Komisioni Parlamentar i Medias hap procedurën për zgjedhjen e dhjetë anëtarëve të rinj të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar.
Në mbledhjen e sotme, sërisht pa praninë e opozitës,Nënkryetari i Komisionit të Mediave , deputeti socialist Alfred Peza tha se së bashku me opozitën janë përzgjedhur 57 kandidatë, të cilët do të kalojnë në filtrin e komisionit deri në përzgjedhjen e dhjetë anëtarëve që do plotësojnë Këshillin Drejtues.
“Jemi ne kushtet kur pasi kemi ezauruar me opozitën kemi shqyrtuar të gjitha kandidaturat e paraqitura nga subjektet propozuese. 57 prej kandidatëve plotësojnë kushtet të jenë pjesë e procesit”, u shpreh Peza.
Sipas tij, skualifikimi i kandidatëve do të bëhet një nga e një dhe përmes mbledhjeve me dyer të mbyllura.
Peza i beri sërish thirrje opozitës që të vijë në komision dhe të ushtrojë të drejtën e saj për të perzgjedhur pesë kandidatët e saj.
“Për shkak se ky është një proces shumë i rëndësishëm dhe është cënuar interesi publik i bëjmë thirrje opozitës të bëhet pjesë e procesit që ta përfundojmë së bashku. Anëtarëve aktualë u ka përfunduar mandati tre vjet më parë”, tha nënkryetari i komisionit.
Ndërkohë që mazhoranca ka të drejtën e skualifikimit të 24 anëtarëve, opozita skualifikon 23 të tjerë, duke e çuar numrin e kandidatëve të skualifikuar në 47.
Neni 94 pika B i Ligjit për Median, thotë se në çdo rast nga 10 kandidatë për anëtarë të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, 5 duhet të mbështeten nga mazhoranca dhe 5 nga opozita.
Ligji “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” i miratuar në Kuvend në mars të këtij viti, përcakton funksionimin e Këshillit Drejtues së RTSH-së. Këshilli përbëhet nga kryetari dhe nga 10 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi për një periudhë 5-vjeçare, me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë.
Anëtari i njëmbëdhjetë, njëkohësisht kryetar i Këshillit Drejtues, zgjidhet jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit. Në këtë post drejtues zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit.
Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së zgjidhet me votim të fshehtë nga Këshilli Drejtues për një periudhë 5-vjeçare ndërmjet jo më pak se 2 kandidaturave. Përzgjedhja e kandidaturave bëhet nga Këshilli. /gj.k/