Nënkryetari i Komisionit parlamentar të Mediave, deputeti socialist Alfred Peza i ka drejtuar një apel kolegëve të tij të opozitës që të marrin pjesë në mbledhjen e Komisionit për të zgjidhur ngërcin në lidhje me plotësimin e vendeve vakante në AMA.
“I bëjmë thirrje opozitës të vijë e të ushtroje të drejtën e saj ligjore. Të vijë opozita e të zgjidhim ngërçin”, tha Peza.
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka vijuar edhe sot me procedurat për plotësimin e vendeve vakante në AMA (Autoriteti Medias Audiovizive) pa praninë e opozitës, ndërsa është skualifikuar nga gara kandidatja Merita Myftari.
Nënkryetari i Komisionit të Medias, Alfred Peza, tha se opozita është vënë në dijeni për përjashtimet, por “s’ka kthyer përgjigje”.
Pritet që Komisioni në mbledhjen e së mërkurës të zgjedhë dy emrat për anëtarë që i takojnë mazhorancës dhe të enjten do t’i paraqiten për votim seancës plenare.
Ditën e djeshme janë përjashtuar nga gara dy emra të tjerë në listën prej 26 kandidatëve, Feti Zeneli dhe Edlira Çaushi.
Partia Demokratike nga ana e saj e ka cilësuar procesin si anti-Kushtetues dhe ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Deputetë të PD akuzojnë mazhorancën se po tenton të uzurpojë një tjetër institucion të pavarur sikundër është AMA.