Hetimet ndaj 3 deputetëve/ Prokuroria përcjell dosjet në Gjykatën e Lartë

28 Shtator 2014, 13:12Kronika TEMA

Tre deputetët të vënë nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme, Arben Ndoka, Pjerin Ndreu dhe Astrit Veliaj, kanë paraqitur pranë organit të hetimit kundërshtimet e tyre për akuzat e ngritura.

Avokati i deputetit Pjerin Ndreu, me anë të memove shkresore ka kundërshtuar akuzën e ngritur për goditje për shkak të detyrës ndaj deputetit demokrat Gent Strazimiri.

Po kështu mësohet se edhe avokatët e deputetit Astrit Veliaj kanë hedhur poshtë akuzat për “ndërtim të paligjshëm” dhe “shkatërrim prone”. 

Burimet nga organi i akuzës thanë se kundërshtimet e avokatëve janë marrë në dorëzim, ndonëse nuk mund të shqyrtohen pasi afati hetimor dhe procesi i mbledhjes së provave ka përfunduar. 

“Dosjet penale për personat e pandehur janë përfunduar së hetuari dhe brenda 10 ditësh do të dërgohen në Gjykatën e Lartë”, theksojnë burimet e Prokurorisë.

Duket se organi i akuzës përpar se të cojë për gjykim dosjet ndaj 3 ligjvënësve, do të marrë në shqyrtim edhe kundërshtitë e mbrojtësve ligjorë.

“Paraqitja e kundërshtimeve nga ana e avokatëve ka shtyrë dorëzimin e dosjeve në Gjykatën e Lartë”, thanë më tej burimet e Prokurorisë.

Sipas tyre, shkresat e dorëzuara nga avokatët do t’u bashkohen fashikujve hetimorë dhe pritet të shqyrtohen gjatë procesit në Gjykatën e Lartë. Kjo e fundit është kompetente për shqyrtimin e akuzave penale ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje