Kur braktiset Parlamenti - Gjithë herët e bojkotit!

30 Tetor 2014, 10:24Politika TEMA

Një histori e detajuar e refuzimeve parlamentare në Shqipëri, gjithë herët kur partitë politike shqiptare kanë shpallur bojkot, që nga viti i largët 91’ e deri tani. Arsyeja kryesore rezultatet e zgjedhjeve; në çdo rast opozita që humbiste kundërshtonte numrat dhe braktiste parlamentin. Por pakkush kujton se ka pasur bojkot dhe për ligjin për pronat, që ende dhe sot, quhen një problem i pazgjidhur në Shqipëri dhe që janë shndërruar në barkun fatkeq që pjell fatkeqësi për Shqipërinë e shqiptarët. bojkot dhe për plumbat, ata që vranë Hajdarit dhe plumbat e tjerë që vranë demontruesit e opozitës

 

Nga Lorenc Vangjeli, JAVA

 

“Dale, dale. E bërë “pietjen”, prit tani përgjigjen”. Njëriu që flet është Adil Çarçani, ish-kryeministri i fundit komunist dhe deputeti më i vjetër në sallë: është 15 prill 1991. Parlamenti i parë pluralist i Republikës së Shqipërisë. Partia e Punës kishte fituar zgjedhjet e 31 marsit me një shumicë dërmuese, të siguruar sidomos në hapësirat rurale të vendit, kurse PD-ja, shumë më dinamike dhe me një të nesërme të garantuar, kishte dominuar në qytetet kryesore të vendit. Sidomos në Shkodër, kryeqendrën e veriut, aty ku dy ditë mbas zgjedhjeve ndodh tragjedia ende e pashpjeguar dhe sot: vriten katër demonstrues. PD proteston dhe me hapjen e sesionit të Kuvendit, bën hapin e saj të parë domethënës politik. Dërgon në sallë vetëm Neritan Cekën që mban një deklaratë politike dhe që largohet menjëherë i ndjekur nga zëri i Çarçanit, drejtues i përkohshëm i Kuvendit, pa ditur që në këtë moment ishte shënuar i pari ndër një serial të gjatë bojkotesh të Kuvendit të Shqipërisë. Të gjithë të ndërmarrë, siç është e kuptueshme nga opozitat për arsye nga më të ndryshmet. Herë serioze dhe herë të pakuptueshme sot, herë për motive të qëndrueshëm, herë për inat të çastit. 23 vjet më pas, opozita e rradhës është sërish jashtë Kuvendit, të cilin e ka bojkotuar që nga korriku i këtij viti. Arsyeja e parë ishte dhuna e ushtruar ndaj deputetit Gent Strazimiri, një çështje e cila tashmë është bërë pjesë e hetimit gjyqësor. Më pas, kësaj arsyeje, i janë shtuar dhe të tjera dhe për momentin, opozita ka rreshtuar një numër kushtesh për të mundësuar rikthimin e saj në Kuvend.

Revista Java ka mundur të krijojë një dosje për listën e gjatë të bojkoteve të mbajtur në vite. Bie në sy se dy më të gjatët kanë qenë në vitin 1996 dhe 2009. Interesante është të shënohet se në të gjitha rastet, bojkotet nuk kanë pasur sukses të caktuar: domethënë në asnjë rast, ky instrument ekstrem i luftës politike i opozitës nuk ka arritur qëllimin për të cilën është zhvilluar. Ato kanë shërbyer për rritjen e ndjeshmërisë së publikut, por në përgjithësi janë paragjykuar nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët rast pas rasti, kanë kërkuar rikthim në Kuvend dhe jetë normale parlamentare.

 

Bojkotet e para, vitet 90’

Pakkush e kishte idenë në Shqipëri se çfarë do të thoshte bojkot parlamentar në Shqipëri në prillin e largët të vitit 1991. Por vetëm dy javë mbas masakrës fatkeqe në Shkodër, vrasja e katër demonstrueve në dy prill 1991, Kuvendi nis seancën e parë të konstituimit të tij. Demokratët e PD-së, dukshëm në pakicë, por po kaq dukshëm në epërsi intelektuale ndaj fosilit të fundit të ish-diktaturës, vendosin të bojkotojnë parlamentin. Duke vendosur kushte, realizimi i të cilëve ishte tërësisht i pamundur. Rikthehen në sallë vetëm tre ditë më pas. Në vitin 1992, situata ishte përmbysur. Tashmë ishte pakica e majtë ajo që do të përdorte këtë instrument për të kundërshtuar arrogancën në rritje të një shumice dërmuese të djathtë. Në seancën e 17 shtatorit të këtij viti në rendin e ditës hyn kërkesa rrufe për shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm Maks Haxhia. Socialistët kërkojnë ligjshmëri, por askush nuk i dëgjon dhe ata vendosin bojkotin që zgjat gjithashtu tre ditë, deri në datën 22 shtator 1992.

Në vitin 1993 kanë qenë dy çështje të nxehta për kohën, por që kanë pasur ndikim të padiskutueshëm në të gjithë të nesërmen e vendit, miratimi i kushtetutës së re të vendit dhe ligji për kthimin dhe kompesimin e pronave. E para, kushtetuta që kishte nisur të hartohej dhe që u hodh në referendum në nëntor të vitit 1994, ishte bërë një projekt pothuaj personal i ish-presidentit Berisha, kurse i dyti, ligji për pronat, edhe sot mendohet gjerësisht se është nyja që mban lidhur të djeshmen dhe të sotmen e vendit. Socialistët bojkotojnë duke nisur nga seanca e 17 shkurtit 1993.

Në vitin 1994 Kuvendi pothuaj i ka vazhduar normalisht punimet. Nuk shënjohet asnjë bojkot, pavarësisht se herë pas here seancat kanë qenë shumë të tensionuara. Në nëntor 1994, mbasi opsioni i opozitës për projektin e kushtetutës fitoi në referendumin popullor, situatat në Kuvend u bënë edhe më të serta dhe lufta politike edhe shumë më e ashpër.

 

1996 – 1997, bojkoti vazhdon

Gjithçka do të bëhej shumë më e mprehtë në mes të vitit 1996. Ishin mbajtur zgjedhjet e 26 majit, ishte masakruar në sheshin Skëndërbej opozita që protestonte dhe ishte konsideruar gjerësisht se vullneti i votuesit shqiptar ishte deformuar fort. Opozita e bashkuar kishte protestuar me uri kundër rezultatit të zgjedhjeve dhe manipulimeve të dukshme të tij, por megjithë presionin shumë të fortë ndërkombëtar mbi PD-në, nuk pati asnjë tërheqje nga pozicioni i saj. Në kushte pothuaj të mbijetesës ekstreme, opozita vendos bojkotimin e plotë të Kuvendit. Nga 1 korriku 1996 e deri në prill 1997, opozita mungon në Kuvend. Rikthimi i saj vjen vetëm mbas shpërthimit të krizës së marsit 97’, krijimit të qeverisë së pajtimit kombëtar dhe marrëveshjes politike për zgjedhje të parakohshme. Në 9 prill, nëntë deputetë të PS-së bëjnë një deklaratë për arsyet e kthimit në Kuvend: “Ne, 9 deputetët e Partisë Socialiste vijmë sot në Parlament për të dëshmuar edhe në segmentin legjislativ të shtetit, se forca politike që përfaqësojmë, edhe pse nuk ka përgjegjësi për krizën e sotme, është e gatshme të ofrojë te gjithë angazhimin e saj politik dhe institucional të bashkëpunimit për zgjidhjen e krizës dhe në interes të zhvillimit normal të proceseve demokratike në Shqipëri.”

Në qershor të të njëjtit vit mbahen zgjedhjet e përgjithshme. Ato zhvillohen me standarte përgjithësisht të pranueshme duke pasur parasysh kushtet ekstreme në të cilat ndodhej vendi. E dukshme ishte gjithashtu që gara nuk ishte e barabartë; e djathta pothuaj nuk mundi të bëjë asgjë në jugun e ndezur të vendit, e majta hynte me shumë vështirësi në veri. Rezultati i zgjedhjeve nxorri në shumicë dërmuese të majtën e bashkuar, por ai nuk u pranua nga PD-ja e aleatët e saj. Parlamenti që u hap në datën 23 korrik bojkotohet nga PD deri në 13 gusht. Por prania e tyre zgjati vetëm pak më shumë se një muaj sepse atentati ndaj Azem Hajdarit në Kuvend, u shndërrua sërish në arsye për bojkot nga opozita duke nisur që nga data 17 shtator 1997.

 

Vrasje dhe grusht shteti

Në 1 tetor 1997 Hajdari kthethet i fashuar në Kuvend dhe mban një deklaratë publike, ndërsa opozita vazhdon bojkotin. Edhe viti 1998 fillon në të njëjtën mënyrë: vetëm në 3 mars 1998, situata e nderë në veri të Shqipërisë dhe konfliktit të nisur në Kosovë, bën që opozita të rikthehet në Kuvend. Por katër muaj më pas, nga 6 korriku e deri në 28 dhjetor 1998, opozita sërish bojkoton. Arsyeja zyrtare ishte raporti i Komisionit parlamentar për ngjarjet e janar-qershorit 1997. Komisioni bënte fajtore ish-maxhorancën, çka e bënte situatën politike në vend më shumë se inkadeshente. Po ashtu, në gusht të të njëjtit vit ishte bërë arrestimi i gjashtë zyrtarëve të lartë të ish-pushtetit të djathtë, por kulmi u arrit në shtator të të njëjtit vit. Në 12 shtator 1998 ekzekutohet Azem Hajdari dhe në 14 shtator, opozita frymëzon një grusht tipik shteti. Bie kryeministria, bastiset Kuvendi, merret nën kontroll transmetuesi publik dhe në rrugë protestuesit kishin mundur të merrnin dhe tanke në dispozicion. Mbas presionit shumë të fortë ndërkombëtar protestuesit e armatosur u futën sërish në shtëpitë e tyre, por opozita vazhdoi të qëndrojë jashtë Kuvendit.

Viti 1999 nuk kishte shumë histori. Opozita thjesht vazhdoi bojkotin e saj dhe ritualin e protestave në bulevard. Për shkak të krizës në Kosovë dhe kredencialeve tërësisht të larta të shumicës së majtë të kohës, mungesa e opozitës në Kuvend pothuaj nuk binte fare në sy. Madje dhe ndërkombëtarët e kërkonin rikthimin e saj në jetën normale parlamentare thjesht si formulë apo për forcë zakoni.

Situata ndëryshoi vetëm një vit më pas. Në vitin 2000 nuk pati bojkote të gjatë. Në disa seanca të caktuara dhe për çështje të caktuara, opozita është larguar nga Kuvendi.

Por 2001-shi do të sillte zgjedhjet e reja të përgjithshme dhe rezultati e linte sërish të djathtën në opozitë. Ajo nuk pranon rezultatin dhe nis një betejë epike për denoncimin e tij në kancelaritë perëndimore. E shoqëron një gjë të tillë me bojkot që nis që nga shtatori 2001 deri në 31 janar 2002. Por, në seanca të veçanta në shtator, në nëntor dhe në dhjetor, pjestarë të opozitës marrin pjesë në punimet e Kuvendit. Në disa raste madje edhe duke shpëtuar kuorumin e seancave duke shfaqur për herë të parë fenomenin e trafikimit të votave nga opozta në pozitë.

Ka pasur dy momente bojkoti, por të pjesshëm në vitin 2002, në mars dhe në nëntor. Edhe në vitet 2003-2004 nuk ka pasur bojkot të përcaktuar me përjashtim të disa seancave, në 25 shtator 2003, ndërsa në vitin 2004, në seancat e 15 janarit e 11 nëntorit. Për vitin 2004 bojkoti i pjesshëm i PD-së është arsyetuar për shkak të vendimit të shumicës që të mos i jepte opozitës kryesimin e komisionit hetimor të tragjedisë së 9 janarit. Po kështu, opozita e kohës protestonte me bojkot për shkak të mosrealizimit të mocionit të mosbesimit ndaj ish-kryeministrit Nano, pretendimit për mosrespektim të rregullores së Kuvendit dhe kundërshti për projektligje të veçanta, si ai për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë dhe mos ngritjen e komisionit hetimor për veprimtarinë e KESH-it.

 

2005, historia përsëritet

Siç është e udhës të ndodhë dhe siç ka ndodhur gjithmonë, ndryshimi i ngjyrës në qeverisje ndryshonte vetëm emrin e bojkotuesit, por jo arsyet për bojkot. Kësaj here, ishte rradha e PS-së të përdorte për tetë vjet rresht, nga 2005-a, instrumentin e bojkotit. Katër vjetët e parë të qeverisjes Berisha, PS bojkoton Kuvendit në mënyrë të pjesshme. Në 2005-ën për mospranim të rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme, në 2006-ën, për një episod dhune ndaj deputetit Vangjel Tavo dhe për shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm Olldashi. Po në të njëjtin vit, debati për listat zgjedhore dhe zgjedhjet lokale, për ligjin për raditelevizionet dhe përfundimin e mandateve të antarëve të këshillit drejtues të RTSH-së dhe të KKRT-së, ishin shkak për bojkot të pjesshëm, i cili u ashpërsua edhe më tej me kërkesën e shumicës për shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm.

Në vitin 2007 sherri që provokonte bojkot të pjesshëm kishte fytyrën e mosmarrëveshjeve për Kodin Zgjedhor dhe për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e prokurorit të përgjithshëm. Edhe një vit më pas, mungesa e konsensusit për ndryshime në Kodin Zgjedhor e shtyu PS-në të bëjë bojkot nëpërmjet mosushtrimit të votës në Kuvend.

 

Përsëri zgjedhjet

Nga të gjitha arsyet për bojkot, ajo më e rëndësishmja ka qenë çështja e votës dhe mënyra e leximit të saj në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale. Kanë bojkotuar për shkak të zgjedhjeve socialistët në 1996, ndërsa demokratët e bënë në 1997-ën dhe 2001-shin për t’ua lënë rradhën sërish socialistëve në bojkotin e gjatë të 2009-ës. PS e Edi Ramës humbi në fotofinish zgjedhjet e atij viti pa arritur t’u besojë syve se kishte humbur. Për këtë arsye e të tjera, duke nisur që nga shtatori i vitit 2009, ajo bojkotoi Kuvendin. Kërkesat e vazhdueshme të saj për hetimin e zgjedhjeve nuk u morrën parasysh. Refuzimi i Kuvendit u shoqërua me një valë protestash në të gjithë vendin që kulmuan me grevën e urisë së prill-majit 2010. Kështu, në këtë vit PS bojkotoi 17 seanca parlamentare. E njëjta histori u përsërit edhe një vit më pas, në 2011, për shkak të tragjedisë së 21 Janarit, kur u vranë katër demonstrues dhe për shkak të parregullsive të denoncuara në zgjedhjet lokale të 8 majit. Vetëm në janar-korrik 2011 PS bojkotoi plotësisht 10 seanca dhe në mënyrë të pjesshme 4 të tjera.

Dy vitet pasardhës ofruan pamjet e një bojkoti të ri. Opozita nuk mungonte më në seanca, por bojkotonte me votë çdo projektligj të ardhur nga qeveria. Ky bojkot u bë veçanëisht shqetësues kur duhej të miratoheshin ligje që kërkonin detyrimisht dy të tretat e votave.

Viti 2013 ndryshoi ngjyrën në qeverisje, por sërish jo emrin e bojkotuesit: opozita. Kësaj here të djathtët e refuzuan Kuvendin që në korrik 2013 dhe vazhdojnë ende të refuzojnë çdo marrëdhënie me të, përveç zyrës së financës. Siç kishin bërë socialistët përpara tyre. Arsyeja, dhuna e ushtruar ndaj deputetit Gent Strazimiri. Më pas kjo arsye u shumëfishua në një numër kushtesh, të cilat këtë javë u formalizuan edhe më tej kur u kërkua një arbitër ndërkombëtar që të mundësonte e garantonte rikthimin e opozitës në Kuvend. Eshtë një gjë që do të ndodhë, herët a vonë, të gjithë e kuptojnë se ashtu siç thoshte deputetja demokrate Mesila Doda, karriget nuk flasin. Sepse politika bëhet në Kuvend. Ikja dihet, kthimi kërkon vetëm një arsye që të ndodhë. Një moment heshtjeje kur të gjithë të bëjnë sikur besojnë se kanë fituar të gjithë.

4 komente në “Kur braktiset Parlamenti – Gjithë herët e bojkotit!”

  1. stela says:

    Opozita aktuale nuk ka motiv, pervecse interesave personale te drejtuesve te saj, per te braktisur parlamentin. Mire kur ishin ne pozite po edhe tani ne opozite, drejtuesit e saj e perdorin PD-ne per interesa dhe perfitime personale, duke abuzuar me elektoratin e tyre, pasi ato nuk perfaqesojne interesat e votuesve te PD-se. Fakti e tregon duke kritikuar cdo inisiative te qeverise, ne menyre qe kur tu vije dita e gjykimit ketyre drejtuesve te PD-se, ta kene gojen e hapur.

    Bashkebisedimi i kryeministrit dje me popullin eshte nje inisiative teper e frytshme, per te nxjerre ne siperfaqe nje opozite te re dhe te dobishme per popullin. Mosekzistenca e nje opozite ne Shqiperi eshte minus per popullin, pasi mund te livadhise pozita, keshtu qe duhet urgjentisht nje ze i ri opozitar, qe te perfaqesoje interesat e popullit, se nuk ka asnjehere garanci nese pozita do mendoje gjithmone per popullin. Sa per PD-ne, ajo tashme prej kohesh eshte kthyer ne nje OJQ fitimprurese.

  2. ab says:

    Këta plehëra që vetëquhen deputet,sepse nuk i zgjedh populli por shefat e partive,kur vendosin për të prerë marrëdhëniet me kuvëndin duhet të presin edhe rrogat e majme që marrin si deputet.Por njerëz të pacipë,kondrabandistë e kriminelë si ata nuk mund ta bëjnë.Këtë duhet ta bëjë kryesia e kuvëndit,tu presë pagën për çdo ditë të munguar në parlament.Jo se presim ndonjë gjë të madhe nga këta fundërrina e na duhen në kuvënd,(këta më mirë që s’janë në kuvënd) por të zbatohet ligji si për gjithë të tjerët.

  3. bojkotues says:

    duket qarte se sa te interesuar jane per problemet tona, gjithmone i fusin ne mes te mandatit nja dy vjet bojkot kshu kot per fiksim te bejne pak pushime

    http://bit.do/rihanna-dhe-cyrus-i-nxjerrin-shesh

  4. Gjoni says:

    A vazhdojne ta marrin rrogen kuvendaret shqiptare kur mungojne ne klase, me kuvend?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje