Dhame: Vizita e Papa Françeskut i dha hov turizmit shqiptar

12 Tetor 2014, 13:36Sociale TEMA

“Turistët e huaj po e preferojnë çdo vit e më shumë Shqipërinë. E konsideruar si një oaz i pazbuluar në Evropë bukuritë e natyrës shqiptare kanë gjetur vend në kopertinat e dhjetëra revistave botërore . Ardhja e Papa Françeskut në Tiranë i dha një hov edhe më të madh zhvillimit të turizmit shqiptar, por mbi të gjitha përmbysi imazhin negative dhe atë mentalitet të paqenë që të huajt kishin për ne, si një vend i pasigurt ku dominonte krimi dhe droga”.

Kështu u shpreh drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit në Shqipëri Julinda Dhame, në një intervistë për KosovaPress, e cila tregon për punën që është bërë këtë verë në drejtim të zhvillimit të turizmit shqiptar, por edhe për planet dhe projektet e së ardhmes, duke nisur që me panairin dimëror dhe investimet brenda vendit e deri te paketat e përbashkëta turistike me Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit.

Ndonëse shifrat zyrtare nuk janë përpiluar akoma këtë vit nga Ministria e Turizmit, drejtoresha Dhame na jep një panoramë të qartë të asaj se sa është frekuentuar Shqipëria këtë vit.

Kosovapress: Nese do të bënim një bilanc të kësaj vere, sa është numri i turistëve që kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushimet, kemi pasur më shumë apo më pak turistë se vitet e kaluara?

Dhame: Mund të them me siguri që ka një rritje të numrit të turistëve, por kjo nuk ngelet vetëm te rritja e numrit të turistëve, pasi ideja është sa shpenzojnë këta turistë, sa rrinë në Shqipëri, çfarë lloj turizmi pëlqejnë dhe çfarë vendesh frekuentojnë. Dhe për të bërë një bilanc të plotë të gjithë situatës dhe të gjithë sezonit turistik të këtij viti shumë shpejt, ju do keni shifra të sakta. Ne në fakt kemi punuar shumë për pjesën e promocionit atë qe bëjmë si Agjenci Kombëtare e Turizmit, dhe dihet që Shqipëria jashtë; ose ka një imazh negativ ose nuk ka asnjë lloj imazhi.

Kosovapress: Në drejtim të promocionit çfarë ka qenë risi këtë verë?

Dhame: Ne zgjodhëm që për vende të ndryshme të Europës, qoftë edhe të botës, apo edhe të rajonit, vendosëm të bëjmë disa lloje të ndryshme të promocionit, jo me shpenzime shumë të mëdha, por me një përqasje ndryshe, siç është ajo e afrimit të gazetarëve të huaj, ose të tur-operatorëve të huaj, ta njohin Shqipërinë dhe ta shohin me sytë e tyre, ta marketojnë apo ta shesin në thonjëza atë. Tani kemi RAI-n për një emision, kishin televizionin kombëtar çek, nga Anglia kemi, dhe e gjitha kjo nuk ka të bëjë vetëm me sezonin turistik veror, por ka të bëjë më gjithë vitin, pasi kanë një etje të huajt për të njohur Shqipërinë.

Kosovapress: Vizita e Papa Françeskut më 21 shtator në Tiranë, sa ka ndikuar tek të huajt për ta njohur dhe marketuar Shqipërinë turistike?

Dhame: Po nuk diskutohet! Ardhja e Papës ishte një ogur i mirë për të gjithë shqiptarët, por natyrisht dhe për pjesën e turizmit. Dukej sikur kishte hyrë një frymë në të gjithë vendin, por sidomos në Tiranë atë ditë kishe shumë turistë apo pelegrinë. Ne kishim nxjerrë njerëzit tanë në kufi në pikat tona infopoint që kemi aty, duke i pritur dhe udhëzuar se ku të shkojnë, çfarë të bëjnë edhe për ditët në vazhdim. Interesi ishte goxha i madh, dhe pasqyrimi i këtij eventi në mediat e huaja ishte shumë i mirë, dhe kjo për në është një plus, dhe shpresoj që kjo të zgjas.

Kosovapress: Sa peshë zënë për ne turistët nga Kosova dhe vendet e tjera të rajonit, dhe si është bashkëpunimi me këto vende në fushën e turizmit?

Dhame: Në fakt ne këtë vit kemi pasur më shumë aktivitete me Kosovën. Shumë shpejt do të bëjmë panairin dimëror, dhe do kemi të ftuar të gjithë Agjencitë Turistike që shërbejnë për pjesën e dimrit, dhe ju e dini që turizmi dimëror është shumë i zhvilluar aty. Por jo vetëm kaq, pasi kemi bërë edhe paketa të përbashkëta turistike me Kosovën, Gjakovë-Valbonë; kemi bërë ture të përbashkëta për udhëtime të aventurës, do vazhdojmë të kemi disa projekte të tjera, dhe shtetasit kosovarë, vëllezërit tanë janë pjesa më e madhe e turizmit në Shqipëri. Kemi pasur dhe udhëtime këtu me gazetarë kosovarë, për të njohur edhe pjesën që nuk njohin, dhe jemi munduar që si për shtetasit nga Kosova, shqiptarët e Maqedonisë, por dhe për Malin e Zi që të japim një mesazh tjetër për Shqipërinë dhe të ofrojmë një produkt tjetër, ai që është produkti i aventurës, duke njohur dhe historinë, edhe plazhet edhe malet, por dhe trashëgiminë kulturore.

Kosovapress: Edhe pse jemi brenda një rajoni, shumë afër gjeografikisht ka turistë që nuk e frekuentojnë shumë Shqipërinë, si për shembull serbët apo kroatët, pse kjo indiferencë?

Dhame: Serbët, malazezët, maqedonasit, janë ata që e frekuentojnë jugun e Shqipërisë, kroatët, nuk ka kroatë në Shqipëri, shumë pak, por ka pasur italianë, ka pasur grekë, domethënë pjesa më e madhe rajonit sigurisht që vjen dhe ka një numër në rritje të tyre. Edhe me Serbinë, ne jemi në fakt duke punuar me Serbinë, me Malin e Zi, me Maqedoninë, me Kosovën, me Greqinë dhe me Italinë, për një paketë të përbashkët rajonale, edhe për Azinë, Amerikën, por edhe më larg.

Kosovapress: Shqipëria shquhet për natyrën përrallore, por jo për shërbimet kundrejt turistëve, sa është punuar në këtë drejtim dhe cilat janë mangësitë emergjente për momentin?

Dhame: Mangësi ka goxha, dhe viti i parë ka qenë i vështirë për ne. Mendoj se kemi vënë disa pika dhe tani dimë shumë mirë se çfarë duam të bëjmë për vitin tjetër, dhe mendoj se vitin tjetër do të ketë më shumë investime nga ana jonë. Kuptohet turizmi është gjithëpërfshirës është transport, mjedis; siguri, patjetër shërbimet bazë nuk diskutohet ujë dhe drita , dhe shërbimi bazë pastaj i takon hoteleve dhe restorante, janë ata përcjellësit e shërbimeve dhe të kulturës së shërbimit shqiptar. Kështu që është një mori shërbimesh brenda, që ne po mundohemi të sensibilizojmë, pasi është shumë e rëndësishme që një turist të mos jetë vetëm sot për të rikthehet.

Kosovapress: Ndotja është konsideruar ndër vite si problemi më i madh i bregdetit shqiptar, kohët e fundit është venë re një lloj sensibilizmi, sidomos mes të rinjve për të pastruar plazhet, por problemi nuk është zhdukur…?

Dhame: Është vënë re më pak ndotje, por jo nga njerëzit, më shumë nga adminsitrata ose nga bizneset le të themi, pasi njerëzit vazhdojnë dhe kanë nevojë për një ndërgjegjësim më tej. Të them të drejtën më vjen shumë keq që jemi në vitin 2014 dhe akoma njerëzit nuk e kuptojnë që nuk mund të hidhen mbeturina nga dritarja e makinës, në det apo diku tjetër. Dhe mendoj se duhet të gjejmë një lloj strategjie. Sigurisht me fëmijët është filluar kjo gjë dhe është një gjë shumë e mirë sepse gjeneratat janë ato që do ndryshojnë mentalitetet sidomos në Shqipëri, ne duhet të kuptojmë të gjithë, që aty ku hedhim mbeturinat vërtet ikim, por jemi ne prapë që do i gjejmë.

Kosovapress: Njësitë akomoduese duket sikur kanë më shumë preferencë për turistët e huaj se sa për ata shqiptarë apo ata nga trojet, është e vërtetë?

Dhame: Po vihet re një lloj diskriminimi midis turistëve të huaj dhe atyre shqiptarë. Turistët shqiptarë ankohen se nuk gjejnë shërbimin dhe sjelljen e duhur nga subjektet që shërbejnë në turizëm, dhe ndoshta kjo ka të bëjë edhe me sjelljen e vetë turistëve shqiptarë, dhe nuk besoj se është çështje monetare pasi të gjithë njësoj paguajnë.

Kosovapress: Shqipëria ka një turizëm gjithëvjetor por edhe mjaft të larmishëm. Sa frekuentohet aktualisht turizmi malor apo turizmi historik nga vetë shqiptarët dhe të huajt?

Dhame: Ne kemi vetëm mundësi natyrore për momentin, kur flasim për pjesën e dimrit. Kemi shumë pak restorante, shumë pak hotele që shërbejnë për turizmin dimëror. Veriu është goxha i zhvilluar siç është Thethi dhe Valbona dhe gjithë pjesa e Shkodrës shërben për turizëm gjatë gjithë vitit, pjesa e Llogarasë, Korça dhe Pogradeci, por patjetër ne kemi edhe mundësi të tjera, por duhet të punojmë më shumë si nga ana jonë por dhe nga ana e biznesit.

Kosovapress: Çfarë pengesash ka për të depërtuar në zona të tilla, mbetet problem infrastruktura?

Dhame: Mendoj se është mirë, nuk mendoj se ka një problem rrugësh më shumë se sa një mungesë vizioni ose pamundësi investimi nëpër hotele, në ngrohje. Mendoj se kjo do të vijë edhe në strategjinë që ne kemi për turizmin, ku do shkojmë për 3 vjet, ku do shkojmë për 6 vjet, për të mos bërë gabime, pa dashur të përmend emra të shteteve të tjera, ku janë bërë hotele, dhe njësi akomduese shumë, dhe sot kane ngelur bosh për shkak të humbjes së turistëve.

Kosovapress: Si pjesë e turizmit dimëror, është i përfshirë momentalisht sporti i skive në Shqipëri?

Dhame: Kemi vetëm një në Voskopojë, po jo nuk ka akoma një pistë skish të standardeve të larta le të themi. Janë vetëm pistë skish natyrore dhe një private që është bërë në Dardhë (Korçë), por në vende të tjera nuk ka.

Kosovapress: Po trashëgimia kulturore shqiptare sa interes ka ngjallur tek turistët?

Dhame: Sigurisht shumë, shumë, për trashëgiminë kulturore të huajt kanë një dëshirë të madhë në krahasim me shqiptarët, të njohin historinë e Shqipërisë dhe kanë një interes shumë të madh. Ne jemi vërtet krenarë me atë se çfarë kemi dhe çka mund të prezantojmë për pjesën e trashëgimisë kulturore. Do fillojmë tani me edukimin e të rinjve duke i çuar në ekskursione, kemi bërë një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit dhe me drejtoritë rajonale, të fillojmë ekskursionet e të rinjve nëpër pikat tona të trashëgimisë kulturore.

Kosovapress: Ditët e fundit grupimet e biznesit shqiptar i kanë paraqitur qeverisë një sërë propozimesh për ulje taksash, mes tyre kërkohet edhe ulja e TVSH-së për turizmin nga 20 % ne 10 %. Ju si e vlerësoni këtë kërkesë?

Dhame: Po mendoj se është e drejtë. Mendoj se është e drejtë dhe se këtë vit Qeveria do të reflektojë në uljen e taksave, është e rëndësishme për biznesin, në këtë mënyrë ne i nxisim ata që të punojnë më shumë për ardhjen e turistëve në Shqipëri se sa për të çuar turistë shqiptarë jashtë.

2 komente në “Dhame: Vizita e Papa Françeskut i dha hov turizmit shqiptar”

  1. taqo says:

    Po le te vije prape ….ja ku eshte vatikani…..ose ti ndertojme nje rezidence ne shqiperi qe te vije sa here te na duhet,dhe ta kene prane politikanet tane ti puthin doren si zakonisht dhe ti bejne premtime ne ere ,e te mos e njohin fare ,zatem shumice e turisteve erdhen per te por erdhen vone se ra perqindja e turisteve ne itali…..dhe i gjori pape iku atje ,i zgjuar e di lidhjen e tij me turizmin,O SI LUM NANA QI TKA TY O DHAMEper kete lajm e kete titull qe i ke vendosur.

  2. taso kume says:

    ME behet qejfi por turizmi ne SHQIPERI le per te deshiruar,sivjet ne GREQI vajten 20 miljon ,jo PAPA qe erdhi por dhe ZOTI ( PO TE KETE) te vi nuk permison turizmin SHQIPTARE ,3 objektive duhet te kete : shendetcine ne çdo cep te vendit,ifrastrukturen,dhe mbi te gjitha kulturen e mirjelljes ne sherbimet tregtare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje