Në zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2015, nuk do të ketë më debat për listat e zgjedhësve, pasi përmbyllet i gjithë procesi i pastrimit të tyre nga dublikimet dhe rregjistrimet në 2 a më shumë adresa
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha në Komisionin e Ligjeve se objektivi themelor i projektbuxhetit për vitin 2015, është mbështetja financiare për shkrirjen e rregjistrit të Gjendjes Civile dhe Rregjistrit të Adresave
“Ky është një objektiv madhor që i jep fund njëherë e mirë kaosit me shtetasit të cilët kanë më shumë se një rezidencë të deklaruar, një vendbanim permanent të deklaruar. I jep fund njëherë e mirë kaosit me listat e zgjedhësve, i jep fund njëherë e mirë edhe paqartësisë në të dhënat parësore për sistemin fiskal apo për çdo të dhënë tjetër që mund t’i duhet çdo lloj institucioni. Pra në qoftë se sot regjistri i Gjendjes civile dhe regjistri i adresave janë dy gjëra të ndryshme, vështirësisht të komunikueshme, shkrirja e këtyre dy regjistrave në një të vetëm do na lejojë përfundimisht të bëjmë përputhjen definitive ndërmjet njerëzve dhe pasurive në këtë vend”, theksoi Tahiri.
Ministri sqaroi se tavani i shpenzimeve për emergjencat civile, në buxhet është planifikuar të jetë 110 milionë lekë.
“Kemi detyrime të prapambetura në këtë zë për situatat e krijuara nga fatkeqësitë natyrore në të kaluarën dhe borxhi i trashëguar është 1.8 miliardë lekë, të cilin ne nuk mundemi ta financojmë dhe ky është po kështu një detyrim që është përfshirë në kërkesat tona për ministrinë e Financave dhe që shpresojmë të kemi një përgjigje definitive për financimin e tij brenda këtij viti”, nënvizoi Ministri.
Pyetjes së deputetit të PDK-së Nard Ndoka për kohën e dëmshpërblimit të familjeve të dëmtuara nga fatkeqësitë natyrore, kreu i Ministrisë së Brendshme iu përgjigj se më këtë çështje nuk po bëhet aspak politik, por është fakt që i gjithë detyrimi nuk mund të shlyhet brenda vitit 2015.