Bashkimi Europian, përmes Ambasadores Romana Vlahutin, i ka drejtuar një apel klasës politike dhe shoqërisë civile, që të angazhohen në luftën kundër korrupsionit, duke e cilësuar këtë çështje të panegociueshme në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
E pranishme në konferencën “Korrupsioni dhe Mirëqeverisja” ku u prezantua raporti rajonal i antikorrupsionit, Vlahutin e konsideroi korrupsionin një çështje ende problematike.
Në këtë kuadër ajo kërkoi më tepër transparencë në administratën publike dhe në financime, ndërsa shtoi se nuk duhet treguar aspak tolerancë, pasi është një çështje e panegociueshme për Bashkimin Evropian.
“Raporti që kemi prezantuar sot tregon se korrupsioni vazhdon të jetë i pranishëm ndaj duhet të punojmë për ta luftuar.
Ky nuk është problem vetëm për Shqipërinë por për të gjitha vendet që duan të jenë pjesë e BE, dhe prandaj BE mbështet luftën kundër korrupsionit dhe jemi të vendosur deri në realizimin e tyre.
Janë disa politika që duhet të ndiqen dhe e para është vullneti politik që duhet të jetë. Duhet transparencë në administratën publike, po ashtu edhe besueshmëri e lartë.
Po ashtu duhet transparencë në financime dhe nuk duhet treguar aspak tolerancë ndaj korrupsionit dhe është i panegociueshëm nga BE, të cilën nuk e toleron.
Kjo është një nga gjërat themelore që adreson BE prandaj duhet zbatuar”, theksoi Ambasadorja e BE në Tiranë.
Në vijim ajo theksoi se për të luftuar korrupsionin nevojitet një plan veprimi, si dhe duhet të merren seriozisht rekomandimet e ndërkombëtarëve.
Ndërsa vlerësoi hapat e ndërmarrë deri më tani, Vlahutin i drejtoi një apel Qeverisë shqiptare të intensifikojë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian në nivelet më të larta, ndërsa kërkoi angazhimin e të gjitha palëve në luftën ndaj korrupsionit.
“Duhet të vendoset plani i veprimit, rekomandimet duhet të merren seriozisht. Dua të theksoj që dobia e vullnetit tonë patjetër që duhet vlerësuar nga ana e qeverisë dhe ajo duhet të bëjë të njëjtën gjë duke bashkëpuunuar me ne, pasi duhet një angazhim në nivelet më të larta.
Po ashtu edhe media dhe shoqëria civile duhet të bashkëpunojë, pra duhet të jemi një palë që të luftojmë korrupsionin.
Megjithatë unë dua t’ju përgëzoj për atë që keni bërë deri më tani për luftën ndaj korrupsionit. BE do të vazhdojë të ju mbështesë në këtë drejtim”, u shpreh ambasadorja e Bashkimit Europian.
Bledi Çuçi, ministri për Çështjet Vendore, shprehu vullnetin dhe vendosmërinë e Qeverisë shqiptare për të luftuar fenomenin e korrupsionit. Në këtë kuadër, Çuçi theksoi se është hartuar një plan veprimi i cili pritet të realizohet në fund të këtij muaji.
Ministri Çuçi nënvizoi se një tjetër nismë e rëndësishme në këtë drejtim është edhe deklarimi i pasurive i zyrtarëve të lartë.
Në vijim ai theksoi se për të shtuar efikasitetin ndaj këtij fenomeni nevojitet angazhimi i të gjitha palëve, mes të cilëve edhe i shoqërisë civile.
“Duhet theksuar se përpjekjet kundër korrupsionit duhet të jenë në qendër të vëmendjes. Ne jemi të angazhuar në këtë drejtim.
Janë mjaft të rëndësishme edhe analizat që po bëjmë në luftën ndaj korrupsionit për të kuptuar gjendjen në të cilën ndodhet vendi. Kemi edhe një plan veprimi që mendohet të realizohet në fund të këtij muaji.
Janë përfaqësues që do të zgjidhen nga grupet civile që do të veprojnë në këtë fushë. Qeveria shqiptare ka ndërmarrë iniciativa për të rritur transparencën.
Këtu duhet të përmend deklarimin e pasurive dhe të gjitha elementët që kanë të bëjnë me këtë dhe zbatimi i të gjitha këtyre kërkon edhe angazhim të lartë të shoqërisë për të arritur atë që kërkojmë.
Duhet të jetë bashkëpunim nga të dyja anët, si nga shoqëria civile ashtu edhe opinioni publik. Duhet bashkëpunim i të gjithëq qytetarëve.
Duhet marrë eksperiencë nga të gjitha vendet e BE në luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që të arrijmë ta luftojmë atë”, theksoi Çuçi. /gj.k/
Do t’i lutesha redaksve qe botojne materiale nga autore konkret qe ta paraqesin materiakin origjinal pa nderhyrmje , qe duken me shume si perkthime nga shqipja ne shqip ne mes te materiali qe eshte botuar, se jo veyem qe nuk na ndihmojne per te kuptuar problemet qe nenvizon autori por me shume na ngaterojne per te kuptuar idet e paraqitura nga materiali origjinal. Nuk kuptoje akoma si e lejojne kete fakt autoret, pra si e pranojne “dhunen” PER TE PERFITUA TE DREJTE E DY AUTORESISE SE MATERIALI?!!!! nga nje njeri mbase i panjhur nga ta.
Ne raste se autori qe sjelle ne gazete materialin origjinal do te beje sugjerime, kritika, mbase edhe sqarime apo ku e di une me synimin e mire te thote edhe ai disa fjale, mbase se ne kete menyre do te justifikoje pagen e tij le ta beje kete pune me nenvizimin SHENIM ne fund te materiali ose te shkruaj nje artikull te tij ku te paraqes konsideratat per materialin ne fjale.
Me respekt V,Duk