Amerika mirëpret kinematografinë shqiptare

29 Shtator 2014, 19:14Kulturë TEMA

Një traditë e bukur ka lindur vitet e fundit në Nju Jork: festivali i filmit shqiptar në SHBA. Falë përpjekjeve të shoqatës së artistëve shqiptarë, sallat e kinemave do t’i dedikohen edhe këtë vit kulturës, artit dhe vizionit të talenteve shqiptarë në trojet tona e kudo nëpër botë. Artdashësit mezi presin të përjetojnë emocionet e filmave më të rinj dhe më cilësorë të cilët do të shfaqen në shqip dhe anglisht nga data 2 deri më 9 tetor këtu në Nju Jork, dhe 10-11 në Boston.

Ky festival ka veçori të shumta që e dallojnë nga aktivitetet e tjera me karakter shqiptar që rëndom zhvillohen nga diaspora në qytetet e mëdha të botës. Veçoria më dalluese është përfshirja e një grupi pune plotësisht vullnetar sajë meritës së krijuesit të saj karizmatik Ariot Myrtaj. Ari ka arritur të bashkojë një grup të dedikuar të rinjsh profesionalë, qeveritë e Kosovës dhe atë të Shqipërisë, si dhe të frymëzojë disa nga figurat më të shquara të komunitetit dhe aktivistë të palodhur që të organizojnë, përkrahin dhe promovojnë festivalin e filmit shqiptar.

Ariot Myrtaj është tashmë një figurë e njohur dhe e dashur në komunitetin shqiptar. Aktori energjik dhe i talentuar nga Kosova nuk ngurron të përkrahë e të marrë pjesë në projektet e shqiptarëve të tjerë këtu në Nju Jork e më gjerë. Ai vuri re se arti e kultura shqiptare nuk kishin një nga elementët më kryesorë për përfaqësimin e tyre dinjitoz në botë: vëmendjen e artdashëve të huaj. Fatkeqësisht, stereotipi i shqiptarit keqbërës e mafioz është përfaqësuesi mbizotërues në filmat e sotëm me elemente shqiptarë. Po ashtu, komuniteti ynë i mësuar me mënyrat tradicionale të përkujtimeve e  festave që zhvillohen ose si darka zyrtare plot fjalime, ose si festa plot muzikë por pa qëllim e pa mundësi tjetër bashkëpunimi, ishte i etur për një aktivitet kulturor në të cilin kushdo mund të merrte pjesë dhe të jepte kontributin e tij, dhe ku mund të sillte miqtë dhe të dashurit që nuk flisnin shqip.

Festivali i filmit shqiptar i organizuar së pari në nëntor të vitit 2012 ishte ura më e mirë e bashkimit dhe u përkrah që në fillim nga komuniteti këtu në Nju Jork. Ai u dha artistëve shqiptarë elementin aq të dëshiruar që mungonte në suksesin e tyre, audiencën e huaj, i prezantoi me komunitetin shqiptar të uritur për kulturën e viteve të fundit, si edhe u mundësoi atyre lidhjen me artistët e tjerë vizualë në SHBA. Merita e Ariotit ishte aftësia e tij për të bashkuar një grup aktivistësh të tjerë të motivuar vetëm nga dëshira e mirë për të bërë diçka pozitive për komunitetin, qeveritë kosovare, shqiptare dhe maqedonase, si edhe përkrahjen e biznesmenëve largpamës me origjinë shqiptare. Këto përpjekje të gjithanshme, sjellin edhe këtë vit festivalin e shumëpritur të filmit shqiptar.

Ekipi i festivalit të filmit shqiptar në Nju Jork është tepër i zënë këto kohë. Theodora Rexhepi, drejtuesja e Marketingut ka dy vjet që merret me festivalin, dhe buzëqesh ndërsa tregon emailet e telefonatat e pafundme që dërgon e merr këto ditët e fundit. Koordinimi i pafund i detajeve më të vogla nuk e lodh Theodorën ose Theon siç njihet nga të gjithë sepse ajo e ka provuar tashmë efektin pozitiv që festivali ka sjellë në jetën e shqiptarëve të Nju Jorkut.

Arsen Gurabardhi qëndron pas logos elegante dhe krenare, posterave si edhe të gjithë prezantimit vizual të festivalit. Sanela Merulic dhe Bukurije Navon ndihmojnë Marketingun dhe janë përgjegjëse për sjelljen e disa figurave tepër të njohura të artit dhe të biznesit në komunitet. Rejhan Ismani-Bexheti punon pa u lodhur për të përcjellë çdo informacion tek publiku, me anë të intervistave dhe artikujve  në mediat shqiptare. Mirjeta Haxhija është “magjistarja” e financave, ndërsa Jeton Lajqi, Rina Lila, Vincent Nebrida, Kastriot Xhakli dhe Blerta Alikaj janë anëtarët e tjerë të ekipit të punës së festivalit të filmit shqiptar.  Të gjithë janë vullnetarë, entuziastë dhe plot besim se po sjellin diçka me vlerë për komunitetin dhe artistët.

Tashmë filmat janë përzgjedhur, sallat janë rezervuar, juria është emëruar dhe të ftuarit janë konfirmuar. Publiku gjithashtu mezi po pret. Gala e hapjes dhe mbrëmjet pas shfaqjes së filmave do t’u japin mundësi pjesëmarrësve të takojnë figura të shquara të kinemasë shqiptare e asaj botërore, të krijojnë lidhje me distributorë filmikë të huaj ose thjesht të bëjnë fotografi me njerëz të famshëm. Megjithatë, ende ka nevojë për ndihmë e për përkrahje qoftë financiare, qoftë fizike. Kushdo që dëshiron të punojë si vullnetar apo të japë kontribut financiar është i mirëpritur. Festivali i filmit shqiptar ka faqen e vet në facebook si edhe sitin e tij në internet http://albanianfilmfest.com/. Po ashtu ka disa konkurse ende të hapura ku shikuesit mund të paraqesin videot e tyre e të futen në radhë për vitin tjetër. Të gjithë dashamirësit ftohen t’i bashkohen faqes së festivalit në Facebook, https://www.facebook.com/albanianfilmfestival, ose të dërgojnë mesazhe tek [email protected]

3 komente në “Amerika mirëpret kinematografinë shqiptare”

  1. syneti synit says:

    shif mer!
    po ja kajlojm eshe hollivudit tash!

  2. babec says:

    Çlidhje ka ky event me ameriken? Apo legalizimin si artiste te disa shqipove injorante e me leke te shpejte pislleku…
    Dramemedhenj dhe kto shqipot e Amerikes…

  3. john says:

    Ne nje telefonate me Alban Pacinon,me tha se mezi pret te shikoje ate filmin shqiptar me mushkonjen “pithza”…..Kush di gje,a u kthye Nishani apo vazhdon t’u jape mesime amerikaneve me parate e Fullhanit?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje