“Trimi i mirë”... pa shokë shumë!

12 Shtator 2014, 19:11Blog TEMA

Nga Panajot Barka

 

Në një koment të diteve të fundit me objekt arestimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, avokati i njohur Spartak Ngjela nënvizonte idenë se: “Shoqëria shqiptare, ose është në prag të një ndryshimi të madh, ose në prag të një fundosjeje tërësore.”….

Precitimi i shpejtë i ngjarjeve në javën e fundit po e vërtetojnë Ngjelën, në planin se kemi të mbëjmë me një dilemë që prek thelbin e shoqërisë shqiptare. Nga informacioni që rrjedh në media, sidomos nga persona me lidhje të ngushta me personazhin e arrestuar, vërtetohet se tek ai kalonin të gjitha fijet e krimit shtetëror të materializuar në para, ose e kundërta. E tregoi këtë më shumë hezitimi i politikës për t’u bashkuar me zemëratën popullore ndaj Guvernatorit për skandalin në institicionin besuar atij. E tregoi gjithashtu mbrojtja pa takt e në panik nga kreu i qeverisjes së fundit 8- vjeçare dhe rrethi i tij.

Guri i provës për dilemën e Ngjelës nuk lidhet thjesht me arrestimin në fjalë, por me vendosmërinë e hallkave të shtetit të kapura nga krimi dhe politika për t’i shpëtuar këtij zinxhiri e për të hetuar e dënuar atë. Realiteti thotë se “… ndryshimi i madh” nuk mund të ndodhë së brendshmi, nga vetë strukturat e inkriminuara, nuk mund ta imponojë politika, pjesë e madhe e së cilës fle me krimin. Duhet një ballafaqim me protagonizëm të shoqërisë civile kur ka mirëkuptimin e politikës, ose kur i imponohet asaj.

Zhvillimet tregojnë se arrestimi i kreut të Bankës së Shqipërisë (me zbatimin e pjesës së dytë të skenarit për lirimin e tij), është pjesë e planit për të neutralizuar e paralizuar atë pjesë të shtetit, përfaqësuar nga kryeministri Rama, që tregon vendosmëri për të shpërbërë krimin në Shqipëri në të gjitha format e tij dhe për pasojë pjesë e planit për të ruajtur të paprekur kupolën e krimit dhe për të penguar kryeministrin në bindjen e tij për të bërë Shqipërinë shtet të vërtetë ligjor.

Me këtë objektiv, rasti i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë së kësaj vere përbën një paralele me verën e vitit 1998. Nga fundi i gushtit të 98-s, kur PD-ja sapo kishte mbushur vitin që kishte rënë nga pushteti, policia arrestoi 6 kuadro të lartë të saj me akuza jo fortë bindese, ose lehtësisht të cenueshme. Kryeministri Nano u befasua në padijeninë e tij për këto arrestime, por politikisht ishte i detyruar të pajtohej me realitetin. Nga ana e tij Berisha deklaroi pak a shumë se tani na duhet një arkivol për t’i rrëzuar socialistët nga pushteti. Pas tre javesh arkivoli i erdhi dhe grushti i shtetit thjesht sa nuk u implementua.

Berisha, taktikën e tij të njohur që anonçon vetë ato që ai ka “njohuri paraprake” se do të ndodhin, në rastin e skandalit të Bankës “paralajmëroi” se bëhet fjalë për një përpjekje të qeverisë për të kapur edhe institucionin e pavarur të Bankës së Shqipërisë, gjë që vë në rrezik stabilitetin financiar në vend.

Priste që Rama dhe mazhoranca të binin viktimë e këtyre insinuatave. Rama, edhe pse i ndodhur përballë zemëratës popullore në kërkesën për shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, edhe pse kishte një përvojë jo të mirë për imazhin e tij nga këto protesta, u distancua me referencë respektimin e ligjit dhe të institucioneve. Berisha nuk mund të pranonte këtë sfidë dhe shpesh për ta nxjerrë Ramën në fushën e vet të betejës, shkonte shumë larg në punët e errëta të Bankës, por bënte mprapsht me nxitim sapo konstatonte se shkelte në zona shumë të rrezikshme.

Në këto kushte erdhi arrestimi i Guvernatorit. Më optimistët thanë se prokuroria dha shenjat e para se u shkëput nga kapja. Të tjerë thanë se u imponua nga presioni popullor. Disa skeptikë thanë se u vu në mënyrë vullnetare në shërbim të politikës. Të tjerë më skeptikë akoma thanë se e arestuan për të mos u bërë objekt asgjësimi fizik duke vendosur kështu paralele dhe lidhje me vrasjen e Santos.

Klani i opozitës së Berishës është shumë i qartë dhe i unifikuar. Prokuroria, sipas tyre, veproi nën presionin e Ramës, i cili vetëm me arrestimin e Guvernatorit ia arriti ta shkarkonte atë me qëllim kapjen e Bankës Shtetërore. (Me logjikën e tyre ithtarët e kësaj opozite zbulojnë vetën si inspiruesit e qëndrimit të Guvernatorit për të mos dhënë dorëheqjen dhe të anëtarëve të tjerë të KM për të mbrojtur atë nga shkarkimi. Gjithashtu, duke gjykuar me përvojën e tyre për përdorimin e Bankës së Shqipërisë për interesat e tyre private, gjykojnë edhe pozitën e sotme se do të bëjë të njëjtën gjë).

Sido që të jetë, arrestimi krijoi një imazh pozitiv për prokurorinë (disa madje zbuluan edhe heronj brenda saj vetëm e vetëm se ushtruan detyrën). Faktikisht këtë imazh pozitiv e “korri” shumica qeverisëse dhe personalisht kryeministri Rama. Problemi është shumë shqetësues për kastën e vjetër politike që e shembën këtë shtet duke ia dorëzuar krimit. Dhe nuk është shqetësues se Rama, pavarësisht pengesave, rezistencës dhe propagandës frenuese të opozitës, ia del pak nga pak në arritjen e objektivave të shpallura, por është shqetesues se pas kësaj pete zbulohen gatuesit e lakrorit të zi në dem të shtetit dhe shoqërisë.

Këtu në fakt qëndron problemi. Duhen penguar që të dyja. Edhe avancimi i staturës politike reformuese të Ramës, i cili përpos kësaj ka dukshëm dhe vetëm ai, gjithë përkrahjen e mundshme ndërkombëtare, edhe pengimi i ndëshkimit të krimit shtetëror.

Kjo, sipas tyre, arrihet fare lehtë. Me lirimin e Guvernatorit dhe mosndëshkimin e tij. Dhe këtë aksion e ka në dorë gjykata e kontrolluar nga opozita dhe e “përkrahur” moralisht nga ithtarët e opozitës.

Në këtë kontekst, askush nuk mund ta besojë se gjykatësi Gjin Gjoni përbën një rastësi shorti që koncidoi me dhjetëditeshin e së drejtës për apelim të masës së arestit me burg të Guvernatorit. (Sigurisht që avokati i tij do t’ja paraqesë apelimin gjykatës në momentin e fundit të skadimit të afatit me qellim që e drejta e gjykimit në apel të jetë ekskluzivitet e gjykatësit Gjoni).

Personalisht gjykatësi Gjoni ka interes për ta liruar Guvernatorin. Eshtë një rast i mirë për ta përdorur nëser si mbrojtje ndaj vetës, dmth për të thenë se sulmohet politikisht për shkak se zbatoi drejtësinë në lirimin e Guvernatorit. Në përkrahje të këtij vendimi të pritshëm po bëhet një fushatë marramendëse në medja pro opozitës, ndërkohë që pjesa tjetër e medjas është rudhur. (Rrudhje në këtë rast quhet dhe objektiviteti).

Kjo fushatë ka për qëllim që të denigrojë prokurorinë në vendimin e saj, ta akuzojë organin e akuzës së po përdorët politikisht dhe për këtë po bëhet qesharake, se po shkel ligjin, procedurat duke bërë një padrejtësi të madhe, të arrestojë Guvernatorin e vendit me akuza të pabaza e të pajustifikuara. (Në patosin e tyre në këtë fushatë tregojnë se dinë shumë nga mëkatët e guvernatorit, ose janë edhe vetë bashkëmëkatarë, por për momentin për ta kjo nuk ka fare rëndësi).

Këtë shans përkrahësve dhe përdoruesve të Guvernatorit dhe fatit të tij njerëzor e institucional, e zhvlerëson me qëndrimin dhe taktikën e vet kryeministri Rama. Ai nuk merret me një Guvernator të shkarkuar ligjërisht, por me veprime institucionale që kanë të bëjnë me forcimin e institucionit të Bankës së Shtetit. Kryeministri e kupton se do të ishte gabim dhe masovizëm, dhe me keq akoma do të luante në fushën e opozitës, nëse do të investohej politikisht në lidhje me fatin e Guvernatorit, me mëkatet e tij apo qoftë edhe me fijet dhe kavot që e përshkojnë atë. Këtë kryeministri ia la në dorë drejtësisë, e cila ka radhën e reformimit. Në parim dhe taktikisht kjo do të thotë se rrjeta po ngrihet edhe për peshkaqenët e mëdhënj, pasi një sulm frontal ndaj krimit të organizuar, kur dihen përmasat e tij dhe forca e tij, do të provokonte një reagim me kosto ndoshta të papërballueshëm. Këtë ndoshta donte opozita, por një fajalë e urtë thotë: “Trimi i mirë di dhe monopate të tjera”. Eshtë rast të bëhet dhe “me shokë shumë”.

9 komente në ““Trimi i mirë”… pa shokë shumë!”

  1. Aty says:

    Analize logjike. Ftohtesisht, eshte nje rast ku te gjitha palet kane luajtur lojen e tyre. Rama ka luajtur me staturen e Kryeministrit, shoqeria civile me staturen e protestes, opozita nuk ka ndryshuar asgje nga menyra se si luante edhe kur ishte ne pushtet. Kur shihja mbreme ate mbrojtje frenetike te Fullanit nga miqt e klanit te tij, mendja me shkonte se sa mire kane votuar shqiptaret vjet per ti vene disi fre atij rrenimi qe i eshte bere institucioneve te shtetit. Sot pame Berishen te beje presion te hapur mbi drejtesine, duke perdorur cdo mjet ne funksion te asaj qe ai di te beje me mire, tensionimit te situates. Sa i takon shumices, kjo ka gjithe kohen dhe fuqine e nevojshme per te vazhduar me reformen ne drejtesi dhe plotesimin e vendeve vakant atje ku duhet. Ne gjithe kete situate nuk eshte e veshtire te parashikosh gjerat, sepse secili po luan sipas menyres se tij. Sikur te ndodhte e kunderta, do te krijohej coroditje. Kjo eshte e pritshme nga mafia, por besoj se faktori nderkombetar do te beje punen e vet dhe mesazhet tanime jane te qarta. Mjer kush nuk i kupton.

    1. zef says:

      Bravo Panajot per shkrimin.

  2. Ozzy Osbourne says:

    Shyqyr me ne fund the dicka me vlere more Panajot,se ne pergjthesi ja fut si kau peles!

  3. Majakovski says:

    Shkrim qe i ” hap syte ” cdo naivi.

  4. vertete says:

    I ke rene ne koke.

  5. blendi says:

    Nje analize e qelluar dhe me llogjike…pergezime

  6. Kris says:

    Eshte e pare here qe Panajoti godit ne shenje.

  7. Lela says:

    Nder analizat mme te thella qe i eshte bere situates se sotme. Teper i qarte, i sakte, konciz.

  8. qifqia says:

    Po more zoti Panajoti. Me nje gur vrasim dy zogj. Ruajm Fullanin nga burgu dhe parat e oborrit, dhe e dita ajo qe eshte me e rendesishme rrezojme edhe Qeverine. Se po nuk u çua deri ne fund kjo ngjarje zemerimi popullor do ta rrezoje Qeverine. Berisha kete sinon si usta i vjeter. Apo jo more Panajoti ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje