Ambasadori hungarez: Incidenti në stadiumin e Beogradit, jo tension politik në Ballkan

20 Tetor 2014, 12:12Politika TEMA

Ambasadori hungarez në Tiranë Antal Heizer konsideron se incidenti në stadiumin e Beogradit nuk ka shkaktuar tension politik në Ballkan.

Ambasadori hungarez thekson rëndësinë që Shqipëria dhe Serbia të tejkalojnë problemet mes tyre dhe politika të mos përfshihet në sport.

“Futbolli është rast i mirë për tu bashkuar. Shqipëria e Serbia të tejkalojnë problemet. Edhe Hungaria ka patur probleme me fqinjët, por i tejkaloi”, deklaroi Heizer.

Në vijim ai shtoi “tensioni mes Shqipërisë dhe Serbisë nuk ndikon në rrugën e integrimit. Shpresoj çdo gjë të jetë sport dhe jo të perfshihet me politikë. Dy vendet janë kandidate dhe t’i zgjidhin mes vetes. Duke parë nga faktorët historikë nuk ka tension në Ballkan. Mesa shoh palët janë të gatshme t’i zgjidhin”.

Të martën e kaluar, ndeshja e shumëpërfolur mes Serbisë dhe Shqipërisë degjeneroi në dhunë. Futbollistët e kombëtares shqiptare u goditën nga persona të jashtëm brenda në fushën e lojës dhe për pasojë takimi u ndërpre.

Serbët akuzuan shqiptarët për provokime, përmes futjes në fushë të një droni me flamurin e ‘Shqipërisë së madhe’. Më 23 tetor pritet vendimi i UEFA-s për incidentin në stadiumin e Beogradit.

Ky incident bëri që vizita e kryeministrit Rama në Beograd të vihej në pikëpyetje. Por tashmë u vendos që kjo vizitë të shtyhet për në 10 nëntor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje