Hetimi i dy anëtarëve të KLD/ Subashi: Po verifikojmë dokumentacionin. Braho: PD të mos e lerë në baltë Cefën

3 Tetor 2014, 13:03Politika TEMA

Kuvendi ka të drejtë të kontrollojë veprimtarinë e të zgjedhurve të tij. Kështu u shpreh  Armando Subashi, Kryetari i Komisionit hetimor parlamentar për hetimin e dy anëtarëve të KLD Elvis Cefa dhe Lulzim Lelçaj.

Ndërsa e konsideroi si plotësisht kushtetues hetimin e dy anëtarëve të KLD, ligjvënësi socialist i ka drejtuar një apel opozitës që të gjejë forcën dhe të bëhet pjesë e hetimit parlamentar.

“Do shikojmë nëse dokumentacioni është i plotë. Po verifikohen vendimet e dy anëtarëve të KLD-së”, deklaroi deputeti Subashi.

Ndërsa ligjvënësi Spartak Braho tha se opozita duhet të marrë pjesë në këtë hetim, duke shtuar se deputetët e PD nuk duhet të lënë në baltë dy anëtarët e KLD-së.

Dy ditë më parë zv. Kryetari i KLD ka dorëzuar dokumentacionin pranë Kuvendit, megjithëse e ka konsideruar si anti-kushtetues hetimin parlamentar. Cefa ka hedhur poshtë hipotezën për një dorëheqje të mundshme nga pozicioni i zv.Kryetarit të KLD-së.

Në mbledhjen e tij të parë konstituuese më 26 shtator, komisioni prezantoi një plan paraprak hetimi, ku përfshihej grumbullimi i të dhënave nga KLD, përmes procesverbaleve të mbledhjeve dhe vendimeve të marra nga ky Këshill, që nga periudha kur kanë filluar të ushtrojnë detyrën anëtarët Çefa dhe Lelçaj.

Gjithashtu puna hetimore e komisionit do të shtrihet dhe në emërimet nga KLD-ja të gjyqtarëve në gjykatat administrative, mosemërimi i 28 kryetarë gjykatash në kundërshtim me ligjin, etj.

Në këtë mbledhje, me propozim të deputetit të LSI-së, Spartak Braho, komisioni vendosi që pjesë e planit të hetimit të bëhen dhe lidhjet familjare të anëtarëve të KLD-së dhe pasuria e anëtarëve Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj. Në përmbushje të objektit të hetimit komisioni do të kërkojë dhe korrespondencën mes KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Komisioni hetimor për shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj u ngrit një javë më parë nga Kuvendi, me kërkesë të maxhorancës, pas akuzave ndaj tyre për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit te detyrës në këtë institucion të rëndësishëm.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi më 2 tetor rezolutën për Shqipërinë.‎ Asambleja vlerësoi progresin e bërë në 5 vitet e fundit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat si rrjedhim i këtij progresi, si dhe nënvizoi një sërë problemesh që duhen trajtuar në fushën e demokracise, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje