Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori pjesë në punimet e Sesionit të 131-te të Unionit Ndërparlamentar që po zhvillohet këtë javë në Gjenevë, në krye të delegacionit të përhershëm parlamentar shqiptar.
Meta, shoqërohej prej deputetëve Arta Dade, Kryetare e Komisionit të Jashtëm dhe Shpëtim Idrizi, anëtar i Delegacionit të Përhershëm pranë PDIU-se.
Në këtë sesion debati i përgjithshëm u përqëndrua në çështjen e arritjes së barazisë gjinore dhe dhënien fund dhunës ndaj grave.
Në fjalën e mbajtur, Kreu i Kuvendit pasi prezantoi gjendjen aktuale në Shqipëri, theksoi faktin se si Parlamenti dhe Qeveria janë të angazhuar plotësisht për të promovuar barazinë gjinore, të çrrënjosin dhunën me bazë gjinore dhe të avancojnë të drejtat e grave.
“Ndërsa jemi mbledhur rreth një platforme ndërkombëtare shumë prestigjioze, besoj se barazia gjinore dhe dhuna ndaj grave janë çështje që duhen trajtuar në nivel lokal.
Një nga reformat e mëdha historike që kemi kaluar këtë vit në Kuvend është “Reforma Territoriale dhe Administrative”, përmes së cilës kemi në plan të reduktojmë në mënyrë drastike numrin shumë të madh dhe të panevojshëm të autoriteteve lokale.
Këtë e kemi bërë me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë me një qëllim kryesor: për të rritur efikasitetin, profesionalizmin dhe cilësinë e shërbimeve që autoritetet lokale i ofrojnë qytetarëve tanë.
Dhuna ndaj grave është një nga ato shqetësime që do të trajtohen në mënyrë më efektive me konfigurimin e ri të vendit, pasi presim të ketë një funksionim më të mirë të mekanizmave lokalë të koordinimit multi-disiplinor dhe të referimit.
Më lejoni që të shpreh këtu mirënjohjen tonë të veçantë për të gjitha organizatat ndërkombëtare që punojnë në vend, veçanërisht për PNUD-in dhe OSBE-në.” theksoi Ilir Meta.
Duke folur konkretisht për masat e marra në këtë kontekt, Meta nënvizoi ngritjen e sistemit të ri online të ndjekjes të të gjitha rasteve të dhunës në familje.
Një tjetër masë e Qeverisë shqiptare është edhe siguria sociale për personat viktimë të dhunës në familje.
Gjithashtu Meta tha se edhe linja telefonike, ku qytetarët mund të denoncojnë rastet e dhnuës gjinore apo familjare.
“Tashmë, disa muaj pas krijimit të kësaj baze të dhënash kombëtare online për rastet e dhunës në familje, është rritur ndjeshëm ndjenja e përgjegjësisë ndërmjet autoriteteve të ndryshme publike, gjë që ka përmirësuar reagimin e tyre ndaj nevojave të të mbijetuarve.
Kjo bazë të dhënash elektronike, me informacion të bollshëm, i gatshëm në kohë reale, ka mundësuar gjithashtu që Kuvendi të luajë më mirë rolin e tij mbikëqyrës dhe të mundësojë dhënien e llogarisë të qeverisjes qendrore dhe lokale.
Më e rëndësishmja, përhapja e mekanizmave të koordinimit multi-disiplinor dhe të referimit në të gjithë vendin po vërteton se kjo strategji ndërhyrjeje mund të japë rezultate të rëndësishme të prekshme.
Veç kësaj, ne tashmë ofrojmë një rrjet të sigurisë sociale për të gjithë të mbijetuarit e dhunës në familje, përmes asistencës financiare dhe mbulimit shëndetësor falas.
Kuvendi do t’i ofrojë Qeverisë mbështetjen e saj të plotë për vendosjen e një linje telefonike kombëtare, ku qytetarët mund të raportojnë rastet e dhunës gjinore dhe të dhunës në familje dhe të kërkojnë ndihmë në çdo orë të ditës dhe të natës”, tha Meta
Sipas tij, krahas nismave të qeverisë, nevojitet edhe një angazhim politik për një ndryshim tërësor në sistemin e vlerave, dhe ndërgjegjësim të popullsisë. Meta tha se falë këtij ndërgjegjësimi edhe reagimi publik ndaj rasteve të dhunës në familje është përmirësuar ndjeshëm.
“Por, aksioni politik do të jetë i pavlefshëm nëse nuk ka një angazhim publik dhe një ndryshim tërësor në sistemin e vlerave ku ne bëjmë pjesë dhe unë besoj se është përgjegjësia jonë si politikanë të nxisim klimën e nevojshme për të forcuar një angazhim të tillë.
Veçanërisht në dy vitet e fundit, Kuvendi, Qeveria, por dhe shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare kanë mbështetur një evolucion në fushatat për ndërgjegjësimin publik, duke i parë burrat dhe djemtë jo thjeshtë si pjesë të problemit, por edhe si pjesë të zgjidhjes, si partnerë të grave dhe vajzave për të sfiduar stereotipet gjinore, si dhe për të luftuar dhunën gjinore dhe atë në familje.
Ndërkohë që reagimi publik ndaj rasteve të dhunës gjinore është përmirësuar dukshëm gjatë viteve, kemi parë që gratë janë shumë më të hapura për të thyer heshtjen e tyre dhe për të raportuar rastet e tyre. Si rezultat, vërejmë një tendencë në rritje të rasteve të raportimit tek agjencitë ligjzbatuese, por dhe tek aktorë të tjerë jo-qeveritarë, të tilla si shoqëria civile dhe media.
Kjo është arsyeja pse Kuvendi i Shqipërisë beson fort se aksioni politik duhet të ndodhë njëkohësisht me aktivizimin shoqëror dhe pjesëmarrjen qytetare për të rritur ndërgjegjësimin e publikut.
Ka qenë angazhimi i koalicionit tonë të ri qeverisës që fushatat për barazi gjinore dhe dhunën në familje të synojnë jo vetëm segmentet femërore të shoqërisë tonë, por këto çështje të trajtohen si një shqetësim për të gjithë shoqërinë. Sepse barazia gjinore nuk ka të bëjë vetëm me gratë; ajo prek dhe burrat dhe është një qëllim i përbashkët për të gjithë shoqërinë.” u shpreh Meta.