Ish- inspektorja e Bankës së Shqipërisë Elivar Golemi pas 25 ditësh në burg flet ekskluzivisht për gazetarën Eni Vasili për emisionin e saj “Studio e Hapur”. Elivar Golemi thotë se Prokuroria ka penguar në zbardhjen e së vërtetës dhe se askush nuk e ka pyetur për vjedhjen në Bankën e Shqipërisë.
Eni Vasilili:Së pari faleminderit që pranuat ta jepnit për mua këtë intervistë pasi jam në dijeni të faktit që këto ditë kolegët e mi kanë insistuar të shumtë për këtë intervistë. Para se të nisnim me pyetjet do të doja të dija përceptimin tuaj se si është sjelle media me çështjen deri tani e në mënyrë të veçantë me ju personalisht;
Elivar Golemi: Është e vërtetë se këto ditë me kanë kërkuar disa gazetarë dhe media, dhënien e intervistave, me qëllim sqarimin e pozicionit tim në këto gjarje qe po pasojnë njëra – tjetrën. I kam mirëkuptuar kërkesat e tyre, por nuk kam patur të mundur të komunikoj me mediat, nuk kisha qetësinë dhe forcën e nevojshme për të komunikuar me publikun, për shkak të impenjimit tim me situatën në të cilën ndodhem. Ndaj dhe i kërkoj ndjesë për refuzimet e mia.
Por erdhi një moment që e kuptova që nuk mund të heshtja më, as të vazhdoj të pres pa fund se kur do të ma sqarojë prokuroria pozicionin tim – nuk jam pyetur asnjë herë deri më sot -ndërkohë që figura ime vazhdon e përbaltet.E ndjej të nevojshme të komunikoj me median dhe me publikun.Ndaj dhe nuk mund ti shmagesha ftesës suaj aq më shumë një emision si “STUDIO E HAPUR”.
Komentet e medias, aq sa unë kam patur mundësi ti ndjek (për shkak të punës me orar të zgjatur dhe izolimit në qeli në vijim), i kam vlerësuar tej mase paragjykuese, shpeshherë informacione të pasakta, një garë për të thënë fjalën e fundit, pavarësisht saktësisë së burimeve dhe pasojave të lajmit të transmetuar. Për shkak se nuk e kam pëlqyer asnjëherë jetën publike, mediat kanë patur një mugesë të plotë informacioni kush është Elivar Golemi, apo çfarë detyrash kam kryer në Banken e Shqipërisë, referohem pozicionit të Inspektorit të Përgjithshëm që unë kam mbajtur nga viti 2011 e deri para pak ditësh.
Me të njëjtën forcë paragjykimi, besoj kanë vijuar edhe komentet në disa gazeta lidhur me përshëndetjen time në sallën e gjyqit.
Eni Vasili: “ Në fakt është komentuar shumë përshëndetja dhe qeshja juaj në sallen e gjyqit në gjykimin e parë”?
Elivar Golemi: Me lejoni t’ju sqaroj… Kur kam hyrë në sallën e gjyqit ditën e dielë, në gjykatën e Tiranës, isha pothuajse e shkatërruar. Ishte dita e tretë e izolimit. Nuk kisha asnjë informacion çfarë po ndodhte jashte. Si ishin prindërit e mi? Më mbyste brenga nëse ata kishin rezistuar dhe ishin akoma në këmbë. Në një moment pashë dy fytyra familjare të tmerruara, por që po mundoheshin të më jepnin një buzëqeshje. Buzëqeshja e tyre më dha një force për ti përshëndetur. E gjithë kjo ishte përt`ju dhënë sado pak zemër atyre në atë gjëndje që i pashë, për t`ju thënë se nuk është asgjë, se unë jam mirë dhe gjithçka do të kalojë. Kjo është historia e përshëndetjes në sallë të gjyqit aq e komentuar në gazetat deri aty sa,një gazetare më ka krahasuar me një naziste, pse qesha atë ditë.
Eni Vasili:.Si e mësuat vendimin për arrestimin tuaj ?
Elivar Golemi:Atë ditë, e premte më 5 shtator në mbrëmje kam dalë nga zyra diku nga ora 18:30 – 19:00 pasdite. Isha e rraskapitur. Kishim të paktën 6 javë, pas ngjarjes së ndodhur në Departamentin e Emisionit, qe fillonim punën në 8 të mëngjesit deri në darkë, madje ka pasur raste deri në mesnatë në punë.
Një mikeshë e imja shumë e mirë më kishte telefonuar për një kafe poshtë pallatit ku unë banoj. Vetëm pak kohë pasi u takuam, një kushëriri im më merr në telefon dhe më thotë …Lëre kafen dhe shiko lajmet tek News24 dhe mbylli telefonin.
I lutem kamarierit të hapë TV tek News 24, dhe direkt shokohem nga titrat…”Arrestohet Guvernatori Fullani”, toka nën këmbë për një çast mu lëkund. Guvernatorin e kisha takuar vetëm pak orë më parë, ku i kisha dorëzuar një raportim pune. E kisha lënë në zyre pas një takimi me misionin e FMN. Nuk kisha parë gjatë gjithë ditës as shenjën më të vogël se mund të ndodhte kjo. Ishte dita kur 2 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës, kishin dhënë dëshminë e tyre në prokurori, bashkë me ish-inspektoren e përgjithshme. Jo s`ka mundësi po mendoja me vete. Ndërkohë titrat ndryshojnë dhe filloj të lexoj “Arrestohet Inspektorja e Përgjithshme (Kryeinspektorja) Elivar Golemi”. Këtë herë salla më erdhi rrotull dhe fillova të ndjej ftohtë. Nga britmat tona njerëzit kthyen kokat për një moment, por nuk më njihnin dhe nuk besoj se dyshuan se njeriu i arrestuar ishte ende aty në lokal midis tyre.
Po unë jam këtu thashë me vete, si më paskan arrestuar? – kështu arrestimin tim e kam mësuar nga lajmet në lokal. Mblodha pak veten dhe telefonova avokatin të cilin e njihja që më parë, dhe i kërkova çfarë të bëj. Prit në banesë më tha dhe mos u largo, se po nuk të gjetën në shtëpi rrezik të shpallin në kërkim dhe mund të konsiderohet sikur ke dashur të fshihesh dhe mund ta quanin rrethanë rënduese. E pyeta mos duhet të shkoja vetë për tu sqaruar, megjithëse as nuk e dija se ku duhet të shkoja… Akoma nuk më besohej se isha arrestuar. Jo më tha avokati prit në shtëpi se vijnë vetë ata. Shprehje si arrest, shpallje në kërkim, etj…i kisha lexuar shpesh në gazeta por as që më shkonte mendja se do të përdorja ndonjë ditë për vete.
Eni Vasili:Cfarë menduat dhe cilat kanë qenë ndjenjat e para ?
Elivar Golemi: Nuk mbaj mend si jam ngjitur në shtëpi, isha komplet e mpirë nga trupi dhe mendja, dhe ndjeja shumë ftohtë edhe pse nuk ishte kohë e ftohtë. Jam përmendur vetëm kur kam hasur shikimin e prindërve të mi, të cilët po më prisnin tek dera e shtëpisë. Nga sytë e skuqur, kuptova se e kishin marrë lajmin.
I përqafova fort dhe i kërkova të ishin të fortë, se çdo gjë do të sqarohej shpejt- me siguri thjesht do më merrnin në pyetje dhe do kthehesha në shtëpi. Nuk pata kohë të mendoja apo të ndjeja diçka më shumë, pasi trokiti dera dhe u shfaqën të paktën 7 burra civilë, mund të ishin dhe më shumë por nuk munda ti numëroja.
Njëri prej tyre mu drejtua duke më pyetur për emrin. Duhet të vini me ne tha, pasi i pohova që jam Elivar Golemi. I kërkova arsyen dhe nëse kishin një urdhër arresti. Njëri nga ato mu përgjigj se arsyen e kisha marrë vesh nga mediat. «Ka një orë që e japin të gjitha mediat, nuk i ke dëgjuar ti»? Ishte e vetmja përgjigje që mora dhe asnjë komunikim të shkruar. Asnjë letër, madje as më kërkuan kartën time të identitetit. Nuk me paraqiten as dokumentin e policisë. Më ra në sy që kishin radio, celularë dhe pistoleta me shumicë. Thjesht u binda! Shikimin dhe dhimbjen e prindërve të mi atë natë nuk kam për ta harruar sa të kem frymë.
Eni Vasili:Po a ju a lexuan të drejtat?
Elivar Golemi: Çfarë të drejtash? As sot nuk më ka treguar njeri ndonjë të drejtë. Pasi lashë shtëpinë, burrat me shoqëruan drejt një makine që priste në rrugë. Nuk e kuptova për ku po drejtoheshim por nuk guxoja të ndihesha. Flisnin shpesh me radio ose celularë – madje njëri kishte tre celularë ndërsa një tjetër njërën nga pistoletat e mbante të lidhur në këmbë. Në makinë ndjehej një ajër shumë i rënde dhe kërkova që të hapej xhami i dritares prapa. Ma plotësuan. Mbërritëm në Drejtorinë e Policisë, ku prisnin shumë kamera e gazetarë. Makina hyri brenda në oborr duke shmangur gazetarët. Pak minuta pasi më sistemuan në një zyrë tek Drejtoria e Policisë, mbërriti dhe avokati im. Zakonisht është burrë i qeshur dhe optimist, por me vështirësi atë natë mund të dalloje ndonjë shprehje në fytyrën e tij. U përpoq të më mbështeste sado pak në ato momente të vështira, kur po nënshkruaja për herë të parë në jetën time, procesverbalin e arrestimit tim.
Ndërkohë që prisja në zyrë hyri dhe guvernatori, zoti Fullani. U ngrita në këmbë, i dhashë dorën dhe e përshëndeta.“Çfarë ishte kjo guvernator – i thashë?Çfarë kemi bërë”? Pashë që ishte njëlloj i shokuar nga arrestimi. Ishte pa fjalë dhe shumë i ftohtë ndaj gjithë asaj situate pa kuptim. Kemi ndenjur përreth 10 min aty. Nuk komunikuam më gjatë, ndërkohë që oficeret e policisë më shoqëruan në katin e parë ku mësova se ku ishin qelitë.
Eni Vasili: A mund të ma përshkruani natën e parë në burg ?
Elivar Golemi: Nata e parë…ah ende me dhemb kur e kujtoj, apo më mirë ato tre net izolimi në ato qeli. Ora mund të kishte kaluar mesnatën kur u mbyll dera e hekurt e qelisë. Shoh qelinë: Brenda kish një shtrat me batanije, një banjo dhe një lavaman në tokë dhe në parvazin e dritares kishte pafundësi bishta cigaresh dhe grumbuj papastërtish. Natën e parë kam ecur në këmbë, nuk kam fjetur dhe më e bukura ishte se as gjatë ditës nuk kisha kurrëfarë nevoje për gjumë.
Për herë të parë atë natë, i lejova vetës të qaj, për të lehtësuar shpirtin dhe ka qenë e vetmja deri sot.
Tre net dhe tre ditë në izolim, pothuajse pa gjumë, dhe pa asnjë informacion se çfarë bëhej ? Tre ditë të barabarta me 3 vjet, me të vështirat në jetën time.
Ditën e dytë erdhi avokati që më solli ca rroba dhe ushqime nga shtëpia. Më informoi që ditën e dielë do të zhvillohej seanca në gjykatë, porse vendimi ishte marrë në mungesë dhe nga informacionet që kishte nuk pritej asnjë ndryshim. E thënë ndryshe, gjithçka ishte paravendosur “Arrest me Burg”. Lajmi nuk ishte aspak i mirë dhe dy ditët në vijim kam mbajtur shpirtin vetëm me ujë.
Të nesërmen i kërkova rojës një fshesë dhe një kovë me ujë dhe pastrova qelinë.
EniVasili :.A shpresoje se masa do të ndryshonte në gjykate ?
Elivar Golemi: Kur mësova se gjyqtarja ishte një femër, nuk e di pse pata një moment qetësie, mendova se do kisha një mbështetje. Gjatë seancës, jo vetëm që nuk ndjeva solidaritetin femëror të pritur, por mungoi dukshëm etika dhe profesionalizmi në atë seancë gjyqësore. Gjykatësja me pyeti emrin dhe gjeneralitetet e tjera. Për të konfirmuar që isha unë personi i saktë i arrestuar, pa më lënë mundësinë më të vogël as mua, as avokatit tim, për tu sqaruar mbi faktet dhe provat lidhur me caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg”.
Përgjigjia ishte e ftohtë dhe e prerë: nuk është vendi këtu për t’ju dëgjuar juve. Do të keni seanca të tjera. U përballa me një mohim të frikshëm të të drejtës time për tu shprehur dhe dëgjuar. Mirë që nuk na la të flisnim as mua as avokatin – sipas saj ne aty ishim për të dhënë vetem gjeneralitetet – po pse sillej me aq arrogancë dhe pa etikë, nuk e kuptova. Si ka mundësi të sillet një gjykatëse aq egër, kur unë isha me pranga në duar. Edhe pas gjykimit mu desh të qëndroja edhe një ditë më shumë në Drejtorinë e Policisë Tiranë, pasi ishte e dielë dhe transferimi në paraburgimin 313 do të kryhej të hënën. Më dërguan në një qeli tjetër. Përsëri fillova pastrimin nga e para.
Eni Vasili:. Ka shumë pak informacion rreth jush. A mund të më tregoni dicka? Ku jeni lindur ,nga c`familje vini dhe cili ka qene shkollimi juaj?
Elivar Golemi: Jam lindur dhe rritur në qytetin e Shkodrës, në një familje intelektualësh. Që nga gjyshi im një mësues i nderuar në kohën e mbretit Zog, prindërit – babai inxhinier, nëna financiere nga e cila trashëgova dhe zanatin e financieres. U rrita në një familje të thjeshtë ku vlera dhe morali janë pasuria më e madhe që trashëguam, itegriteti, krenaria, faqja e bardhë dhe koka lart, janë fjalët që shpesh kam dëgjuar nga goja e tim eti.
Në moshën 18 vjeçare erdha në Tiranë për të ndjekur studimet e larta në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Sapo mbarova vitin e dytë të studimeve vendosa të konkuroj për fakultet të dytë, dega Juridik, pranë Universitetit të Shkodrës.
Kur mbarova studimet e larta dhe u diplomova për Finance, dega Bankë, u ktheva në qytetin e lindjes dhe për 4 vite iu bashkova stafit akademik në fakultetin U.T. Shkodrës. Pavarësisht se stafi ishte shumë i mirë dhe puna e mësimdhënies më pëlqente, kërkoja më shumë. Nuk më pëlqente fakti që isha marrë vetëm me pjesën akadamike, dhe po kërkoja të prekja punën e financave në praktikë. Mbarova studimet për jurisprudencë dhe vendosa të kthehem në vitin 2002 përsëri në Tirane, duke vazhduar mësimdhënien e fakultetit me kohë të pjesshme.
Për një kohë të shkurtër kam punuar si shefe Finance pranë fshatit SOS “te fëmijëve” në Tiranë, punë e cila më dha tepër kënaqësi, jo vetëm profesionale, por edhe nga ana humane, dhe nuk u pendova aspak për vendimin që kisha marrë për të punuar në Tiranë. Ndërkohë vazhdova masterin Administrim-Biznes, që më dha mundësinë të vazhdoj dhe të jem pranë librave dhe studimit. Në vitin 2003 mu dha mundësia të aplikoj dhe të përzgjidhem për të punuar pranë Bankës së Shqipërisë, ku kam vazhduar të punoj deri me datën, 5 shtator. Përveç këmbënguljes dhe dëshirës që kam pasur për të studiuar dhe investuar në ngritjen time intelektuale dhe profesionale, kam edhe disa hobi në kohën e lirë, pëlqej foton, kryesisht fotografoj Shkodrën gjithçka të sajën. Për fat jemi një vend që kemi natyrë të mrekullueshme, gjë që më ka mundësuar të ushqej pasionin tim për fotografinë. Gjithashtu kohën e lirë kam tentuar ta kaloj më së shumti në natyrë, pëlqej alpinizmin, ngjitjet dhe shëtitjet në male. Arritja më e madhe që kam pasur në këtë pasion, të cilën e kujtoj si një aventurë të rrezikshme, por shumë domethënëse për forcën e karakterit tim, ka qenë ngjitja në majën e malit të Korabit, maja më e lartë në Shqipëri (2760 m).
Eni Vasili:Si u punësuat në Bankën e Shqipërisë ? Cila ka qënë detyra juaj e parë?
Elivar Golemi: Në vitin 2003 u informova që kishte vende të lira që ishin shpallur në konkurrim të hapur, dhe se mund të aplikoja . Banka, sistemi financiar dhe për më shumë Banka Qendrore ishin shumë tunduese, dhe prandaj nuk i rezistova ndërmarrjes së një sfide për të aplikuar. Them sfide, pasi Banka e Shqipërisë, gjithmonë është parë si e tillë, dhe kërkon zotësi.
E vlerësoj veten me fat që mu dha mundësia të punoj më shumë se 12 vjet në institucionin më të lartë të sistemit financiar. Detyra e parë në Bankë ka qenë specialist pranë sektorit të Kontablilitetit. Kur iu bashkova stafit të Bankës, pas përzgjedhjes, mu afrua dhe mundësia e caktimit të një sektori ku unë mendoja të punoja, bazuar në background-in dhe eksperiencën e mëparshme. Meqenëse në katër vite kisha dhënë në fakultet lëndë të profilit kontabilitet-financë, zgjedhja ime ishte pikërisht ky departament.
Falë përkushtimit dhe profesionalizmit, arrita të ngjitja shpejt shkallët e karrierës, pothuajse çdo 2-3 vjet kam marrë një detyrë të re, si një promovim dhe ngritje në karrierë brenda bankës. Në vitin 2011 u votova nga Kuvendi i Shqipërisë në pozicionin e Inspektorit të Përgjithshëm, detyrë kjo mjaft e vështirë, një sfidë profesionale, pavarësisht vështirësive dhe rreziqeve që mund të haste si pozicion. Pavarësisht rrethanave në të cilat po flas, jam rritur shumë në atë institucion, njëkohësisht kam dhënë shumë nga përkushtimi, puna dhe profesionalizmi im.
Eni Vasili: Keni një CV të pasur me dy fakultete një seri seminaresh e çertifikatash. Sigurisht një njeri me CV tuaj nuk e pret ta gjesh këtu . Si ndjeheni për investimin tuaj intelektual ?
Elivar Golemi: Pavarësisht detyrave dhe promovimeve në karrierë në BSH, kam vazhduar të punoj fort dhe të investoj në ngritjen time profesionale. Përpara se të merrja detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm, në vitin 2011, isha regjistruar për një çertifikim ndërkombëtar në financë, Analist Financiar i Certifikuar apo CFA, në zhargonin profesional. Për shkak të ngarkesës së punës, mu desh të pezulloja përkohësisht dhënien e provimeve. Besoj se gjëja e parë që mund të bëj, sapo të provoj pafajësinë time, është dhënia e dy provimeve të fundit, me qëllim çertifikimin dhe hapjen e mundësisë për një punësim në sistemin financiar, pse jo dhe ndërkombëtar. Investimi që kam bërë në ngritjen time intelektuale, sigurisht që është aseti më me vlerë që unë disponoj. Jam e sigurt se kjo që ndodhi është vetëm çështje kohe dhe nuk do të zbehë asgjë nga ky aset me vlerë” Durimi është litari i shpëtimit”, unë do ti sfidoj të gjitha vështirësitë dhe në fund kam për të dalë e pafajshme, jam e sigurt për këtë.
Eni Vasili: Dy javë më parë ishit Inspektore e Bankës Qendrore,më pas erdhi arrestimi dhe shkarkimi nga Kuvendi. Shumë gjëra ndryshuan në pak ditë. A mendoni se po ju bëhet një padrejtësi dhe pse ?
Elivar Golemi: Për ironi të fatit, kur jam paraqitur për herë të parë para kuvendit, si kandidaturë e propozuar për të kryer detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm në seancë mungonte opozita, pasi kishin braktisur pjesëmarrjen në parlament. Ishte shkurt 2011. Edhe tani në shtator 2014, kur u bë shkarkimi, përsëri opozita nuk mori pjesë. A është vallë kjo një përmbushje e detyrimeve ligjore?
Aspak nuk më shqetëson shkarkimi, mendoj se është një vendim i pastër politik, i pa argumentuar dhe i pa bazuar në dispozita ligjore, vendime që për fat të keq rëndom merren në Shqipëri. Por ka të mirën e tij; të paktën askush nuk mund të thotë se po u lirova do të prish provat.
Sigurisht që më shqetëson shumë arrestimi, dhe mendoj që është goditja më e rëndë që mund ti bëhet çdo personi që kryen një funksion publik.
Në arrestimin tim, nuk ka asnjë provë apo fakt që mbështet akuzat e ngritura ndaj meje. Në caktimin e masës së sigurimit “arrest me burg”, nuk ka asnjë dyshim të arsyeshëm dhe të mbështetur në prova për kryerjen e veprës penale “shpërdorim detyre”. Arrestimi është kryer vetëm mbi një supozim në organet hetimore. Për rrjedhojë gjykatat duhet të kishin qenë më objektive lidhur me caktimin e masës së arrestit.
Eni Vasili: Le ti kthehemi ngjarjes. Kur keni marrë dijeni për vjedhjen e Bankës dhe në çfarë rrethanash ?
Elivar Golemi: Me ngjarjen jam njohur në datën 21 korrik në pjesën e dytë të ditës, pasi ishte nisur denoncimi nga ana e bankës. Me telefonoi shefi i kabinetit të Guvernatorit, dhe më informoi për një takim me Zv. Guvernatoren. Mora makinën dhe nxitova të shkoja për në takim, meqenëse aktualisht punojmë në godina të veçanta. Mu komunikua që kishte ndodhur një ngjarje e rëndë në Departamentin e Emisionit. Bëhej fjalë për një përvetësim të mundshëm të vlerave monetare nga punonjësi që i kishte në ngarkim. Fillimisht mu duk si zgjim nga një ëndërr e keqe, reagova e prerë se nuk ka mundësi dhe se duhej të ishte një alarm fals.
Eni Vasili: A e njihnit personalisht Bitrajn ?
Elivar Golemi: Jo. Nuk kam njohje personale me të pandehurin Ardian Bitraj, mund ta kem parë ndonjëherë për fytyrë në gjithë këto vite, po nuk e mbaj mend. Personalisht nuk kam pasur asnjë njohje apo kontakt me të. Për më tepër, veprimtaria e Bankës ushtrohet në 3 godina, duke e bërë më pak të mundshme njohjen apo kontaktet me punonjës të departamenteve të tjera, përveçse drejtuesve të departamenteve në takime.
Eni Vasili:Cila ka qënë puna juaj qe nga momenti që vjedhja u bë publike ?
Elivar Golemi: Kur ngjarja ndodhi dhe u denoncua nga ish punonjësi i Departamentit të Emisionit, grupi i auditimit po përmbyllte raportin e auditimit për disa objekte kontrolli që i përkasin funksionit të Emisionit dhe Administrimit të parasë. Në përputhje me programin e auditimit inspektorët kishin përfunduar testimet dhe punën në terren si dhe kishin dërguar fletët e punës me gjetjet dhe rekomandimet, të adresuara pranë Departamentit të Emisionit për komente dhe validime, pjesë e metodikes së punës në auditim. Për shkak të ngjarjes së ndodhur dhe shkarkimit të disa punonjësve dhe punës në situatë emergjente, pranë Departamenti Emisionit, njoftova menjëherë administratoret për pezullimin e angazhimit të auditimit. Njëkohësisht u informua Këshilli Mbikëqyrës, në mbledhjen e datës 27 korrik 2014. Po atë ditë 4 nga 8 inspektoret e kontrollit u përfshinë në komisionet e inventarizimit, me kërkesë të Zv. Guvernatores, meqenëse nevojitej të ishin punonjës me çertifikatë sigurie për sekret shtetëror. Më duhet të bej një sqarim këtu, përsa i përket terminologjisë që rëndomë përdoret në mënyrë të gabuar nga mediat, por shpesh edhe nga ekspertë të fushës. Kontroll-Inventar-Auditim janë tre koncepte të ndryshme.
Sistemet e kontrollit të brendshëm, janë përgjegjësi e Drejtimit dhe përfshijnë rregullat, udhëzimet, procedurat dhe sistemet që mundësojnë kryerjen e veprimtarisë së njësisë në funksion të përmbushjes se objektivave. Auditimi i brendshëm, apo thënë ndryshe kontrollet e ushtruara nga Departamenti i Kontrollit, mundësojne vlerësimin e kontrolleve të vendosura nga Drejtimi dhe dhënien e sigurisë së arsyeshme se këto kontrolle janë të mjaftueshme dhe efektive. Inventari është një tjetër procedurë kontrolli, detyrë e të cilit është verifikimi fizik i vlerave monetare dhe materiale me qëllim vlerësimin e saktësisë së llogarive kontabël dhe raportimeve financiare. Inventarizimi nuk është detyrë e auditimit, por auditimi vlerëson nëse kjo procedurë kontrolli (inventarizimi) është kryer në përputhje me rregulloren.
Periudha Korrik-Gusht ka qenë mjaft e ngarkuar, raportime dhe informacione të përjavshme pranë Këshillit Mbikëqyrës, mund të kishte raste edhe dy herë brenda javës. U dërguan të gjitha dokumentacionet e kërkuara në prokurori. Në fund të Korrikut është dorëzuar dosja e auditimit në proces për vitin 2014, një material prej 350 faqesh. Gjatë muajit Gusht, u dorëzuan edhe dy dosjet e tjera të auditimit për funksionin Emetimi dhe Administrimi i Parasë, për vitet 2011 dhe 2013. U dërguan pranë Kuvendit të gjitha raportimet e Inspektorit të Përgjithshëm pranë Këshillit Mbikqyrës, për periudhën 2010-2014, ku janë reflektuar të gjitha problematikat e hasura dhe raportuara periodikisht pranë Këshillit Mbikqyrës.
Në datë 8 Gusht, pasi situata filloi të normalizohej pranë Departamentit të Emisionit, u vijua me auditimin e pezulluar, me një program auditimi shtesë me qëllim investigimin e ngjarjes së ndodhur dhe vlerësimin e sistemeve të sigurimit dhe mbrojtjes, shtesë nga programi i pare i auditimit. Në vija të përgjithshme këto kanë qenë detyrat që kemi ndërmarrë në këtë periudhë. Nuk e kuptoj pse askush nuk më pyet për këto.
Eni Vasili: Çfarë ka ndodhur sipas jush,si ka ndodhur vjedhja? A ndieni ndonjë përgjegjësi qoftë edhe moralisht për vjedhjen?
Elivar Golemi:Do të isha personi me i lumtur sot nëse do të kisha një përgjigje për pyetjen tuaj. Mekanizmi i vjedhjes dhe zbulimi i detajeve janë pjese e punës së prokurorisë. Mënyra sesi po zhvillohen ngjarjet dhe arrestimet në masë të kryera nga prokuroria, mendoj se kanë zbehur mundësitë, që skema e vjedhjes të zbulohet. Të gjithë personat qenë mënyrë direkte apo indirekte që mund të zbardhnin sado pak rrethanat e ngjarjes, të gjithë ndodhen sot pas hekurave në paraburgim.
Çfarë ka ndodhur? Përsëri nuk kam një përgjigje të bazuar në fakte. Nëse do na jepej mundësia të vazhdonin auditimin e nisur në datë 8 gusht 2014, me programin shtesë të auditimit, besoj fort se mund të kishim bashkëpunuar e ndihmuar sado pak prokurorinë, për të zbardhur rrethana të ngjarjes.
Javën e fundit të punës, vetëm 2 ditë para arrestimit tim, në i vumë në dispozicion oficerëve të organit hetimor, disa fakte të reja të marra gjatë auditimit, të cilat në vlerësimin tonë mund të hidhnin dritë mbi ngjarjen. Nuk mund t’ju flas më gjatë për këto fakte se janë pjesë e hetimit. Gjithçka mbetet nga dëshmitë e dhëna nga Bitraj dhe nga hetimet e Prokurorisë.
Sa për përgjegjësitë, mendoj se duhet të kërkohen pranë personave që kishin për detyrë të ruanin, siguronin dhe mbikëqyrnin ambientet ku ruhen vlerat monetare, ambiente të sigurisë se larte ku ruhet sekret shtetëror. Banka e Shqipërisë ka pasur dhe ka të gjitha strukturat që nevojiten për të parandaluar një vjedhje të tillë. Ne nuk jemi policet e bankës, ka një departament Sigurimi në bankë me një staf prej 50 vetave, detyrë e të cilëve është ruajtja dhe sigurimi i mjeteve të bankës nga vjedhjet, përfshirë sigurinë e ambienteve të vlerave monetare. Përsa i përket zbulimit, përsëri ka detyra dhe procedura të mirë përcaktuara lidhur me kontrollet dhe rakordimet periodike nga vetë njësia apo kryerjen e inventarizimit vjetor fizik të vlerave monetare dhe materiale në BSH.
Nuk është detyrë e auditimit, iventarizimi fizik i vlerave monetare dhe materiale. Ne kemi vlerësuar se ky proces është kryer çdo vit, dhe në përputhje me përcaktimet e rregullores. E ka vlerësuar edhe KLSH ne draft raportin e tij.
Rregullorja e inventarizimit nuk i njeh të drejtën Inspektorit të Përgjithshëm, të propozojë ngritjen e një komisioni inventarizimi për asnjë rrethanë të përcaktuar në bazën rregullative. Në këto kushte, praktikisht është e pamundur që grupi i auditimit të zbulonte mungesat në disa kuti, të vlerave monetare, në një magazine shumë të madhe të rezervave monetare të ruajtura pranë BSH. Prandaj për këtë është inventarizimi.
Përgjegjësi morale sigurisht që ndjej ashtu si çdo nëpunës tjetër në BSH. Pas ngjarjes së ndodhur dhe reputacionit të rënë në një Bankë Qendrore është mëse e pranueshme që secili prej nesh të ndjej dhimbje dhe moral të rënë, për institucionin që punuam dhe iu përkushtuam për kaq vite.
Por tani jam shkarkuar nga detyra. A mund të flitet për përgjegjësi morale pas shkarkimit ?Ne këtu po diskutojmë për arrestimin.
Eni Vasili: A është reale shifra që përflitet dhe kohëzgjatja e vjedhjes.Thuhet që vazhdonte prej katër vjetësh. A është e mundur një gjë e tillë?
Elivar Golemi: Përsa i përket kohës, nuk ka asnjë provë që mund të faktojë thëniet e të pandehurit të akuzuar për vjedhje, i cili pretendon se ka vjedhur për një periudhe 4 vjeçare. Unë nuk mund të konfirmoj nëse vjedhja ka ndodhur në 4 vite, 4 muaj apo 4 ditë. Këtë gjë ia lë në dorë organit kompetent për ta provuar. Po të na kishte lënë prokuroria të përfundonim auditimin e nisur qoftë edhe nën mbikëqyrjen e saj, mund të kishim bashkëpunuar për të zbardhur rrethanat.
Vlera e vjedhur, unë besoj fort se është e sakte, ajo qe është konfirmuar nga komisionet e inventarizimit të ngritura për këtë qellim. Unë nuk kam qënë pjesë e inventarizimit, por bashkë me drejtorët e tjerë kemi mbështetur hap pas hapi procesin e inventarizimit, me qëllim identifikimin e vlerës së saktë të vjedhur.
Eni Vasili: A është e mundur që zinxhiri drejtues i Bankës të mos këtë asnjë përgjegjësi për këtë vjedhje të bujshme. Cilët janë përgjegjësit sipas jush ?
Elivar Golemi: Duke qenë në kushtet e një arresti me burg, nuk besoj se jam personi i duhur për të ngritur gishtin dhe treguar përgjegjësitë. Përgjegjësitë e gjithësecilit janë lehtësisht të verifikueshme bazuar në aktet rregullative të BSH. Banka ka investuar(proceduar) një sistem të mirë sigurimi dhe monitorimi me kamera. Nëse çdo hallkë do të kishte funksionuar siç duhet, jam plotësisht e bindur se vjedhja nuk do të kishte mundësi të ndodhte, të paktën jo në këto përmasa. Ky është një parim bazë i administrimit të rrezikut, sistemet e kontrollit ndërtohen për të limituar rreziqe të ndryshme të identifikuara, po asnjëherë nuk pretendohet që ky rrezik të bëhet zero. Mbetet në dorën e hetimeve për të vlerësuar përgjegjësitë në zinxhirin e drejtimit të BSH.
Eni Vasili:.Cila është përgjegjësia e Këshillit Mbikëqyrës ?
Elivar Golemi: Përgjegjësitë e Këshillit Mbikëqyrës janë të përcaktuara në ligjin e BSH përkatësisht neni 42 dhe 43 të tij. Këshillit Mbikëqyrës është organi më i larte vendimmarrës e mbikëqyrës i politikave, i administrimit dhe operacioneve të BSH. Ndër të tjera Këshilli Mbikëqyrës ka kompetenca të miratoj të gjitha rregulloret dhe udhëzimet, të miratojë të gjitha raportet dhe rekomandimet që Banka i paraqet Kuvendit, të vendosë mbi politikat e administrimit të bankës, etj, etj…Lidhur me përgjegjësitë e Këshillit Mbikëqyrës me Inspektorin e Përgjithshëm si dhe mbikëqyrjen e funksionit të auditimit të brendshëm apo atij të jashtëm, përgjegjësia e Këshillit Mbikëqyrës vlerësoj se është direkte. Ka pasur gjatë gjithë kohës një indiferencë nga Këshilli Mbikëqyrës përsa i përket raportimeve të Inspektorit të Përgjithshëm madje në disa raste nuk janë adresuar problematikat e ngritura nga Departamenti i Kontrollit apo auditori i jashtëm, për disa vite rresht. Shembulli me i qartë është mungesa e një komiteti auditimi me praninë e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, por pa administratorët, me qëllim mbikëqyrjen dhe adresimin e problematikave të ngritura nga auditimi i brendshëm, auditimi i jashtëm, raportimet financiare dhe sistemet e kontrollit të brendshëm. Këto konstatime janë adresuar edhe nga misioni I FMN “Safeguards Assessment”, për BSH në qershor 2014. Këto mund të them unë, pastaj më gjatë nuk me takon mua por instancave të tjera.
Eni Vasili: Ju jeni kryeinspektore që nga 2011,pra për një mandat pesë vjeçar. Keni kryer inspektime gjatë kësaj kohe?Keni konstatuar shkelje dhe nëse po a keni informuar Këshillin Mbikëqyrës siç iu detyron ligji?
Elivar Golemi: Objektivi kryesor i Departamentit të Kontrollit që unë kam drejtuar nga viti 2011 është të sigurojë vlerësim dhe zbatim të ligjeve dhe akteve të tjera nënligjore në veprimtarinë e BSH. Objektiv tjetër i Departamentit të Kontrollit është të veprojë si një masë kontrolli e përgjithshme dhe shërbim konsulence për administratorët(guvernatore dhe zv. guvernatore) dhe Këshillit Mbikëqyrës. Bazuar në dispozitat ligjore dhe nënligjore në fuqi kam hartuar plane vjetore të auditimit në vitet 2011-2014. Plani i punës për departamentin e Kontrollit miratohet nga vetë Inspektori i Përgjithshëm por paraprakisht është bërë i njohur për Këshillit Mbikëqyrës me qëllim marrjen e komenteve/sugjerimeve mbi zonat me interes nga ana e tyre për të kontrolluar gjatë vitit në vijim.
Veprimtaria e departamentit funksionon edhe bazuar në manualin e procedurave të auditimit të brendshëm ku përcaktohet objektivi i mbulimit në auditimin në një periudhë 5 vjeçare, i të gjithë funksioneve, veprimtarive të BSH. Gjatë periudhës mars 2011-korrik 2014 janë kryer gjithsej 43 angazhime auditimi nga të cilat 3 angazhime auditimi i përkasin funksionit të Emetimit dhe Adminitrimit të parasë. Përkatësisht në vitet 2011, 2013 dhe 2014, është kryer auditimi të disa proceseve të ketij funksioni bazuar në programin e auditimit. Konkluzioni dhe vlerësimet për veprimtarinë e departament të kontrollit janë reflektuar në disa kontrolle dhe raporte të kryera nga institucione financiare ndërkombëtare apo kontrollore të tjerë brenda vendit. Pra në jemi vlerësuar nga : -Raporti iFMN “Safagruard Assessment” për BSH që mban datën 06.06.2014 -Projekt raporti “Për auditimin e ushtruar në BSH” nga KLSH me datë 30.6.2014 -Projekt raporti i ekspertit të ECB, në kuadër të projektit IPA, program bashkëpunimi për përgatitjen e BSH për hyrjen në sistemin evropian të bankave qendrore datë 10.07.2014.
Eni Vasili: Refuzimi juaj për tu paraqitur në komisionin e ekonomisë është pritur keq nga opinioni gjë që është reflektuar në rrjetet sociale. Pse ju e refuzuat. A ju këshilluan keq? 16/1. Ne fund të fundit ju jeni zgjedhur pikërisht nga parlamenti. Sipas kryetarit të komisionit të ekonomisë qëndrimi juaj ishte i paprecedente dhe antikushtetues
Elivar Golemi: Nuk ishte çështje frike por ligji! Së pari nuk më ka këshilluar askush sepse nuk mund të pranoja këshilla për diçka që është në ligj. Po ju sqaroj drejt dhe saktë pa lënë shteg për interpretim. Ligji për Bankën me detyron të raportoj vetëm në Këshillin Mbikëqyrës. E theksoj vetëm në Këshill dhe askund tjetër. Nuk më lejohet nga ligji të raportoj diku tjetër. Dhe jo vetëm kjo, por ligji detyron vetëm Këshillit Mbikëqyrës të miratoj raportet qe i drejtohen Kuvendit. Si mund të shkoja unë në Kuvend të raportoja kur duhet të raportoj vetëm para Këshillit. Dhe si mund të pritej raporti im kur vetëm Këshilli miraton raportet qe i dërgohen Kuvendit. Unë vërtetë emërohem nga parlamenti,ashtu siç emërohen edhe anëtaret e Këshillit Mbikëqyrës, por më ka kufizuar ligji të raportoj vetëm para Këshillit Mbikëqyrës.
Refuzimi ishte një vendim personal ashtu siç ishte vendimi edhe i gjithë anëtarëve të tjerë të KM për tu mos u paraqitur para Komisionit te Ekonomisë, pavarësisht se vendimi i tyre mund të interpretohej njëlloj antikushtetues dhe anti- ligjore.
Z.Brace, me kërkesë të tij, mori një raport prej 540 faqesh nga Banka, për këtë veprimtari. Si mund të veproja ndryshe? Në shkelje të ligjit?? Pa folur pastaj për shkresën e tij pa asnjë referencë ligjore, pa asnjë temë konkrete por thjesht “eja dhe dëshmo për problematikat e bankës”. E këtu nuk po përmend nenin 80 të Kushtetutës se është një argument plus.
Eni Vasili:Pse mendoni se ju thirri atëherë ?
Elivar Golemi:Nuk e di.
Eni Vasili:Po të ktheheshit prapa do të mbanit të njëjtin qëndrim
Elivar Golemi:Absolutisht të njëjtin qëndrim. Është i pastër ligjor. Më duket se e pësova si personazhi i Molierit -që “kur gënjeu e rrahën, dhe kur tha të vërtetën – prapë e rrahën”. Edhe unë – po të shkoja në parlament – do të me shkarkonte Këshillit Mbikëqyrës se përse shkove, dhe me të drejtë. Tani që nuk shkova në parlament më shkarkuan – përse nuk shkove. Atëherë shikoni ligjin. Kaq.
Eni Vasili: Cila ka qene marrëdhënia juaj me guvernatorin Fullani?
Elivar Golemi: Korrekte, zyrtare, ajo e një nënpunësi me drejtuesit – rutinore.
Eni Vasili: A ju zhgënjeu guvernatori në momentin që ju mbetet pas hekurave për të njëjtat akuza dhe ai doli në arrest shtëpie ?
Elivar Golemi: Jo, nuk kishte lidhje me guvernatorin kjo. Mua më zhgënjeu trupi gjykues me vendimin e tij. Kam lexuar arsyetimin e vendimit dhe më bën përshtypje fakti se në arsyetim ata më gjykuan në themel dhe më shpallën fajtore. Argumentet e tyre janë të gjykimit në themel. Aty po shqyrtohej masa e sigurimit ata e gjykuan në themel. Në vendim, se në gjykim nuk u fol fare për ato që thuhen në arsyetimin e vendimit. Kjo tregon se nuk kishte fare argumente për mbajtjen time në burg dhe me zor u gjetën ato të fajësisë. Po ju jap një shembull: – unë deklaroja që kam bërë auditime periodike dhe raportime në Këshilli Mbikëqyrës., gjykatësit pyesnin prokurorin – ke dijeni për këtë? Jo, nuk kam dijeni – thoshte prokurori. Dhe ata me konsiderojnë mjaftueshëm fajtore për të qëndruar në burg. Po si qëndroj unë në burg kur prokurori deklaron tre herë nuk kam dijeni. Këtu jemi të “procesi i Kafkës me duket”.
Eni Vasili: Pse mendoni se ju mbetet në burg. Mero Baze,botuesi i gazetës Tema, rreshton si arsye se ju nuk patët mbështetje politike dhe financiare për të korruptuar prokurorinë e mbi të gjitha jeni dhe femër. Ju çfarë mendoni ?
Elivar Golemi: Nuk dua të komentoj gazetarët, por e di që mbështetje politike nuk kam e aq më pak financiare, por nuk dua ta besoj që procesi do të ndikohet nga këto të dyja. Nëse kjo do të rezultonte e vërtetë, pra që duhet mbështetje politike dhe financiare për të fituar të drejtën, atëherë është e kotë që flasim. Do kishte mbaruar gjithçka. Është sikur unë të luftoj me shpatë druri ndërsa kundërshtari me automatik me plumba. Le të shpresojmë që kjo nuk do të ndodhë.
Eni Vasili:Si kanë kaluar këto ditë në burg dhe çfarë mendoni për realitetin e tij. Ju krijojnë mundësinë ti ndiqni mediat? në ç `mënyrë?
Elivar Golemi: Është një ambient komplet tjetër. Krejt ndryshe nga ajo që kam parë nëpër filma apo lexuar për burgjet. Së pari një herë dua të vlerësoj administratën e burgut këtu. Për korrektësinë dhe rregullin me të cilin bëjnë punën e tyre. Për etikën dhe mirësjelljen jo vetëm ndaj meje – më kuptoni. Dhe kjo administratë këtu bëjnë një punë – o zot, sa të vështirë. Përsa i takon ambientit të kuptohemi, burgu është burg. Jeta në burg ka shije të hidhur, është plot vuajtje dhe ditë të vështira. Miksohen në vijimësi e mira dhe e keqja, vështirësitë dhe qetësia, dhimbja dhe buzëqeshja…secili duhet të përpiqet fort në pritje të ditës tjetër.
Eni Vasili: Kanë qene jo të pakte zërat qe kanë dale kundër vendimit të apelit për masën tuaj të sigurisë. Mes tyre ish kryeministri Berisha dhe kryeministri aktual Rama. Ata rralle bien dakort për ndonjë gjë. Jeni ndjere mire për këtë?
Elivar Golemi: Absolutisht që jam ndjerë mirë. Përderisa detyrohen dy kryeministra të pohojne të njëjtën gjë për këtë proces më duket se gjërat e gabuara kanë shkuar larg. Por gjithçka i mbetet gjykatës.
Eni Vasili:Jeni në ndonjë dhome të veçantë apo bashke me të paraburgosurat e tjera. Si ju priten ato ?
Elivar Golemi: Jemi disa të arrestuara. Këtu secili shikon punën e vet, hallin e vet dhe çfarë problemesh mëson këtu sidomos në repartin e grave ku jam unë – një tmerr. Këtu jeta shfaqet tërësisht e zhveshur dhe me të gjithë egërsinë e saj. Që ta njohësh jetën duhet të njohësh burgun ka thënë dikush. Por një mungesë ka këtu për të cilën s`ka çfarë t`bën kërkush: është ajo që thotë Dostojevski: “ne burg për asnjë moment nuk mund të jesh vetëm”.
Eni Vasili: A jeni takuar me familjaret. Për çfarë ju vjen me tepër keq?
Elivar Golemi: Takohem rregullisht sipas sipas regjimit ligjor që vepron këtu. Nuk kam pasur asnjë pengese deri tani. Prindërit më përkrahin dhe nuk mungojnë që me çdo mjet të ma vënë në dukje se janë pranë meje. Më vjen keq, që pa dashjen time, u nxora këtë problem në këtë moshe.
Eni Vasili: Si e shikoni fundin e këtij procesi dhe të ardhmen tuaj?
Elivar Golemi: Jam e bindur në pafajësinë time dhe se nuk ka mundësi që drejtësia të mos rivendoset por të veproje gjithmonë si deri tani. Unë besoj të ligji dhe drejtësia si filozofi. Nuk ka sadisfaksion më të madh për çdo njeri kur vëren që rivendoset ligji dhe drejtësia. E kundërta është shumë tragjike.
Të ardhmen time e shoh që, kur të dal, do filloj gjithçka nga e para dhe do ti arrij pikësynimet që i kisha vënë vehtes para se të ndodhte e gjithë kjo. Do të përfundoj provimet dhe do të pajisem me licencë ndërkombëtare si financiere. Principi kryesor i egzistencës është: “Të gjitha situatat në jetë përshtati për vetë, që gjithnjë prej tyre të marrësh më të mirën.”
Eni Vasili: A ka diçka që doni ti thoni dikujt sot ?
Elivar Golemi: Familjarëve, të afërmve, rrethit tim shoqëror i them që do qëndrojmë të fortë. Jeta është luftë dhe unë do ta fitoj këtë betejë. Ka pasur njerëz që kanë fituar kundër kancerit, e si nuk fitokam unë kundër një padrejtësie. Çfarëdo që të ndodhë, unë ndjehem në paqe me vehten se jam e pafajshme dhe dua ti bind të gjithë të njohurit e mi që jam e pafajshme. Kjo është shumë e rëndësishme.
Do te ishte pak e cuditshme te dilje e pafajshme kur ‘humbin’ 400 milion evros !!!!
Kane humbur 7!
Kjo qenka komplet jashte orbite.
Kur e cuan Shvejkun para pushkatimit, e pyeten per deshiren e fundit.
Kur Shvejku u pergjigj negativisht, ata i ofruan nje cigare.
Shvejku ju pergjigj: Faleminderit, por po mundohem ta le cigaren.
Kjo shushka paska bere planet si do japi ato dy provimet.
Tani u mbyll dhe Universiteti Kristal, se ata ta dergonin Diplomen ne Burg.
Ti je jashte orbite o toc ajo di se cthote. Sado shkolle te kete ajo koqet koqe ngelin dhe ajo si bind dot as nuk do ti bindi. Pse si ty eshte ajo qe shkruan budallalliqe gjithe diten si anonim
“Te nesermen i kerkova rojes nje fshese dhe nje kove me uje dhe pastrova qeline”.
A e dinte elivari qe te merrje nje page 60.000 euro ne vit (sa te obames) do te thote te mbash pergjegjesi te madhe. Nderkohe qe si profesioniste qe eshte duhet ta dije qe ne qe kemi te njejtin shkollim me te nuk marrim me shume se 2.000 euro ne vit. Ky eshte ndryshim i madh prandaj edhe duhet te vuaje denimin si Mimoza, liljana sepse nuk jane ato fajtore me shume se ajo. Turp qe kane abuzuar me kete popull.
Kush te tha ore zoteri se Obama merr $60,000 ne muaj. Une jam ekonomiste e thjeshte ne amerike edhe marr $80,000 plus perqindje mbi fitimet. Sikure te kisha diturine qe me aq mund qe e ka fituar ish-inspektorja, do te mund te te merrja te pakten $300,000 ketu. Por eshte mese e vertete qe per shqiperine nuk ja vlen te sakrifikosh se ajo te djeg, prandaj juve merrni 2000 euro ne vit sepse mendoni keshtu sic shprehesh ne kete koment.
Po te ishe ekonomiste e thjeshte ne Shqiperi nuk do fitoje me shume se 4800 usd ne vit. Mbase komentuesi me siper s’ja ka pasur shume idene e rrogave ne USA por ne thelb problemi qendron njesoj. Te duken pak ty per nivelin mizerie te rrogave shqiptare (ku nje mesatare eshte 150 – 200 usd ne muaj) te marresh 5000 euro ne muaj aka 6300 usd? Ne burg duhet te jene te tere duke filluar nga Fullani e deri tek i fundit. Ne kete pike jam dhe une dakord qe te pakten ta kishin nxjerre ne arrest shtepie Elivar Golemin. Ne rast se kjo vjedhje do kishte ndodhur ne USA besoj se e di cfare pasojash do kishte mbi te tere pergjegjesit e nje banke!!
goce ndodhi ne france po nuk e ke marre vesh se gazetat e braces nuk e dhane. U arrestuan hajdutet ju kapen leket mbaroi nuk u fut ne burg gjysma e Bankes se frances si ketu dhe as nuk u diskutua te iki Guvernatori a drejtori i atyre punonjesve a audituesi. Ketu jo vetem qe hajduti spyetet fare intensivisht per te gjetur leket po arrestohen te tjeret kot nuk i komunikohet asgje pse jane arrestuar .njerez si ty i bejne kriminele neper blogje vetem se merrkan shume leke. dhe sa per lek nuk merr njeri 5000 euro ne muaj. Po dashakeqet fusin dhe dietat qe marrin kur shkojne me sherbime. Sipas teje Guvernatori merr dieten dhe jashte nuk fle ne Hotel po ke stacioni trenit qe te kurseje dieten. Keto jane mentalitete te kohes se enverit atehere shkonin jashte me buken me vete.
E verteta nje dite do fitoje. Mbahu e forte bashkeatdhetarja ime. Do e beja burgun une per ju vec te kisha vullnetin edhe zgjuarsine tuaj. Eshte e vertete se dituria eshte aseti me me vlere, por kto vlera fatkeqesisht nuk njihen ne vende te korruptuara si vendi jone. Te dhashte zoti force te mbash lart kurrajon qe ai vete ta paska dhuruar.
ti zonja gjasme ‘specialiste’ …nuk te duket pak cudi qe nga nje ekonomiste e thjeshte e nje institucioni si femijet jetime te behesh direkt inspektore ne auditim te bankes nacionale ?!
Ketu ne kete vend ku jetoj une nuk ndodh dicka e tille kurre gjalle ne bote !!!!!!!!!!!!!!!
O toc ka filluar qysh ne 2003 ne banke si specialiste e thjeshte pas 8 vjetesh pune aty eshte bere inspektore ka punuar njehere 8 vjet ne banke qendrore nga 2003 deri ne 2011 pastaj eshte bere inspektore. Pse ty do te benin qe dhe kur lexon 10 rreshta gjysmat i le pa lexuar.
Mjaft se na hape barkun me kto patetizma dylekshe o esmeralda
Ja ne cfare vendi injorant jetojme. Masa u ekzaltua kur prokuroria beri show me kete zonje te prangosur, nderkohe qe tani pas disa javesh nga kjo ngjarje eshte e qarte se ajo eshte aty ku eshte thjesht per dy arsye: Per ti hedhur nje kocke popullit medemek qe prokuroria po be kerdine dhe ngaqe nuk ka ndonje mbeshtetje politike apo financiare.
Pamvaresisht menyres se si kjo zonje ka ardhur ne kete pozicion (e cila me duket shume e debatueshme duke patur parasysh natyren e pozicionit dhe eksperiencen e saj ne momentin e aplikimit), nisur nga te dhenat qe kane dale deri tani ne pah, eshte e qarte se ajo eshte bere kurban per masen. Prokuroria qe deri tani nuk po merret vesh nese eshte e paafte apo thjesht paintegritet po luan me jeten e ketij personi ne menyre krejt te papergjegjshme. Koha do ta tregoje qe vendimi per arrestim por me teper menyra se si po trajtohet kjo zonje jane krejtesisht te padrejta.
Kur zihen elefantet, nuk e ka mendjen njeri tek bari qe shkelet eshte nje shprehje. Rasti I kesaj zonje I kujton te gjithe njerezve qe I perkasin te njejtes kategori me kete zonje, se sa paradoksalisht e pasigurte eshte ekzistenca ne nje vend si ky I yni. Fatkeqesia me e madhe per vendin tone eshte se zhvillimi dhe perparimi priten nga kjo kategori njerezish, te cilet ne fakt bejne mire te largohen sa me pare nga ky vend.
vetem nje gje nuk e fsheh dot prokuroria: pse nuk e merr nen hetim shefin rojeve te kamerave te sigurise qe eshte babai i drejtores se tatimve, zj briseida. eshte vjedhur banka 4 vjet rresht nen hunden e kamerave te sigurise dhe babai i briseides me syte tek to, nuk paska pare asgje. more lete nxjerre fajtor fullanin, golemin e qindra te tjere e ti vare po deshi ne mes te tiranes. shefin qe ruante me kamera pse nuk e merr ne hetim, pse nuk e pyet dikush ate ku i kishe syte. ah babi, babi, he, he, he!!!!!
po moj zonje ju nuk keni faj faj kan i gjith populli qe su djegin e pjekin me te gjith cfar keni dhe pasurite tuaja te konfiskohen dhe te shlyet demi qe i shkaktuat shoqerise dhe te behet mesim per te tjer abuzues
Ti nuk je populli po mbetje e diktatures qe duhet riedukuar. Populli e tregoi veten kur nuk ju doli ne shesh po ju la si legena.
Bravo elivar qendro e forte tregove ca niveli ke dhe dallimin e madh me ata qe te paragjykojne. Kujdesit po i them qe ajo bruzia as nuk mund te krahasohet pasi e dinte vjedhjen dhe nuk e denoncoi.
Eni Vasili: Pse mendoni se ju mbetet në burg. Mero Baze,botuesi i gazetës Tema, rreshton si arsye se ju nuk patët mbështetje politike dhe financiare për të korruptuar prokurorinë e mbi të gjitha jeni dhe femër. Ju çfarë mendoni ?
Mendimi im eshte qe Mero e di shume mire se cilet jane ata qe kerkuan koken e fullanit, sepse ata i kane paguar edhe llogarine e punes se pallodhshme. Ata donin vetem koken e fullanit (keshtu ishte bere pazari) dhe jo koken time.
Po perse moj Eli (VAR) nuk u paraqite te rrefehesh perpara komisionit parlamentar dy here rresht? Do kishim patur fatin te kuptonim dicka lidhur me katastrofen gatuar nga shefi (Saliu) dhe ju te tjeret. Presim drejtesi nga ZOTI. Mos u bej merak se nuk do qendrosh shume ne ate vrime. Do te te zevendesoje shume shpejt ndonje qytetar i zene ne flagrance per drejtim mjeti ne gjendje te dehur apo kaluar me semafor te kuq)
Kjo cupa u tregua goxha trime kur e la Erioin Bracen dy dite thate dhe pinte kafe per karshillek tek blloku,kujtonte se po benin shaka. Gjithkush vuan pasojat e veprimeve te veta.
Po pse ca ishte bracja qe te shkonte kjo ti akoma se kupton ta shpjegoi zonja shume mire. As Meksi nuk ja vari Braces. Po ketu del demagogu Brace behet hero duke tund dosjen qe i coi Elivari se per ta lexu as kishte nder mend, dhe ajo qe zbaton ligjin cohet ne burg. Kjo eshte mbrapsh mese 20 vjet ne Shqiperi. Duhet te shporrim demagoget si te majte e te djathte qe te hyjme ne evrope.
ELIVAR GOLEMIT duhet ti shikohet se cfare pasurie te luajteshme dhe pa luajteshme disponon. Por, gabimi fatal i kesaj eshte duhet ti ishte hapur Komisionit Parlamentar te Financave me kryetar ERION BRACE dhe mos kishte zbatuar udhezimet dhe direktivat qe i dergonin sepse kuptohet duke filluar nga majat e politikes, pushtetit, ekonomise, financave, drejtesise te gjithe kane henger garuzhdet e corbes se prishur dhe jane vetem per vjedhje, grabitje, shperdorime, ngatarresa, intriga, korrupsion dhe ky quhet klani mafioz i politikes te shkerdhyer shqiptare qe ndodhet ne dy krahet e saj si ne PeDe dhe ne PeSe.
Te lirohet nga qendrimi ne burg Governatori ARDIAN FULLANI dhe te rrine ne burg Inspektorja e pergjithshme ELIVAR GOLEMI, eshte si absurde dhe e qellimeshme. Qellimin duhet zberthyer se prej kujt interesa qendron ne burg bishti i sqeparit, kurse sqepari lirohet. Edhe EDI RAMA deri tani shume zhurme dhe asgje.
Ketu ska as sqepar e as bisht. Po ti se ke marre vesh akoma qe edi vetem shume zhurme per asgje eshte bashke me bracen. Do ti kthehet e gjitha si bumarang ketyre. Kurse ti ushqeu me propaganden e tyre dhe fajesoi njerezit e pafajshem se aq mend ke
Ah moj cupeze,cfare te te them me pare
je idiote apo je nje djall?
Juve u ftuat ne komisionin e kuvendit ,nuk begeniset te paraqiteshit.
Jane dy opsione ose e ndjeni veten teper te fuqishme,te pa prekeshme ose je idiote e lindur apo e transformuar.
Pohon se kur lexove se Fullani eshte arrestuar u habite dhe toka tu drodh nder kembe.Si ka mundesi qe ti nuk arrije ta kuptoje kur qytetaret shqiptare kerkonin me te madhe arrestimin e Fullanit dhe juve ju dukej e pa besueshme?
Deklaroni se ju nuk jeni police te kapni hajdutin e parave qe ju kane besuar shqiptaret;Si nuk ju vjene turp po kush duhet te pergjigjet per vjedhjen ,polici ? por vjedhja nuk u krye nga banda jasht banke,por nga banda brenda bankes,ju jeni apo nuk jeni antare e kesaj bande brenda bankes mbani pergjegjesi dhe JO VETEM BURGUN E KE HAK,POR EDHE SEKUESTRIMIN E CDO QINDARKE KU TA KESH
Te nderuar komentues,duke ju konsideruar njerez normal,me vjen shume keq me cinizmin tuaj dhe gjykimin tuaj te ceket…Zonja ne fjale deklaron se kam zbatuar vetem ligjin dhe se kunder saj duhet te dalin vetem ata njerez ” te kenduar ” qe njohin mire ligjet e shkruara ( sepse ne shqiperi,si vend i botes se trete ekziston edhe “ANTILIGJI” )
Shpresoj ne mirekuptimin e te gjitheve ju,komentues te nderuar
Me fal po kush eshte ai hajdut ne Shqiperi qe nuk zbaton “ligjin”?
Qe te gjithe me ligj vjedhin, na e mbushe mendjen duke dashur qe ti besh
njerezit te kompleksuar meqe nuk njohin ligjin…………
Sipas teje beni ti denojme njerezit ne internet anonim nuk na duhen ligjet. Po zbatoi ligjin dh vodhi me ligj njeri hallall se fut dot ne burg po ndrysho ligjin. Po mua sma do mendja qe edhe ne shqiperi te jene ligjet kaq te keqia.
Zonjes Elivar bravo i qofte, e edukuar dhe e shkolluar! Po sic permendi dikush me siper, ketu ne Shqiperi, edhe ne pune private kur shkon, me se shpeshti duhet te njohesh dike, te te rekomandoje dikush qe te kesh ndonje shans per te punuar, e jo me ne pune administrate shteterore!! E ku, te banka kombetare, qe me sa morem vesh, qenka foleja e familjareve e farefisit te politikaneve, kurse znj ka hyre ne pune vetem prej meritave te saj, sikur jemi ne Oslo ketu.
Qe ketu duket zinxhiri i genjeshtrave. Por me vjen shume keq e inat, qe kurdohere zbatohet ligji i standardit te dyfishte, per te njejtin faj dikush denohet, dikush lirohet, nje tjeter nuk arrestohet fare.
Prandaj askush nuk ka besim te drejtesia e te gjykatat. Keshtu e kane keto pune, kesaj radhe i ra fati i keq znj elivar, mbase do kujtohet dikush te nderhyje dhe per te.
Mire ja u bejne qe u vjedhin pastaj kur ka sylesh si ty qe i thone vjedhjes mashalla. Prit o derezi te flase gjykata njehere, mos u ekzalto kot nga keto intervista patetike.
o Emri Elivari eshte shembulli me i mire qe nuk ka patur nepotizem ne Banke sic thone gazetat. ajo ka punuar 8 vjet aty deri sa ka arritur te behet inspektore. nuk u morr me sot per neser po e tregoi veten njehere. Shikoi gjithe drejtoret qe jane ne Banke asnje nuk eshte i lidhur me Politiken pervec Gjermenit qe e ka gruan Ministre tani. Po dhe ai eshte specialist per shume vite fundja nuk ka pse iken se gruaja ju be ministre. Banka eshte krejt ndryshe nga administrata shteterore aty kane shkuar njerez qe kane nisur nga fillimi me pak leke deri sa kane arritur aty. keta te afermit e politikaneve asnje nuk eshte per pune kaq afatgjate te gjithe synojne tatime dogana duan te bejne leke shpejt nuk duan te presin 8 vjet si elivari per tu bere pastaj inspoktor qe te marrin 2 milion leke kjo presupozon per ta shume pune.
Dakord me Erind.F
Avash moj zonje, avash, do dalesh shume shpejt dhe ti, koha verteton qe te gjithe ata qe vjedhin, shperdorojne dhe e masakrojne kete popull dalin pa lagur, i bie qe ne si popull kemi vjedhur dhe jemi kriminele, ri rehat, me kete prokurori qe kemi ne,te gjitha ceshtjet zgjidhen fet e fet, bej durim he xhan, por ta dini qe mallkimi i ketij populli te vuajtur dhe te varfer do t’ju zere deri ne 10 breza, mos pafshi piken e hajrit dhe zoti ju ndeshkofte, ju dhe ata qe ju mbrojne, zi e me zi u vafte jeta.