Komisioneri i ri për Zgjerimin Johannes Hann i ka drejtuar një apel Partisë Demokratike që të lërë bojkotin dhe të bëhet pjesë e jetës parlamentare në vend.
Në një konferencë për mediat bashkë me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, Hahn theksoi se është e rëndësishme që të ketë një dialog konstruktiv mes opozitës dhe mazhorancës, lidhur me zbatimin e reformave të kërkuara nga ana e Bashkimit Evropian.
Sipas Hahn, pas marrjes së statusit kandidat nga Shqipëria, janë shtuar edhe përgjegjësitë, dhe në mesin e tyre është edhe diskutimi në parlament mes dy forcave kryesore politike në vend, si një element i rëndësishëm për implementimin e reformave.
“Sot kemi zhvilluar takimin e parë bilateral me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë. Dua të theksoj se marrëdhënia me BE është duke ecur përpara, është gjithnjë në hapa përpara.
Vendet që kanë statusin kandidat kanë përgjegjësi të madhe dhe Shqipëria duhet të përfshihet në reformat e kërkuara dhe duhet të bëjnë gjithçka për zbatimin e tyre, siç është edhe sundimi i ligjit. Shqipëria duhet të jetë e vendosur dhe të ecë drejt konsolidimit dhe të japë rezultate konkrete.
Sa i përket BE-së është i rëndësishëm edhe dialogu politik për të zbatuar këto reforma. Një dialog konstruktiv mes opozitës dhe mazhorancës. Parlamenti ka punën e tij për të bërë dhe e ritheksoj se është shumë i rëndësishëm dialogu politik. Debatet ndodhin dhe janë të rëndësishme për zbatimin e reformave.
Diskutimi në parlament është mjaft i rëndësishëm. Ne kemi përkrahje për vendet e Ballkanit Perëndimor, japim mbështetje politke dhe detyra ime është të bashkëpunojmë me partnerët. Kjo ndihmon në kontributin, e marrëdhënieve më të mira dhe një procesi më të mirë, sa i përket rrugës për në BE”, u shpreh Komisioneri për Zgjerim i KE.
Në vijim ai u ndal tek vendimi i BE-së për të mos lejuar zgjerimin e familjes evropiane për 5 vitet e ardhshme, ndërsa nënvizoi se vendet kandidate nuk duhet ta shohin këtë si një bllokim, por si përgatitje për të qenë gati për tu integruar më 2020.
Në këtë kuadër, Hahn kërkoi nga shtetet kandidate, që të vijojnë të punojnë për zbatimin e reformave, për të arritur standartet e Bashkimit Evropian.
Komisioneri për Zgjerim, u shpreh se Bashkimi Evropian do të vijojë të mbështesë vendet kandidate, por theksoi se implementimi i reformave do të varet nga vetë shtetet.
“Sigurisht që ka qenë e vështirë, në deklaratën se për 5 vitet në vazhdom nuk do të ketë anëtarësim në BE, ka qenë e vështoirë por ka edhe një aspekt pozitiv se të gjitha vendet kandidate të përgatiten lidhur me standartet që kërkojmë.
Pra duhet punë në të gjitha fushat për të qenë e BE-së. Kjo vlen edhe për Shqipërinë. Ne do të bëjmë gjithçka gjatë 5 viteve të ardhshme për të përgatitur këto vende që të vazhdojnë rrugën e tyre drejt BE, dhe kjo varet nga vendet se sa do të mund të ecin përpara drejt standarteve të kërkuara. Duhet një kuptueshmëri politike e përbashkët”, tha Hahn.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati shprehu vullnetin e Qeverisë shqiptare për të thelluar bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, për plotësimin e reformave të kërkuara.
Kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se për integrimin në familjen evropiane kërkohet një zhvillim i mëtejshëm ekonomik dhe social i Shqipërisë, ndërsa nënvizoi interesimin e qeverisë shqiptare për të pununar në këtë drejtim.
“Më vjen mirë për deklaratat tuaja për Shqipërinë. Ishte kënaqësi që shkëmbyem informacione dhe dua të falenderoj ekipin tuaj për ndihmën dhe mbështetjen. I kam kuptuar shumë mirë çfarë kërkoni për transformimin e rajonit për të arritur përputhje me standartet tuaja.
Ne jemi të interesur për të bashkëpunuar me ju dhe të gjitha vendet e BE. dua të përmend edhe procesin e reformave në Shqipëri. Ne kemi marrë statusin dhe për ne tashmë do të jetë edhe më e vështorë për hapat që kërkon BE, për një zhvillim social dhe ekonomik.
Më vjen mirë që dëgjoj edhe një herë deklaratat tuaja sa i përket përgatitjes së vendeve kandidate dhe të deklaratave të z.Juncker. Ne jemi të vendosur për të bashkëpunuar në mënyrë gjithëpërfshirëse në këtë drejtim.
Ne diskutuam veç të tjerash për kushtet dhe angazhimin tonë. Më vjen mirë që kemi folur edhe për efikasitetin e këtij procesi. Sigurisht duhet të ketë përmirësime ekonomike”, tha Bushati./gj.k/