë të tjerë, të cilët ose kanë frikë se do t’u zbulohen mëkatët, ose do të kërkojnë të ruajnë pozitat dhe interesat në BSH. Duket se qeveria njeh se situata në BSH është një kancer që po të preket ai do të bëhet shumë agresiv. Por nga ana tjetër, duket se ka parasysh dhe parimin tjetër të mjekësisë se një plagë nuk mund të shërohet pa u pastruar. Si në njërin rast ashtu edhe në tjetrin, qeveria tregon maturi dhe se nuk do që të marrë ajo iniciativën, kur pritet që reaksionet vetëspastruese do të thonë fjalën e tyre, pavarësisht se të egër. Nga ana tjetër me një drejtësi të kuruptuar çdo inisiativë është e dështuar. Deri tani taktika e qeverisë në ruajtjen e interesit publik e shtetëror, edhe pse paguan një kosto politike në opinionin publik, duket rentabël. Në këtë bosht të taktikës së saj, qeveria do të dalë fituese nëse do të mbetet jasht luftës së pritshme midis palëve me interesa të pista në BSH.

Së treti. Çështja e Bankës së Shqipërisë po provokon një kërcënim për vetë demokracinë në vend. Nuk është problemi tek sëmundja paralizuese për këtë demokraci të sistemit të drejtësisë, apo të institucioneve të tjera deri tek mediat. Bashkë me të po ndodh edhe reduktimi dhe nxjerrja jashtë loje e opozitës. Drejtuesit realë të saj po u mbeten besnikë zbatimit të skemave të njohura e lehtësisht të lexueshme politike: – Organizimi në forma të ndryshme të skemave piramidale, përfshirja në to dhe fajësim të sa më shumë faktorëve politikë, sipas parimit të gëlltitjës së një luge të çorbe të prishur, (për të vjellë gjithë jetën sipas orekseve të çorbëbërësit) me qëllim, që, po u rrezikuan këto skema të rrezikohet gjithë sistemi shoqëror e shtetëror. (Së fundi bashkë me piramidat në arsimin e lartë privat, që janë mina me veprim afatgjatë, u faneps në formën e vet të rrezikshëm piramida B.SH)

Në vija të trasha, situata e tanishme sipas skemës së kësaj opozite, të kujton periudhën 1997-1998. Opozita synon t’i imponojë vendit kërcenimin e shëmbjës së një piramide të kapur nga ajo dhe pjesë krimit të organizuar. Qëllimin mundohet ta arrijë duke fajesuar qeverinë. Pas akuzave ndaj qeverisë për trafiqet e drogës, çeshtja Fullani vs Banka e Shqipërisë është varianti i dytë i së njjtës skemë. Mirëpo, nga ajo periudhë ka dallime esenciale. Aksioni nuk është pjesë e gjithë opozitës. Nuk është pjesë as e gjithë Partisë Demokratike në opozitë, por vetëm e asaj pjese rreth isht liderit de jure dhe liderit de facto të kësaj partie. Madje duket se shumë kuadro të kësaj partie e shfrytëzojnë këtë aksion për të çliruar vetën nga vatha e vjetër. Pasuesit e këtij lideri në këtë aksion u ngjajnë atyre besnikëve me 1997 që e mbronin atë për ta përdorur si mburojë për fajet e tyre. Sot, mundohet ai t’i përdorë për të mbrojtur vetën dhe rrethin e tij.

Jehona në publik është tëpër e kufizuar. Ky rreth i tkurrur, në përpjekjen e vet për t’i shërbyer kauzës së këtij lideri, demotivohet edhe më tëpër në pretendimin për të patur rol në shoqëri. Pra nuk përbën as rrymë shoqërore, e as rrymë politike, por një grupim të vogël të përbërë nga disa politikanë, disa përfaqësues medjash, disa segmente në drejtësi dhe ndonjë institucion shtetëror, të cilët nuk i bashkon një kauzë mbarëshoqërore, por fshehja e mëkatit ndaj shoqërisë e shtetit.

Mëgjithatë, kjo frymë mundohet të tërheq zvarë gjithë veprimin opozitar. Lideri i dorëhequr de jure i kësaj opozite, jo vetëm i imponoi asaj kryetarin e ri, por i imponon tani edhe qëndrimin politik. Kjo pasi, opozita nuk arriti të adoptonte një platformë politike konstruktive që do ta shkepuste nga e kaluara e afërme shumë negative, ose nga akumulimi i gabimeve të një periudhe njëret e ca vjeçare. Pas humbjës katastrofike në zgjedhjet e 2013, kjo opozitë kishte nëvojë për rishikimin e të gjithë parametrave dhe kondicionëve përbërëse të një force vitale politike. I duhej një endoskopi e përgjithshme, e thellë, e sinqertë me garim të vlerave, të aftësive, të projekteve politike. Nën frymën e liderit të vjetër kjo opozitë tentoi të arrinte unitetin e brendshëm dhe të rriste forcën politike duke u hedhur në sulm kundër shumicës së re, por duke i kërkuar llogari asaj për fajet e veta, që e rrezuan atë nga pushteti (se ato i njihte mirë). Logjikë e këtij qëndrimi është edhe bojkoti i parlamentit. Dhe po ky qëndrim po çon në demotivimin e saj edhe për kërkesa të drejta ndaj pozitës së sotme dhe në distancimin e vazhdueshëm të masës së votuesve.

Një situatë e tillë, së bashku me filtret e njohura politike në vend, kalimi i individeve dhe forcave politike nga njeri krah në tjetrin për interesa meskine e të çastit, sjell padyshim superpeshën e pozitës dhe rakitizmin ekstrem të opozitës. Kuptohet, që çdo përpjekje edhe kësaj pozite për të respektuar ligjit dhe rregullat demokratike në qeverisjen e vendit, nuk mund ta shpetojë nga tendencat voluntariste dhe egocentriste dhe për pasojë antidemokratike. Aq më tepër kur shoqëria civile, me rastin Fullani dhe sidomos me të, tregon se e humbi drejtpeshimin dhe orientimin duke përzgjedhur për vete heshtjen dhe vetëpërshtatjen.

Pra rasti Fullani me derivat Bankën e Shqipërisë është kthyer në një nyje gordiane për gjithë sistemin tonë shoqëror. Ose, rasti Fullani vetëm sa e evidentoi atë më shumë.

8 komente në “Rasti Fullani dhe “fullanizimi” i rendit tonë shoqëror”

  1. Haxhi Izeti says:

    Keta gjyqtare qenka jo vetem te koruptuar por edhe te paafte e idote .Si mundet te nxjerresh Fullanin e te mbash ate gruan.Fullani bosi I madh dhe pergjegjesi kryesor per vjedhjen pa thene se eshte hajduti lirohet ajo gruja koti mbahet ne burg ,hej pike e zeze.Idiotesi e hapur.S’ka argument apo e thene ckoqur, s’ka bythe ku te rrije.Keta gjyqtaret duhen mdjekur penalisht per vendim haptazi te padrejte dhe duhen rrasur ne vend te Fullanit ta shohin ate nga kane dale live.

  2. SE Group says:

    Fullanizimi eshte kthyer ne nje nyje gordiane per gjithe sistemin tone shoqeror http://bit.do/fullanizimi-i-rendit-tone-shoqeror

  3. TAHIRI says:

    Tash shtohen pretendimet e cen gashit per tu liru

  4. zef says:

    Respekt per Panajotin.
    Nje arsyetim shume i bukur.

  5. Vasili says:

    Autori me kete shkrim ka folur me veten. Kush ka nevoje se çfar thote nje argat.

  6. bani says:

    Prej kur ky greku po merzitet per Shqiperi?

  7. lulezim says:

    sa i dhimbset stabiliteti yne ketyre kelyshve shovene more aman!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje