LDK e PDK ndajnë “tortën” e pushtetit, Hashim Thaçi mbetet deputet i thjeshtë deri në 2016-n

25 Nëntor 2014, 12:49Rajoni TEMA

Partnerët e koalicionit të ri qeverisës në Kosovë, PDK dhe LDK, ende nuk kanë arritur ta finalizojnë marrëveshjen e arritur mes liderëve të dy partive natën e 19 nëntorit në Presidencë.

Kjo ka shtyrë krijimin e institucioneve edhe për një javë.

Megjithatë, sipas burimeve të gazetës Express, partitë janë marrë vesh për ndarjen e ministrive të mëdha, dhe ç’është më e rëndësishmja kanë rënë dakord për kryeministrin.

Sipas saj, PDK merr 8 Ministri, LDK 7 prej tyre, ndërkaq 4 ministri do t’i marrin minoritetet.

Një zyrtar i lartë, i përfshirë në grupet për harmonizim programesh, i tha gazetës se, përveç kryeministrit, LDK do të marrë edhe Ministrinë e Financave dhe atë të Shëndetësisë.

PDK, ndërkaq, do ta mbajë edhe më tutje Ministrinë e Arsimit dhe atë të Punëve të Brendshme.

I njëjti burim ka saktësuar se Avdullah Hoti, nënkryetari i dikurshëm i Komunës së Prishtinës, do të emërohet ministër i Financave nga LDK, kurse nënkryetarja aktuale e LDK-së, Teuta Sahatçiu shkon në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Nga PDK dihet që ministër i ri do të jetë Bekim Çollaku, deri tash shef i Stafit të kryeministrit”, ka thënë burim i gazetës Express.

“Çollaku do të jetë ministër i Integrimeve”, ka saktësuar ai.

Post ministror do të marrin edhe Skënder Hyseni i LDK-së, Bajram Geci – po ashtu.

Burimi i Express përmend edhe deputetin Arben Gashin në “listën ministrave të LDK-së”.

Ministria e FSK-së, sipas gjitha gjasave, do t’i mbetet PDK-së.

“Si zakonisht, nëse kjo Ministri i mbetet PDK-së, z. Agim Çeku do të jetë ministër”.

Minoritetet edhe më tutje do të mbajnë Ministrinë e Kthimit dhe atë të Mirëqenies Sociale.

“Ministria e Pushtetit Lokal ka mundësi që i jepet partnerëve nga minoritete jo-serbe”, tha burimi i gazetës.

Për Ministrinë e Bujqësisë përmendet Margarita Kadriu, nënkryetarja aktuale e PDK-së.

Blerand Stavileci dhe Memli Krasnqi, sipas gjitha gjasave, do të jenë në “vijën e parë të frontit” – në Parlament.

“Z. Blerand Stavileci është i pesti në listën e pritjes për deputetë. Sipas rregullores, ata që bëhen ministra, japin dorëheqje prej deputetit. Kështu që z. Stevileci do të jetë i pranishëm në legjislaturën aktuale, për herë të parë”.

Gjatë dy viteve të ardhshme, po në Parlament do të jetë edhe kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi.

“Z. Thaçi mbetet në Parlament, me shpresën se pas dy vitesh shkon në Presidencë”, tha një zyrtar i PDK-së në kushte anonimiteti për Express.

Në Qeveri, ndërkaq, mbetet dy prej njerëzve të afërt të tij, Hajredin Kuçi e Enver Hoxhaj.

“Posti i zëvendëskryeministrit do të ndahet mes tyre”, tha ai.

Ndërkohë, zyrtarisht zyrtarët e asnjërës parti nuk kanë dashur të flasin për ndarjen e ministrive, e as për emrat e ministrave të rinj. /b.l

1 komente në “LDK e PDK ndajnë “tortën” e pushtetit, Hashim Thaçi mbetet deputet i thjeshtë deri në 2016-n”

  1. Arben says:

    MARREVESHJE PUSHTASH

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje