Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme Elona Gjebrea ka çelur sot zyrtarisht javën kundër trafikut të qenieve njerëzore.
Në një konference për mediat, zv.ministrja e Brendshme bëri të ditur se gjatë kësaj jave do të ketë një sërë aktivitetesh sensibilizuese, të cilat do të kurorëzohen me një konference të zgjeruar që do mbahet në Vlorë.
“Trafikimi i qenieve njerëzore është një problem mjaft delikat që duhet qasur në të gjithë drejtimet dhe me mënyrat adekuate”, theksoi ajo.
Ajo theksoi se parandalimi dhe goditja e trafikimit të personave ashtu sikurse edhe mbrojtja dhe rehabilitimi i viktimave të këtij trafiku është sot një nga sfidat kryesore të shteteve por edhe shoqërisë në mbarë botën.
“Luftë pa asnjë kompromis ndaj sklavërisë moderne. Në këtë kontekst Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Punëve të Brendshme e kanë vendosur këtë sfidë në prioritetet kryesore të punës së tyre.
Brenda një viti është arritur që jo vetëm të rigjallërohet dhe vihet në funksionim të plotë i gjithë Mekanizmi Kombëtar Antitrafik por edhe të shënohen rezultate domethënëse në drejtim të goditjes së veprimtarisë kriminale si dhe të mbrojtes dhe rehabilitimit të viktimave të trafikut.
Që nga shtatori i vitit 2013 janë dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda 60 referime, për veprat penale “Trafikim i personave të rritur”, Neni 110/a i Kodit Penal dhe “Trafikimi i të miturve”, Neni 128/b i Kodit Penal. 58 referime janë kryer në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore për veprën penale “Shfrytëzim i prostitucionit”, Neni 114 i Kodit Penal.
Gjatë këtij viti janë dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda 7 vendime për veprat penale “Trafikimi i Personave të rritur”, “Trafikim i femrave”, “Trafikim i të miturve” dhe janë dënuar gjithsej 10 persona.
Dua të kujtoj se një vit më parë vetëm 1 dënim ishte dhënë për këto vepra kriminale që lidhen me trafikimin. Ndaj Ministria e Punëve të Brendshme dhe zyra e Koordinatorit Kombëtare Antitrafik inkurajojnë edhe më shumë Prokurorinë dhe Gjykatën që të vijojnë të jenë pjesë e kësaj përpjekjeje të përbashkët për të vënë përpara drejtësisë të gjithë personat e inkriminuar”, theksoi Gjebrea.
Në vijim ajo u shpreh se gjatë një viti janë identifikuar 88 viktima të mundshme trafikimit.
“Prej tyre, pas identifikimit fillestar 12 kanë marrë statusin viktimë e trafikimit, status që jepet nga Policia dhe Shërbimi Social Shtetëror sipas procedurave standarte të veprimit.
Në fakt statistikat e personave të proceduar penalisht dhe të dënuar nga drejtësia janë vetëm një pjesë e zinxhirit të gjatë të arritjeve të Mekanizmit Shtetëror antitrafik.
Ngritja e Njësive të Lëvizshme për identifikimin në komunitet dhe referimin e Viktimave të mundshme të trafikimit në qarqet Vlorë, Elbasan dhe Tiranë; Çelja e Linjës kombëtare falas 116 006 në ndihmë të viktimave të antitrafikimit; Vënia në funksionim e aplikacionit “Raporto/Shpëto”; Ngritja e bazës së të dhënave në nivel kombëtar “SIVET”, për administrimin e informacionit të mbledhur nga të gjitha strukturat e Mekanizmit Kombëtar Antitrafikim; Ngritja e Task Forces midis Policisë se Shtetit, Prokurorisë për Krime të Rënda dhe Gjykatës Për Krime të Rënda; Forcimi i bashkëpunimit rajonal në mënyrë të veçantë në Kosovën, Malin e Zi, Greqinë dhe Maqedoninë”, tha ajo.