Sistemi i drejtësisë ka nevojë për reformim, duke përfshirë edhe ndryshimin e kushteve për zgjedhjen e anëtarëve të KLD, në mënyrë që ti hapet rruga prurjeve edhe nga Shkolla e Magjistraturës.
Kështu u shpreh ministri i Drejtësisë Nasip Naço në tryezën e inicuar nga Ministria e Drejtësisë në lidhje me reformën e drejtësisë, ku të pranishëm ishin edhe Ivi Kaso, përfaqësues ligjor, i PD dhe Gazmend Bardhi, Këshilltar i Grupit Parlamentar të PD.
“Në disa vende të Bashkimit Europian ka një model ku Gjykata e Lartë është përfshirë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Duhet të ndryshojnë kushtet për zgjedhjen e anëtarëve të KLD. Mbeten jashtë prurjet nga Shkolla e Magjistraturës”, u shpreh Naço.
Ai theksoi se pjesë e reformimit do jetë edhe Shkolla e Magjistraturës.
“Pjesë e reformës edhe reformimi i Shkollës së Magjistraturës. Rishikimi i ligjit për Shkollën e Magjistraturës. Kam bindjen dhe besoj se ne kemi edhe gjyqtarë me integritet. Për këtë arsye qeveria shqiptare është e vendosur të ndërmarrë hapat e nevojshme për mbështetjen e sistemit gjyqësor nga ana financiare. Integrimi i vendit është emëruesi i përbashkët”, tha Naço.
Në vijim ai vuri theksin se kjo reformë duhet të jetë gjithëpërfshirëse, ndërsa ripërsëriti edhe nevojën për reformimin e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese.
“Mund të kërkohen ndryshime kushtetuese për Gjykatën e Lartë. Të ndërhyhet tek procedurat e emërimit në Gjykatën Kushtetuese. Të ngrihet këshill i pavarur për shqyrtimin e kandidaturave”, tha Naço.
Sipas Naços, reforma do të shtrihet edhe në Gjykata.
“Gjykatat kanë një fluks të lartë pune dhe kjo e bën të domosdoshme ndërhyrjen për të rritur shpejtësinë e dhënies së drejtësisë. Rritja e kontrollit të gjyqtarëve dhe ndarja më e mirë e punës do të jenë primare në reformën që do të prekë këtë pjesë të sistemit të gjykatave. Gjykata Kushtetuese gjithashtu do të jetë pjesë e reformës”, vijoi Naço.
Ministri i Drejtësisë tha gjithashtu se edhe sistemi i ankesave, ndërmjetësimit, si dhe zyrat e Përmbarimit duhet të marrin një rol më të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë.
“Duke qenë se kjo do të jetë një nga reformat më të mëdha të sistemit të drejtësisë, prania e opozitës dhe të gjithë aktorëve është thelbësore”, theksoi ai
I pranishëm në tryezë, Kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori tha se për reformimin e drejtësisë duhet të bëhen jo vetëm ndryshime ligjore, por edhe kushtetuese dhe institucionale.
“Ne e mbështesim reformën, pasi synon të shërojë sëmundjen që në tërësi ka sistemi i drejtësisë, dhe synon t;i japë zgjidhje konkrete në këtë sistem. Mendojmë se është shumë e rëndësishme për një shtet ku nuk funksionon siç duhet sistemi i drejtësisë.
Problemet paraqiten shumë të mprehta, dhe reforma është urgjente. Reforma në drejtësi synon rritjen e pavarësisë së sistemit gjyqësor, si dhe rritjen e performancës së tij. Projekti po konkretizohet.
Ka një vullnet gjithëpërfshirës për të dhënë kontributin për këtë reformë. Ka nevojë të bëhen jo vetëm ndryshime ligjore, por edhe kushtetuese dhe institucionale.
Duhet të ketë reformim në KLD dhe në Gjykatën e Lartë. Duhen gjendur zgjidhje që do të reduktonin çështjet që shqyrtohen nga Gjykata e Lartë, pasi ndonëse janë shqyrtuar 900 dosje më shumë se një vit më parë, po kaq janë edhe kërkesa më shumë”, tha Zaganjori. /gj.k/