Akuzohen se vranë dy kunatat e moshuara, Gjykata lë në burg dy të dyshuarit

22 Shtator 2014, 13:44Kronika TEMA

Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për autorët e vrasjes së dy të moshuarave disa ditë më parë në këtë qytet.

Gjykata ka lënë në burg 28-vjeçarin Velson Elmazi, i cili ka pranuar se ka kryer krimin dhe Artur Kacanollin, i cili akuzohet për bashkëpunim por nuk ka pranuar të jetë i përfshirë në këtë vrasje.

Viktimat janë dy kunatat Elsa dhe Gjinovefa Vava. Ndërkohë vazhdon të jetë i shpallur në kërkim autori i tretë Indrit Shaqo. 

Ngjarja e rëndë ku u dhunuan për vdekje dy kunatat e moshuara, përkatësisht Elsa dhe Gjinovefa Vava, ndodhi më 2 shtator të këtij viti. 

Dy personat e lënë në burg akuzohen për “grabitje me pasojë vdekjen” e dy grave.

Mësohet se Artur Kacanolli, nipi i një prej të moshuarës, Gjenovefës, nga martesa e parë, dyshohet të jetë bashkëpunëtor në krimin e rëndë por nuk dihen arsyet se pse e ka shtyrë atë të jetë pjesë e këtij krimi të dyfishtë.

Dy të moshuarat u gjetën të pajeta në banesën e tyre dy katëshe nga i biri i njërës prej viktimave. Ndonëse u përfol për dy pista hetimi, ngjarja u fokusua tek grabitja, pasi u konstatua se në banesë mungonin 2 milionë lekë. Ndaj të moshuarve, sipas ekspertizës mjekoligjore ishte ushtruar dhunë, ndërsa ato u gjetën me duart të lidhura, ku asfiksia i solli dhe vdekjen. 

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se krimi është kryer nga shtetasit Indrit Shaqo dhe Velson Elmazi, të cilët kanë hyrë në banesë pasi kanë thyer dritaren e katit të parë, me qëllim grabitjen e shumave të parave dhe floririt në të.

Për të realizuar qëllimin e tyre kriminal autorët kanë lidhur dhe iu kanë bllokuar gojën dy të moshuarave, duke iu shkaktuar asfiksinë. Nga hetimet e deritanishme rezulton se shuma që është mundur të përvetësohet në banesë është rreth 2 milionë lekë.

1 komente në “Akuzohen se vranë dy kunatat e moshuara, Gjykata lë në burg dy të dyshuarit”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje