Kuvendi miratoi sot me 88 vota disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për “Avokatin e Popullit”, që synojnë rritjen e pavarësisë së këtij institucioni kushtetues në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Ligji, miratimi i të cilit kërkonte shumicë të cilësuar votash, (84), sjell disa risi.
Institucionit të Avokatit të Popullit, përveç rolit si mbrojtës i të drejtave dhe lirive të shtetasve, i atribuohet dhe roli si nxitës i standarteve të larta të të drejtave të njeriut.
Ligji gjithashtu zgjeron rrethin e subjekteve ndaj të cilëve do të zbatohen dispozitat e ligjit për Avokatin e Popullit, duke i shtuar krahas kategorive ekzistuese në ligj, si të huajt, refugjatët, personat pa shtetësi, edhe kategoria e azilkërkuesve.
Po ashtu, përmes ligjit të ri sigurohet vazhdimësia më e mirë në rastet e mbarimit të mandatit pesëvjeçar të Avokatit të Popullit duke parashikuar qëndrimin e këtij të fundit në detyrë deri në zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit. Në rastet e tjera të mbarimit të mandatit, parashikohet zëvendësimi i tij nga Komisioneri më i vjetër, deri në zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit.
Nils Muižnieks, Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës, përmes një postimi në ‘Facebook’ ka shprehur shqetësimin për ndryshimet e fundit në ligjin për Avokatin e Popullit u kërkon autoriteteve shqiptare të mos vazhdojnë më tej, por të kërkojnë mendimin e Komisionit të Venecias.
Muižnieks thekson se ndryshimet në ligj dobësojnë pavarësinë e institucionit të Avokatit të Popullit.
“Kam ndjekur me interes debatet e bëra në Shqipëri në lidhje me amendimin e ligjit për Avokatin e Popullit”, shkruan Muižnieks, i cili shton se, “duke parë rrezikun për dobësimin e institucionit të Ombudsmanit në disa nga ndryshimet e propozuara, i nxis autoritetet shqiptare të këshillohen me Komisionin e Venecias përpara se të procedojnë”, shkruan Komisioneri.
Avokati i Popullit, Igli Totozani ka kundështuar amendimet e ligjit për Avokatin e Popullit gjatë prezantimit të tyre në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Totozani ka kundërshtuar për ndryshimin në ligj, që i jep të drejtën komisionit të ligjeve të zgjedhë komisionerët, duke deklaruar se në këtë mënyrë, institucioni që ai drejton kthehet në sekretariat teknik. /gj.k/
Nuk mund te jepet mendim per kete problem pa nje informacion per punen e ketij avokati te pakten tre vjetet e fundit